Institucionalizmi ndërkombëtar në epokën e deficitit të qeverisjes globale

8 Minuta Lexim

Nga Aleksandër Çipa-

Realiteti i ri gjeopolitik po e tjetërson raportin e fuqive ndërkombëtare në raport me sistemin institucional të rendit të deritanishëm. Transformimi kalues nga rendi i deritanishëm institucional në një rend multipolar, po shpërfaq problemet e marrëdhënies ndërkombëtare me institucionet ekzistuese, të cilat po përdoren apo shpërfillen si instrumente ku, bashkëjeton deri diku ende bashkëpunimi, por demonstrohet rivaliteti si dhe shpërfaqet nevoja për rishikim.

Deficiti në qeverisjen globale nuk është thjesht konstatim, së pari nga Kina, por një shqetësim i shpërfaqur në disa ndër problemet e agravuara në hapësirën ndërkombëtare.

Tashmë konfliktet nuk po menaxhohen më përmes rregullave, konventave dhe  negocimit apo ndërvarësisë. Nuk po tregohet forca potenciale dhe autoriteti i institucionalizmit global të investuar aq rigorozisht gjatë dekadave të mëparshme, kryesisht nga autoriteti i OKB-së apo institucioneve të tjera globale etj..

Parimi i përfaqësimit të barabartë është, në raste të ndryshme, i shpërfillur. Kjo dëshmon se vështirësitë për trajtimin e sfidave globale janë edhe më të shtuara. Si të tilla, ato po shtresëzojnë një krizë për qeverisjen aktuale dhe atë perspektive në nivel botëror. Si e tillë kjo krizë, është po aq e rrezikshme, sa vetë konfliktet.

Koha e ekzistencës së një rendi që mbartte në bazë marrëdhënien midis fuqisë dhe institucioneve ka mbaruar. Mosrespektimi në këtë sistem të trashëguar institucionesh i parimit të barazisë sovrane, po shumëfishon përpjekjet për rigrupime apo dasi të reja dhe mospajtime ndërkombëtare. Qeverisja ndërkombëtare po bëhet më kaotike. Riarmatimi dhe konfliktet janë aktualisht shenjë e plotë e krizës së besimit ndërkombëtar.

Rritja drastike e shpenzimeve ushtarake, shumëfishimi i rrjeteve dhe tregtisë së armatimit, rivënia e potencialeve befasuese financiare, në funksion e industrisë dhe teknologjive ushtarake, janë tregues imponues të këtij transformimi me dilema dhe të panjohura për rajonet dhe kryesisht vendet e vogla.

Faza e parë e Samitit të 20-të të Liderëve të G20-ës/Foto nga Xinhua

Aktualisht treguesit e rritjes së shpenzimeve ushtarake ndërkombëtare për vitin 2025 arritën në 2.9 trilionë dollarë. Kjo është kuota më e lartë e shënuar në dekadat e fundit. Kontinentet po e tjetërsojnë krejt arkitekturën e investimeve dhe prodhimit ushtarak, qasjet politike dhe sidomos trashëgiminë e raporteve të deritanishme. Besueshmëria ndaj sigurisë së deritanishme po bjeret rrufeshëm.

Ndërkohë që shpresa se kjo siguri mund të garantohet nga institucionet e deritanishme ndërkombëtare është mpakur e dobësuar në masë tronditëse. Normat ndërkombëtare dhe sidomos Karta e OKB-së po cenohen. Kjo ka goditur, në shumë aktorë të fuqishëm globalë dhe rajonalë, besueshmërinë e rolit qendror të Kombeve të Bashkuara.

Tretja dhe shembja e besueshmërisë ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB, është shembull i qartë dhe kokëfortë i kësaj “krize të përputhjes”. Mospërputhja e institucioneve të trashëguara ndërkombëtare me realitetin e ri politik, gjeopolitik dhe ushtarak, është krizë komplekse për botën.

Shekulli XXI ka ndryshuar arkitekturën globale të potencialeve dhe fuqive. Pesë vendet me të drejtë vetoje të përhershme SHBA, Kinë, Rusi, Francë dhe Britani e Madhe që e patën këtë atribut qysh prej 1945, sot janë në një përballje sfidash të reja dhe realitetesh të ndryshuara.

Kina si një fuqi botërore qartësisht e ka përcaktueshmërinë e vet në raport me këtë sfidë. Lidershipi i saj mbetet në konsistencën e pikëpamjeve dhe qëndrimeve, për të adresuar jo vetëm deficitin institucional por më së shumti atë të efektivitetit të kësaj qeverisjeje. Kjo fuqi e sheh vlerën e GGI tek përpjekjet e aktorëve përcaktues gjeopolitikë për një sistem ndërkombëtar më përfaqësues, gjithëpërfshirës dhe efektiv. Sistemi i ri ndërkombëtar, në optikën kineze, flet për përshtatjen e qeverisjes globale me realitetet e reja të sistemit ndërkombëtar.

Sugjerohet transformimi i sistemit dhe jo shkatërrimi i tij. Nga kjo fuqi afishohet strategjia e sofistikuar e shmangies së përplasjes me institucionet ekzistuese. Propozohet një sistem ku vendet në zhvillim të kenë peshë respektive në këtë përfaqësim dhe rregullat globale të mos imponohen. (I mëshohet faktit për rritjen e përfaqësimit dhe fuqisë së zërit  të Jugut Global).

Në këtë strategji, nismat për forcimin e platformave të BRICS apo Shanghai Cooperation Organisation, si dhe krijimin dhe zgjerimin e institucioneve financiare alternative, janë veprime pararendëse dhe me parashikueshmëri strategjike.

Ndërtesa e Organizatës së Kombeve të Bashkuara/Foto nga VCG

Sentenca gjeopolitike  “Ta ruajmë multilateralizmin, por të ndryshojmë ekuilibrin e fuqisë brenda tij”, ofrohet si brendi e strategjisë së përshtatshme të një fuqie që pretendon të rrisë dhe shpërfaqë ndikimin si revolucionarizuese e sistemit aktual ndërkombëtar.

Rusia shfaqet më radikale. Moska politike e pranon rëndësinë formale të institucioneve ndërkombëtare, por adresohet kryesisht tek fuqitë e mëdha dhe në të drejtën e tyre për të përcaktuar mjediset strategjike.

Shumë më antagoniste, me konceptet e mësipërme, shfaqet SHBA.

Në disa raste ka dëshmuar kapërcimin e tyre, ndërkohë që roli i saj tashmë është në ndryshim. Ajo ka hequr dorë, sipas dukjes, nga pranueshmëria e rrjetit të deritanishëm të këtij institucionalizmi dhe po bëhet më selektive ndaj tyre. Këto institucione aktualisht përballen me realitetin e përdorimit si mjete sipas fuqisë dhe të dëmtuara në kredibilitetin e tyre ndërkombëtar.

Ndryshe paraqitet Europa e cila përmes institucionit të saj kryesor Parlamentit të BE, vijon të jetë aktori gjeopolitik i lidhur me idenë e një rendi të bazuar në rregulla dhe të drejtën ndërkombëtare formale. Realiteti i tensioneve dhe luftërave në Hormuz, në Ukrainë e gjetkë, si dhe ndryshimi i qasjes së trashëguar në raportet SHBA-Europë, kanë shtuar edhe pikëpamjen europiane për krijimin e aseteve mbrojtëse të këtij institucionalizmi, duke ekspozuar refleksion, disi të vonuar të mësimit të vjetër të politikës ndërkombëtare se rregullat kanë nevojë për kapacitet, që të mbrohen.

Realiteti aktual gjeopolitik mund të ketë pësuar ikje nga arkitektura e trashëguar  institucionale. Globalizmi nuk është sfiduar nga multipolariteti, por nuk është më i tillë dhe realiteti është tejet më kompleks. Asimetria në qëndrimet dhe sidomos marrëdhëniet me institucionet ndërkombëtare dëshmon jo zhdukjen e tyre, por fragmentarizimin dhe inefektivitetin.

Bëhet fjalë për një ekosistem të ri institucional në botë. Aktualisht OKB po bashkëjeton me G20, BRICS, NATO, BE, SCO etj., etj., deri edhe Bashkimin Afrikan. Këto entitete  janë provë e shumimit të rrjeteve institucionale financiare si dhe mekanizmave rajonalë e më shumë se aq.

Autoriteti ndërkombëtar po shpërndahet. Forca teknologjike, kontrolli i armëve dhe raportet e rikompozuara po paraprijnë mundësinë që fuqitë të krijojë rregulla të reja para institucionave të rikompozuara ose të krijuara rishtaz.

Dilema ndërkombëtare se çfarë rendi po lind, na imponon perceptimin e multipolaritetit të armatosur dhe institucionalizmit të fragmentuar. Fuqia po materializon një realitet të ri shpërndarjeje, ndërkohë që rregullat, si gjithmonë, vijnë më pas. Se si dhe kur, kjo mbetet ende për t’u parë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull