Zhvatja masive dhe korrupsioni me avokatin e shteti: Si ra SPAK në gjurmët e “Rrumit të Shijakut”?

4 Minuta Lexim

Dy vjet pas nisjes së hetimeve për një atentat në autostradë, gjë që rastësisht solli në duart e prokurorëve prova për korrupsion dhe falsifikime me tokat në Gjirin e Lalzit, Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar pranoi kërkesën e prokurorisë për arrest me burg për Rrumin, i forti i zonës. Policia ndërkohë nuk ishte në gjendje të identifikonte vendndodhjen e tij kështu që ai u shpall në kërkim.

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit urdhëroi arrest shtëpie për një zyrtar dhe arrest me burg për një eksponent të dyshuar të krimit të organizuar, dy vjet pasi një atentat mafioz në autostradë bëri që në duart e prokurorëve të bjerë prova për një akt korruptiv.

Prokuroria e Posaçme bëri të ditur vendimin në një komunikatë për shtyp.

Sipas njoftimit, gjykata ka vendosur: “Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, për personin nën hetim I. K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal,” dhe “Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personin A.L. (alias P.M.), i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244 dhe 25 i Kodit Penal.”

Inicialet I.K., kanë të bëjnë me Irgen Kërçukun, i cili në kohën e kryerjes së vepres penale të dyshuar kishte rolin e avokatit të shtetit në një proces gjyqësor në të cilin një qytetar kërkonte njohjen si pronar në një sipërfaqe prej 45 mijë metrash katrore në Gjirin e Lalzit.

Inicialet A.L. (alias P.M.), kanë të bëjnë me Aleksandër Lahon, i njohur gjithashtu edhe si Pëllumb Muharremi, i njohur edhe si Rrumi.

Njoftimi i SPAK thotë gjithashtu se policia nuk ka qenë në gjendje të lokalizojë vendndodhjen e Rrumit dhe për këtë arsye ai është shpallur në kërkim.

“Në datën 22.11.2022, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ekzekutoi masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj I.K., ndërsa vazhdojnë kërkimet me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj të hetuarit A.L. (alias P.M.)”, thuhet në njoftim.

Prova që solli akuzat për korrupsion aktiv, në rastin e Rrumit, dhe korripsion pasiv, në rastin e Kërçukut, është një video që duket se është regjistruar me celularin e vetë Rrumit, ndërsa ky i fundit shfaqet duke negociuar me Kërçukun një ryshfet të majmë me kushtin që ky i fundit të mos kryente detyrën e vet të apelimit të një vendimi të Gjykatës së Durrësit, e cila ia njihte pronësinë e tokës një të moshuari nga fshati Draç.

Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se Rrumi pati paguar 9 milionë lekë për të sjellë hyrjen në fuqi të vendimit pa u apeluar dhe se Kërçuku pati deklaruar para prokurorëve se ai i kishte marrë paratë nën kërcënim dhe se i kishte kthyer sërish pas nën kërcënim.

Videoja në fjalë ra në duart e prokurorëve pasi në nëntor të vitit 2019, në mbikalimin e Shkozetit, një atentat mafioz shënjestroi makinën në të cilën udhëtonte Rrumi, ndërsa në shoqëri me të ishte edhe ish-prokurori Arian Ndoja.

Rrumi është shpallur sakaq në kërkim edhe për një ngjarje tjetër në tetor të këtij viti.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull