Ndërsa po dështon lufta në Ukrainë, në Rusi po shtohen trazirat brenda shtetit

7 Minuta Lexim

Dështimi ushtarak në Ukrainë po e dëmton stabilitetin e shtetit rus. Kremlini është përpjekur të fshehë humbjet e tij në luftë për të parandaluar reagimet negative nga ana e rusëve, por realiteti i dështimit po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, më së fundi me tërheqjen nga Khersoni menjëherë pasi rajoni u përfshi me kushtetutë në Federatën Ruse.

Konvulsionet e Rusisë janë të dukshme tek kritikat e nivelit të lartë ndaj politikës shtetërore, spastrimet në strukturat ushtarake, politike dhe ekonomike, konfliktet brenda institucioneve të sigurisë, rezistenca ndaj mobilizimit dhe trazirat në rritje në rajone të ndryshme.

Ushtria ruse i humbi betejat për Kievin, Harkivin dhe Kersonin, dhe po vazhdon të humbasë terren në territoret e tjera të pushtuara. Humbjet e saj në front janë të mëdha, me një vlerësim minimal prej mbi 80.000 të vdekur, të plagosur apo të kapur rob, së bashku me mijëra avionë të shkatërruar, por edhe tanke dhe pajisje të tjera të rënda të kapura nga ukrainasit.

Këto humbje marramendëse, kanë dëmtuara seriozisht aftësitë ushtarake dhe kanë shkatërruar njësitë elitare. Kritikat e brendshme ruse mbi planifikimin dhe zhvillimin e luftës janë shtuar ndjeshëm pavarësisht censurës së rreptë shtetërore.

Faqja e internetit “Military Review”, e cila është afër Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, ka publikuar kritika të forta për gjendjen e forcave të armatosura ruse. Edhe ish-komandantë të lartë ushtarakë e kanë kritikuar operacionin ushtarak.

Gjenerali Leonid Ivaçov, dikur një figurë prestigjioze në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Sovjetike, e ka denoncuar politikën e vendosjes së formacioneve të ndryshme private përkrah ushtrisë së rregullt. Madje Ivaçov ka deklaruar se “Rusia do të pushojë së ekzistuari” nëse e vazhdon luftën duke u izoluar dhe varfëruar.

Ndërkohë Igor Girkin, ish-Ministri i Mbrojtjes” i Republikës Popullore të Donjeckut të krijuar nga Moska, është shprehur se në Rusi po krijohet një situatë revolucionare klasike. Moska po zhvillon një luftë imperialiste gjithnjë e më jopopullore, fronti i betejës po shkatërrohet ndërsa udhëheqësit e vendit janë shkëputur nga realiteti.

Sipas Girkin, Putini mbahet në pushtet vetëm për të parandaluar betejat brenda elitës, që do të përshpejtonin shpërbërjen e Rusisë. Kritika të tilla janë përforcuar nga blogerët ushtarakë të linjës së ashpër, që sulmojnë hapur komandantët rusë për mediokritetin dhe burracakërinë e tyre.

Aktualisht ka një riorganizim të shpeshtë të strukturës së komandës ruse, dhe një spastrim të vazhdueshëm të oficerëve të lartë, që fajësohen për një strategji lufte të keq-dizenjuar. Krahas spastrimeve ushtarake, ka pasur një varg vdekjesh të dyshimta në mesin e oligarkëve dhe kritikëve të Kremlinit.

Të paktën 12 oligarkë rusë kanë vdekur në rrethana të pashpjegueshme, duke nxitur spekulimet nëse ata ishin kundër luftës dhe të gatshëm për të mbështetur liderët alternativë, apo nëse ata kanë  kryer vetëvrasje për shkak të humbjeve ekonomike të shkaktuara nga sanksionet ndërkombëtare.

Këtu përfshihet edhe Ravil Maganov, kryetar i bordit të kompanisë më të madhe private ruse të naftës Lukoil, një nga kompanitë e pakta ruse që e kritikoi pushtimin e Ukrainës. Po ashtu janë shtuar edhe përplasjet midis institucioneve të sigurisë.

Jevgeni Prigozhin, që kontrollon grupet paraushtarake Vagner, ka kritikuar komandantët ushtarakë të Rusisë, Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm Valeri Gerasimov. Vagner ka pësuar humbje të konsiderueshme në Ukrainë, dhe për të plotësuar radhët ka rekrutuar të dënuar në burgjet ruse në këmbim të amnistisë.

Edhe udhëheqësi çeçen dhe një besnik madh i Putinit, Ramzan Kadirov, ka sulmuar hapur liderët ushtarakë të Rusisë për paaftësi dhe mungesë angazhimi. Kritikat e Kadirov dhe Prigozhin tregojnë një fragmentim të thelluar midis udhëheqësve pro luftës.

Përplasjet kanë shpërthyer edhe midis kontraktorëve të rregullt ushtarak dhe privat. Për shkak të humbjeve të mëdha, mungesave logjistike dhe tërheqjeve, konflikte të tilla të brendshme mund të përshpejtojnë shfaqjen e rebelimeve të drejtpërdrejta.

Mobilizimi i parë masiv i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka provokuar një pakënaqësi të madhe. Gati 1 milionë  burra u larguan nga vendi për të shmangur mobilizimin, dhe disa mijëra u arrestuan për shkak të protestave kundër luftës që u zhvillua në më shumë se 50 qytete.

Shumica e protestave u mbajtën në zona jo-ruse dhe në rajonet më të varfra. Kështu revolta më e madhe u vërejt në republikat e Dagestanit, Burjatias dhe Sakas. Ndërkohë, edhe ata që janë rekrutuan i janë nënshtruar një stërvitje minimale, dhe janë pajisur me armë të pamjaftueshme, me pak ushqim apo kujdes mjekësor dhe drejtohen nga komandantë të paaftë.

Shumë prej tyre janë përpjekur të dezertojnë, teksa janë përballur me paraburgimin ose ekzekutimin. Lufta do të ketë një efekt shkatërrues në rajonet e Rusisë, fondet e të cilave po pakësohen pasi po shkojnë për të paguar koston e mobilizimit. Mobilizimi jo-proporcional dhe vdekjet e jo-rusëve po shtojnë një sërë ankesash në Kaukazin e Veriut dhe republikat e tjera të federatës.

Opozita në Moskë dhe demokratët rusë që gjenden në mërgim, janë të paaftë që ta transformojnë një perandori në një shtet demokratik. Këmbëngulja e tyre për të ruajtur Rusinë në kufijtë e saj aktualë, shihet me dyshim në rritje, tek jo-rusët dhe rajonalistët.

Kjo e lë terrenin të hapur për zëra alternativë, sidomos për kombet dhe rajonet që kërkojnë pavarësi, duke përfshirë Kombet e Lira të Post-Rusisë të krijuar së fundmi.

Duke mbledhur aktivistë emigrantë nga disa kombe dhe rajone, përfshirë Vollgën e Mesme, Siberinë, Kaukazin e Veriut dhe veriperëndimin e Rusisë, ata po i japin zë aspiratave të shtypura prej kohësh për çlirim.

Reagimi i vrazhdë i Kremlinit ndaj nismave të tilla nxjerr në pah frikën e tij nga sfidat në rritje ndaj sundimit të Moskës, ndërsa Rusia përballet me një dimër rraskapitës dhe plot humbje në Ukrainë.

Shënim:Janusz Bugajski, bashkëpunëtor në “Jamestown Foundation”me seli në Uashington. Libri i tij i ri titullohet “Një shtet i dështuar:Manual mbi shpërbërjen e Rusisë”.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull