SPAK e GJKKO përplasen për Alqi Bllakon, kërkohet arrest i ri për “Elbasanin”. Sot vendos Apeli

5 Minuta Lexim

Inceneratori i Elbasanit ka futur në përplasje caktimi mase sërish SPAKun me GJKKO-në.

Prokuroria i kërkoi kësaj gjykate që Bllako, i rikthyer në qeli, të vihet nën masën e arrestit tjetër me burg për shkak të përfshirjes në aferat e inceneratorit të Elbasanit, por Gjykata nuk e ka pranuar.

Për pasojë, SPAK-u e ka apeluar këtë vendim teksa pritet që ditën e sotme të jetë Apeli ai që do të vendosë nëse do t’i vihet tjetër masë sigurie ish-deputetit dhe njëherësh ish-funksionarit të lartë shtetëror

Ndërkohë, po ditën e djeshme, mbrojtësit ligjorë të të gjithë të akuzuarve për aferat e inceneratorëve kanë sjellë të dhënat e tyre që i kundërvihen akuzës për klientët e tyre, ca të arrestuar, por ka nga ata që janë edhe në kërkim. Pavarësisht se ata nuk pranojnë që klientët e tyre të kenë kryer evazion fiskal, ata janë dakord që ndaj tyre të aplikohet gjykimi i shkurtuar.

MASA PËR BLLAKON

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar masë të dytë sigurie ndaj Alqi Bllakos, për inceneratorin e Elbasanit. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se SPAK-u i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për një masë sigurie ndaj Bllakos, 2 javë më parë, por Gjykata e ka refuzuar kërkesën e SPAK-ut.

Megjithatë, SPAK-u e ka ankimuar këtë vendim, duke iu drejtuar Apelit të Posaçëm për miratimin e kësaj kërkese dhe caktimin e “Arrestit me burg” ndaj Bllakos, për akuzën e korrupsionit.

Shqyrtimi i kësaj kërkesë është shtyrë për nesër dhe Apeli do dalë me një vendim nëse do e miratojë kërkesën e SPAK për një masë më të butë sigurie apo jo ndaj Bllakos.

Hetimet e SPAK për inceneratorin e Elbasanit kanë rënduar pozitat e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllako, ku përveç akuzës së “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim, Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij edhe akuzën e “korrupsionit”.

Burime bëjnë me dije se pas sekuestrimit të kompjuterit të ish-deputetit dhe pas marrjes së tij si i pandehur, janë gjendur prova që e implikojnë atë në korrupsion të zyrtarëve të lartë.

Sipas SPAK-ut, Alqi Bllako ka shkëmbyer email-e nga adresa e tij private me administratorin e kompanisë “Alb Tek Energy”, Klodian Zoton duke e informuar këtë të fundit mbi procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit. Referuar dosjes hetimore, ai i përcillte Zotos email-et e zyrtarëve të Ministrisë së Mjedisit mbi procedurat që duhet të ndiqte për të fituar të drejtën e ndërtimit të inceneratorit të Elbasanit.

Referuar hetimeve të kryera, këto kontakte janë mbajtur në kohën që Bllako ushtronte detyrën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe prokuroria ka dyshime se ish-deputeti të ketë paracaktuar garën, duke shpallur fituese kompaninë që përfaqësohej nga Zoto.

MBROJTJA E TË AKUZUARVE

Avokatët e të pandehurve të prokurorisë për çështjen e inceneratorëve kundërshtojnë akuzat dhe kërkojnë gjykim të shkurtuar, çka u jep mundësinë e uljes së një të tretës së dënimit. Ata kanë dorëzuar pretendimet e tyre në lidhje me akuzat e ngritura nga SPAKu, në aktin e mbylljes së hetimeve dhe dërgimit të dosjes në gjyq.

Avokati i Klodian Zotos, në gjetjet e tij dorëzuar SPAK-t, ka pretenduar se nuk ka kryer evazion fiskal, si dhe, sipas tij, të gjitha dokumentacionet janë bërë konform ligjit, në kushtet e një emergjence mjedisore. Në të njëjtën mënyrë kanë vepruar edhe avokatët e të pandehurve të tjerë, të cilët kanë pretenduar se nuk kanë shkelur ligjin dhe nuk kanë kryer asnjë prej veprave penale, që pretendohen nga ana e SPAK-ut

Për inceneratorin e Elbasanit, Gjykata e Posaçme ka dhënë masë sigurie në mungesë për Mirel Mërtirin dhe po ashtu, edhe për Alqi Bllakon, i cili më herët akuzohej veç për Fierin. Mësohet se të gjithë avokatët mbrojtës do të kërkojnë gjykim të shkurtuar për klientët e tyre.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull