Alarm nga Strasburgu: Raporti i Avokaturës së Shtetit zbardh dështimet e sistemit të ri të drejtësisë; rrezikohet një valë e re dënimesh sistemike

6 Minuta Lexim

Raporti zyrtar i Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) gjatë vitit 2025, i dorëzuar pranë Kuvendit të Shqipërisë, ka nxjerrë në dritë problematika të mprehta dhe kritike që po kalon sistemi shqiptar i drejtësisë. Edhe pse përfaqësimi ligjor ka arritur të shmangë dëme të mëdha financiare në buxhetin e shtetit, gjetjet e Strasburgut ngrenë një alarm serioz mbi funksionimin e gjykatave vendase, duke evidentuar cenim të procesit të rregullt ligjor, kolaps të mekanizmave të kompensimit dhe vendimmarrje arbitrare në nivelet më të larta gjyqësore.

Në 34 vendimet e dhëna nga GJEDNJ për vitin 2025, Gjykata ka konstatuar shkelje të Konventës në 12 prej tyre. Shkeljet e pranuara dëshmojnë se reformat e fundit jo vetëm që nuk po zbutin ngarkesën, por në disa raste po prodhojnë ngërçe të reja sistemike.

Një nga pikat më alarmante të raportit lidhet me mjetin e brendshëm juridik për gjykimin brenda një afati të arsyeshëm (Neni 399/1 i Kodit të Procedurës Civile), i cili u krijua në vitin 2017 për të kompensuar qytetarët për vonesat gjyqësore. Raporti pranon hapur se ky mekanizëm nuk po jep efektin e dëshiruar për shkak të efekteve anësore të procesit të vettingut.

Stoku i stërmadh (“Backlog-u”): Mungesa e gjyqtarëve dhe dështimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) për të marrë masa konkrete ka bërë që numri i çështjeve në pritje të rritet në mënyrë drastike, duke e bërë mjetin ligjor krejtësisht joefektiv.

Paralajmërimi i GJEDNJ-së: Në vendimin kyç “ARB dhe të tjerë kundër Shqipërisë” (datë 27.05.2025), Strasburgu ka dhënë një paralajmërim të prerë: nëse nuk merren masa urgjente për plotësimin e vakancave (veçanërisht në nivelet e Apelit), ky mekanizëm do të konsiderohet përfundimisht i dështuar. Një skenar i tillë do ta ekspozonte Shqipërinë ndaj një vale të re masive aplikimesh dhe dënimesh për shkelje sistemike.
Strasburgu po ashtu ka rrëzuar justifikimin e Gjykatës së Lartë se vonesat vijnë nga reforma gjyqësore, duke theksuar se barra e tranzicionit institucional nuk mund t’i lihet në asnjë rast individit.

2. Mohimi i aksesit në Gjykatën Kushtetuese
Raporti vë gishtin mbi një tjetër shkelje të konsoliduar e të përsëritur: llogaritjen e gabuar të afatit kohor 4-mujor për paraqitjen e ankesave nga Gjykata Kushtetuese.

Vendimet e vitit 2025 si “Ibrahimi dhe të tjerë”, “Ilia”, dhe “Fortuzi” konfirmojnë se qytetarëve shqiptarë u mohohet në mënyrë të padrejtë aksesi në shkallën më të lartë të gjykimit kushtetues.

Injorimi i rekomandimeve: Avokatura e Shtetit zbulon se ka rekomanduar që këto çështje të zgjidhen me pajtim për të shmangur dënimet nga Strasburgu, duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të rishikojë praktikën e saj. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese ka zgjedhur të mos mbajë asnjë qëndrim, duke sjellë si pasojë vijimin e ndëshkimeve nga GJEDNJ për Shqipërinë.

3. Gjykatat  që “fshehin” arsyetimin e vendimeve
Një tjetër pikë kritike e ngritur nga GJEDNJ është praktika e gjykatave kombëtare për të rrëzuar ankesat e qytetarëve pa dhënë asnjë arsyetim të plotë adekuat, duke u mjaftuar me formula sterile ose thjesht duke paraqitur rezultatin e votimit.

Rasti “Frroku”: GJEDNJ konstatoi shkelje të Nenit 6 për shkak se Gjykata Kushtetuese e la kërkuesin pa asnjë arsyetim mbi themelin e çështjes, duke u kufizuar vetëm te votat pro dhe kundër.
Rasti “Rarani”: Ky vendim ekspozoi një shkelje të rëndë nga Gjykata e Lartë, e cila kishte tejkaluar kompetencat e saj si gjykatë ligji. Ajo kishte përmbysur në mënyrë arbitrare konstatimet e fakteve dhe raporteve të ekspertëve të pranuara nga shkallët më të ulëta, pa pasur prova të reja dhe pa asnjë shpjegim të mjaftueshëm.

4. Cenimi i paanshmërisë gjyqësore dhe konflikti i interesit
Raporti nxjerr në pah raste flagrante të mungesës së paanshmërisë strukturore dhe procedurale në trupat gjykuese.

Rasti “Kroi & Noçka”: Tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët më parë kishin gjykuar të njëjtën çështje kur ishin pjesë e Gjykatës së Lartë, nuk pranuan të tërhiqeshin nga shqyrtimi i kërkesës kushtetuese. Vendimi i marrë nga kjo trupë e paplotë (për shkak të vakancave të paplotësuara në Kushtetuese) përfundoi me vota të barabarta 3 me 3, duke krijuar hije të forta dyshimi mbi paanshmërinë e procesit.

Rasti “Kastriot Ismailaj”: GJEDNJ gjeti se një gjyqtar i Gjykatës së Lartë kishte shqyrtuar një rekurs pavarësisht se kishte dhënë më parë vendime mbi të njëjtat fakte. Për më tepër, gjykata u fut në meritat e çështjes pa i garantuar kërkuesit as të drejtën formale për të kërkuar përjashtimin e gjyqtarit.

Përballë këtij kuadri kritik, Avokatura e Shtetit u ka përcjellë thirrje zyrtare institucioneve kyçe si KLGJ, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës që të ndryshojnë urgjentisht praktikën e tyre.

Mes masave emergjente të kërkuara nga Strasburgu listohen:

Plotësimi i menjëhershëm i vakancave në gjykata (veçanërisht në Apel). 
Rishikimi i thellë i mekanizmit të kompensimit për vonesat, pasi ai po kthehet në një barrë të re që rrezikon të bllokojë përfundimisht sistemin. 
Rihapja dhe rigjykimi i çështjeve vendase sa herë që konstatohen shkelje të paanshmërisë dhe pavarësisë së gjykatave, si mjeti i vetëm për të korrigjuar gabimet procedurale

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull