Nga Dashnor Kokonozi-
E kisha vënë re një vit më parë, në drekën e një funerali. Nuk e di pse më tërhoqi vëmendjen ai njeri. Mbase sepse askush nuk i fliste, edhe pse ai nuk mungonte t’u zgjaste dorën të gjithëve. Në një rast u ngrit dhe ngushëlloi një nga personat më të afërt të të ndjerit. Pastaj u ul dhe vazhdoi të hante. Pak me nxitim dhe pa e ngritur kokën. Kur mbaronte pjatën që kishte përpara, fshinte buzët dhe priste pjatën tjetër me duart në prehër. Ndërkohë, nuk mungonte t’i buzëqeshte ndokujt. Për mua ishte e vështirë të kuptoja se kujt. Gjithmonë ai që merrte atë buzëqeshje, ishte diku larg, në tavolina të tjera. Mbase nuk i drejtohej askujt.
Ata që ishin në të njëjtën tavolinë me të bisedonin me njëri tjetrin, por asnjëherë nuk i drejtonin fjalën. Dukej se nuk e njihnin. Kjo nuk e pengonte atë të tundte kokën herë pas here, madje edhe të miratonte fjalët e tyre me gatishmërinë e atij që është gati të shtojë edhe mendimin e vet. Por atë mendim nuk ia kërkonte kush. Gjithsesi nuk e vije dot në dyshim se ai e kishte njohur të ndjerin që sapo kishin përcjellë.
Ishte mjaft i ri dhe nuk mund të thoje se ishte veshur si për një ceremoni të tillë, por gjithçka tregonte se e ndiente thellë dhimbjen për të.
Këto detaje m’u kujtuan shumë qartë këtë vit, kur më qëlloi ta shoh përsëri në funeralin e një njeriut tim, të cilit besoja se i njihja të gjitha lidhjet miqësore dhe shoqërore që kishte. Por jo atë. Kurrë nuk e kisha parë në shoqëri të tij. Se normalisht duhet të jesh i afërt i familjes që të ftojnë në një drekë një funeralit.
Aty, për herë të parë, mendova se mund të ishte dikush që ushqehej nëpër drekat e funeraleve të njerëzve që nuk i kishte parë kurrë në jetën e tij.
M’u kujtua se shkrimtari Witold Gombrowicz kishte pasur një rini të vështirë dhe shpesh ushqehej nëpër të tilla dreka funeralesh. M’u kujtua po ashtu se edhe Emil Cioran, deri nga mosha dyzet vjeç e më shumë, sajonte kartela studenti dhe hante falas në mensën e një universiteti pranë shtëpisë së tij.
Në Tiranë, më kishte qëlluar të shoh një grua rreth të shtatëdhjetave që i paraqiti fatorinos së autobusit një abone studenti dhe vështrimit të tij dyshues iu përgjegj duke i thënë me vendosmëri se njeriu mëson gjithë jetën.
Nuk po flas për ato dhjetëra spiunë të Sigurimit të Shtetit që merrnin dëmshpërblime si ish të përsekutuar. Veçse ata me krijonin përshtypjen se ishin ulur në drekën e dikujt që e kishin vrarë vetë…
Kur ai u ngrit të ikte dhe po vështronte rrotull, që të tërhiqej mundësisht pa rënë në sy, unë u kujdesa të shkoja e t’i jepja dorën e ta falenderoja. Madje edhe i thashë ndonjë fjalë ngushëllimi për njeriun që ai mbase nuk e kishte njohur kurrë.
Te ai njeri i varfër, ndoshta përshëndeta edhe një shkrimtar të së ardhmes, një filozof atipik. Se çfarë bënte ai për të mbijetuar në kohë të tilla, këtë prisja ta tregonte vetë në një kohë të dytë…

