11 Minuta Lexim
Nga Laureta Petoshati
1. Në Vlorë me poezitë e Emily Dickinson
Në një kohë kur bota po bëhet gjithnjë e më e zhurmshme, poezia e Emily Dickinson mbetet një nga ata zëra të rrallë që na mëson të dëgjojmë heshtjen. Pikërisht për këtë arsye, njohja e saj është e rëndësishme jo vetëm për letërsinë botërore, por edhe për kulturën shqiptare. Ne, si popull që kemi kaluar dhimbje, mall, vetmi dhe shpresë, e kuptojmë mirë poezinë që lind nga thellësia e shpirtit. Emily Dickinson nuk shkroi për lavdi apo duartrokitje. Ajo shkroi për njeriun, për frikën, shpresën, vetminë dhe dritën që mbijeton edhe në errësirë.
Këtë vit, më 15 maj, mbushen 140 vjet nga ndarja e saj nga jeta, por poezia e saj vazhdon të jetojë me një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore. Ka edhe një simbolikë historike domethënëse. Emily Dickinson u nda nga jeta në vitin 1886, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës përjetonin jubileun e 110-vjetorit të Pavarësisë së tyre. Sivjet Amerika feston 250-vjetorin e saj, dhe për shqiptarët kjo datë ka një kuptim të veçantë, pasi ky shtet e ka ndihmuar Shqipërinë në momente të rëndësishme historike.
Unë si vlonjate bëj pyetjen: Po a kishte dëgjuar ndonjëherë Emily Dickinson për Vlorën? Jo. Por për Shqipërinë natyrisht që po. Nga letrat e saj dihet se ajo e njihte mirë poezinë e Henry Longfellow, i cili kishte shkruar edhe për Skanderbeun tonë, shqipëruar në mënyrë të magjishme nga Noli. Kështu, në mënyrë të tërthortë, emri i Shqipërisë mund të ketë hyrë edhe në universin kulturor të Emily Dickinson- it.
Dhe ndoshta nuk është rastësi që aktiviteti poetik në Vlorë mban titullin “Më sill perëndimin në një kupë”. Ka qytete ku perëndimi thjesht shihet, por në Vlorë ai duket sikur jeton mbi det, si një poezi e heshtur mes dritës, qiellit dhe ujit. Pikërisht këtij peizazhi i shkon natyrshëm atmosfera meditative dhe misterioze e poezisë së Emily Dickinson-it.
Në letërsinë moderne botërore, Emily Dickinson konsiderohet një nga poetet më të mëdha amerikane të shekullit XIX. Ajo krijoi një poezi krejt të ndryshme nga tradita e kohës, të shkurtër në formë, por të thellë në kuptim. Në pak vargje arrinte të përmblidhte ankthin, dashurinë, përjetësinë dhe misterin e jetës njerëzore. Poezia e saj nuk lexohet vetëm me mendje, por ajo ndihet si një përjetim i brendshëm shpirtëror dhe emocional.
2. Emily Dickinson një shpirt krejt i lirë dhe i pazakontë
Emily Dickinson lindi më 10 dhjetor 1830 në Amherst të Masaçusetsit, në një familje të njohur dhe të kulturuar. Babai i saj, Eduard Dickinson, ishte jurist, kongresmen dhe pjesë e Partisë Whig. Brenda asaj atmosfere të disiplinuar protestante po formohej një shpirt krejt i lirë dhe i pazakontë. Që herët ajo tregoi prirje për letërsinë, natyrën dhe jetën shpirtërore. Kishte dhe një vëlla, Austin një jurist, por dhe që shkruante dhe ai, ndërsa motra e saj Lavinia ashtu si Emily, edhe pse kishin shërbëtore, merreshin me mbarëvajtjen e shtëpisë, ku hynin e dilnin njerëz të sërës së lartë, ku Lavinia i priste, ndërsa Emily lunate në piano.
Kur nisi të shkruante, nuk kishte ende një formim klasik të plotë. Fillimisht admiroi Elizabeth Barrett Browning, motrat Brontë, prozën e Charles Dickens, më pas filozofinë e Ralph Waldo Emerson, dhe poezinë e Henry Langfello-t. Nga të gjitha këto ndikime, Emily krijoi një zë krejt individual, intim dhe misterioz.
Ajo studioi vetëm një vit në seminarin femëror Mount Holyoke dhe iku prej andej për të studiuar në dhomën e saj plot me libra. Kjo sepse institucionet dhe rregullat e ngurta nuk mund ta kufizonin shpirtin e saj të lirë. Erdhi një moment që ajo u tërhoq nga jeta publike dhe pëlqente vetminë, jo si një zbrazëti, përkundrazi, vetmia e saj rezultoi të ishte një institucion shpirtëror që po hidhte në letër talentin e një prej poeteve më të mëdha të njerëzimit. Kjo nga mënyra se si ajo e ndjente dhe e përjetont poezinë. Një nga mendimet më të famshme të saj për poezinë është shkruar në një letër drejtuar Thomas Wentworth Higginson (1870) kur thotë se “Nëse lexoj një libër dhe ai e bën të gjithë trupin tim aq të ftohtë sa asnjë zjarr nuk mund ta ngrohë, unë e kuptoj se kjo është poezi. Nëse fizikisht ndihem sikur më kanë hequr tepelekun e kokës, unë e kuptoj që kjo është poezi. Këto janë të vetmet mënyra që unë e njoh atë. A ka ndonjë mënyrë tjetër? “Kjo thënie shpjegon më mirë se çdo kritikë se çfarë ishte poezia për Emily Dickinson-in. Poezia, për të, nuk ishin ca metafora për të zbukuruar vargun, por një tronditje e shpirtit dhe e qenies njerëzore, një vullkan i heshtur.
Poezitë e saj janë zakonisht të shkurtra, por me një shtresëzim të paparë emocional, metafora konceptuale dhe evangjeliko-biblike. Vargjet vijnë si një ortek që nisin si nga një flok bore dhe bëhen aq madhështore derisa të plandosin. Ajo shkruante për gjëra shumë të vogla, madje dhe për skufjen që vinte gjatë natës për të fjetur, për shallin e hollë, apo fustanin prej tyli, por brenda atyre gjërave të vogla ajo të fuste shpirtin e gjithë grave të njerëzimit, madje një univers të tërë.
Poezi si “Jeta ime ka qenë – një armë e mbushur”, “Thuaje të vërtetën, por thuaje përanshëm”, “Shpresa është krijesë me pupla”, “Dëgjova një zukatje mize – kur vdiqa”, “Era – si Njeri i lodhur trokiti”, “Këndoj të mbush kohën e pritjes”, “Kjo është letra ime drejtuar asaj Bote”, “Unë banoj në mundësi”, “Ndjeva një funeral në trurin tim”, “Meqë s’po reshtja së kërkuari vdekjen”, “Shpirti zgjedh shoqërinë që i përket”, “Unë vdiqa për të bukurën”, “Piva një Gllënjkë Jetë”, “Titulli hyjnore – është për mua prore!”, etj., ndërtojnë një botë poetike të brendshme ku ndërthuren në mënyrë të pandashme mendimi filozofik, ndjeshmëria shpirtërore dhe reflektimi mbi ekzistencën njerëzore, duke e kthyer përvojën individuale në një univers të gjerë simbolesh mbi jetën, vdekjen, shpresën dhe pafundësinë e mendjes. Ajo jetoi larg botës së jashtme, por brenda vetes ndërtoi një univers të pafund poetik.
3. Emily Dickinson dhe ligji i mohimit të mohimit
Emily Dickinson mbetet një nga figurat më mitike të poezisë botërore, një prani që duket sikur lindi më shumë pas vdekjes sesa gjatë jetës. Ajo jetoi e tërhequr në Amherst, larg shoqërisë dhe zhurmës publike, duke krijuar një univers të brendshëm poetik që nuk u shfaq hapur për bashkëkohësit e saj. Ky izolim, i shoqëruar me heshtjen e botimit të poezive, e ktheu figurën e saj në një mit të gjallë të vetmisë dhe misterit. Në vitet e fundit të jetës, ajo vishej pothuajse gjithmonë me të bardha, duke krijuar imazhin e një figure thuajse eterike, mes botës reale dhe asaj shpirtërore. Për shumëkënd, ajo u perceptua si një prani e largët, pothuajse legjendare, si një zë që fliste nga një hapësirë e padukshme.
Por miti i saj u përmbyll dhe njëkohësisht u përmbys pas vdekjes. Në frymën e një dialektike të heshtur, mund të thuhet se vdekja e saj “mohoi” heshtjen e poezisë së mbyllur, dhe zbulimi i dorëshkrimeve “mohoi mohimin”, duke e nxjerrë në dritë një nga korpuset poetike më të fuqishme të letërsisë moderne. Kështu, nga një jetë e padukshme lindi një prani e përjetshme: miti u bë vepër, dhe heshtja u kthye në zë universal. Kjo ndodhi sepse gjatë jetës së saj, Emily Dickinson pothuajse nuk u njoh publikisht. Vetëm disa poezi iu botuan. Në vitin 1886, kur ajo shkoi në përmasën tjetër, atë të përjetësisë, motra e saj Lavinia gjeti në sirtar afërsisht 1800 dorëshkrime të quajtura “fashikuj”, që treguan se Emily Dickinson kishte ndërtuar në heshtje një kështjellë madhështore poetike.
4. Poezia e Emily Dickinson- it nuk i përket vetëm Amerikës
Sot, Emily Dikenson konsiderohet një nga themelueset e zërit autentik amerikan në poezi, ajo së bashku Ralph Waldo Emerson, Walt Whitman janë figura kyçe të rinovimit të mendimit dhe poezisë amerikane, ku Emerson frymëzoi vizionin transcendentalist, Whitman hapi vargun e lirë dhe zërin kolektiv, ndërsa Dickinson solli një poezi introspektive dhe moderne, që i flet pavetëdijes dhe e zgjon në qetësi me një zë të brendshëm, por kumbues.
Madhështia e Emily Dickinson -it kuptohet edhe nga fakti se vargjet e saj kanë prekur jo vetëm kritikët letrarë, por edhe figura të mëdha shpirtërore të botës. Në meshën e Pashkëve të vitit 2019, Papa Francesku gjatë predikimit të tij i nxiti besimtarët të kapërcejnë frikën e tyre dhe të ngrihen. Për të inkurajuar këtë zgjim, ai citoi vargun e famshëm të Emily Dickinson: “Nuk e dimë kurrë lartësinë tonë derisa të thirremi që të ngrihemi”, duke shtuar se “Zoti na thërret të ngrihemi”. Ishte një moment simbolik: një poete e heshtur amerikane e shekullit XIX fliste para miliona njerëzve në botë.
Kjo tregon se poezia e Emily Dickinson- it nuk i përket vetëm Amerikës. Ajo i përket njerëzimit. Dhe ndoshta madhështia e saj qëndron pikërisht këtu: ajo jetoi larg zhurmës së botës, por krijoi një poezi që vazhdon të dëgjohet në të gjithë botën.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull