8 vjet burg do të vuaj Klajdi Shundiu, i cili në datën 1 janar të vitit 2021 vrau me thikë kunatin e tij, Vladimir Zvezhdën.
Ky është vendimi që ka marrë sot Gjykata e Apelit, e cila ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, që vendosi 20 vjet heqje lirie për autorin.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e “5 majit” në Tiranë, pasi autori dhe viktima konsumuan alkool.
42-vjeçari Vladimir Zvezhda kishte shkuar me bashkëshorten tek shtëpia e prindërve të saj për të festuar.
Pas një sherri me kunatin, Klajdi Shundi e qëlloi me thikë në pjesën e qafës. Ai u dërgua në spital por nuk mundi të mbijetonte për shkak të gjakderdhjes së madhe.
“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare Ornela Naqellari dhe anëtare Gjyqtare Edlira Petri dhe Gjyqtare Lutfije Celami, me vendimin nr. 1143, datë 23.11.2022 vendosi:
– Ndryshimin e vendimit nr. 480, datë 24.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
– Deklarimin fajtor të të pandehurit K.Sh për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes së kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, parashikuar nga neni 82 i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 8 (tetë) vjet burgim“, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Gjykatës së Apelit.