Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka kërkuar që gara për kreun e ri të SPAK të jetë transparente.
Përmes një statusi në Twitter, Kim shprehet se procesi i përzgjedhjes duhet të jetë pa manipulime nga ata që kërkojnë të bllokojnë ose ndikojnë në drejtësi,
“Tani që kandidatët për kreun e ardhshëm të SPAK janë konfirmuar, është thelbësore që procesi të jetë transparent në mënyrë që shefi i ardhshëm të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe historikut dhe të jetë i aftë dhe i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Procesi i përzgjedhjes duhet të jetë pa manipulime nga ata që kërkojnë të bllokojnë ose ndikojnë në drejtësi, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi.
Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK, si reforma në drejtësi, duhet të jetë e ardhmja e Shqipërisë”, ka shkruar ambasadorja Kim në Twitter.
Të hënën, Këshili i Lartë i Prokurorisë ka miratuar listën për kandidatët për drejtues të SPAK, të cilët janë: Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili.
Ndërkohë KLP ka administruar edhe platformat e tyre, dhe sipas ralacionit ata plotesojnë kushtet ligjore.