Të hënën e 21 nëntorit në ora 8:00, presidenti i Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohen në Bruksel.
Kështu ka njoftuar Vuçiç gjatë një interviste në TV Prva, derisa ka njoftuar se me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, do të flas për shumë tema.
“Bisedimet do të fillojnë në ora 8 të mëngjesit, do të nisem nga Beogradi në ora 4 apo 4:30, apo edhe sonte”, tha Vuçiç.
Për presidentin serb, situata e krijuar në Kosovë, “është më vështira në 10 vitet e fundit”.
“Nuk ka dyshim se situata është më e vështirë në 10 vitet e fundit dhe më lejoni t’u them njerëzve se nuk janë vetëm targat”, tha ai.
“Ne bëmë tre marrëveshje të rëndësishme në Berlin dhe na u duk se kjo duhet të ishte një nxitje e rëndësishme për ecurinë e bisedimeve tona. Atë ditë në Berlin Kurti bëri disa gjëra për shkak të cilave serbët u larguan nga institucionet”.
“Ai tha se nuk ka Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, që do të thotë se Marrëveshja e Brukselit nuk vlen për të. E dyta, ka bërë të ditur se janë tre faza për targat, paralajmërimet, dënimet dhe konfiskimet e veturave. Tre, ka shkarkuar Nenad Gjuriç-in, komandantin e policisë në Veri, sepse nuk ka autoritet”, shtoi Vuçiç.
Vuçiç ka theksuar se do të shkojë në Bruksel “në mënyrë që të mos u jep arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë se nuk dëshiron të marrë pjesë në takime”.
I pyetur nëse mendon se Kurti do ta shtyjë vendimin për targa, Vuçiç potencon se “po të donte të shtynte diçka, do ta shtynte më herët”.
“Kurti ka treguar se nuk i do serbët në Kosovë, ka dashur të vendos deputet në parlament dikë që ka fituar 30 herë më pak se Lista Serbe, e kam fjalën për Rada Trajkoviç-in, sepse disa të mendojnë se serbët po kthehen në institucione, jo nuk po kthehen”, shtoi ai.
Ai ka folur edhe për propozimin franko-gjerman, për të cilin ka thënë se nuk e ka refuzuar.
“Nuk e kam komentuar asnjëherë në detaje, edhe pse përgjigjen e kemi shkruar në letër, po të më pyesni nuk them se kemi refuzuar, as që e kemi pranuar, sepse jemi gati të flasim, por ata thjesht nuk na dha një shans”, thotë Vuçiç.
Kreu i shtetit theksoi se Lista Serbe do t’i bojkotojë zgjedhjet në Veri, pasi konsideron që me shpalljen e zgjedhjeve në Veri, “do të shpallen kryetarë të rinj me ndihmën e shqiptarëve të rrejshëm”.
“Është e qartë se cili është plani dhe ne po mundohemi ta prishim atë plan. Lista Serbe do t’i bojkotojë zgjedhjet. Kërkesa serbe kanë të bëjnë vetëm me atë që është nënshkruar në dialogun në Bruksel. Serbët nuk kanë kërkuar diçka që nuk është nënshkruar, por duan të zbatojnë atë që është nënshkruar”.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj të shkallëzuar për konvertimin e makinave me targa të paligjshme serbe në ato RKS.