Belgjika fitoi 1-0 kundër Kanadasë në grupin F të Kupës së Botës. Në ndeshjen debutuese në këtë event, të dyja skuadrat dhuruan emocione në një 90 minutësh të mbushur me raste. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua nga Michy Batshuayi në minutën e 44 pas asistit nga 60 metra të Alderweired.
Ndeshja nisi mirë për Kanadanë, me skuadrën e Herdman që siguroi penalltinë pas prekjes me dorë të Carrasco në zonë. Nga 11 metra, Davies u ndal nga Courtois. Pjesa e parë solli edhe golin e vetëm të ndeshjes, me Batshuayi që në minutën e 44 kaloi belgët në avantazh.
Pjesa e dytë u zhvillua në mesin e fushës, teksa arbitri akordoi edhe katër kartona të verdhë. Megjithë pesë minutat shtesë në fundin e lojës, Kanadaja nuk ia doli të barazonte.
Pas ndeshjeve të para në grupin F të Botërorit, Belgjika mban kreun me tre pikë, Kroacia dhe Maroku kanë nga një pikë, ndërsa në fundin e renditjes është Kanadaja me zero pikë.