Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, është takuar papritur me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, në kuadër të debatit të përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Biseda, që zgjati rreth 20 minuta dhe ishte takimi i parë dypalësh midis ministrave të Jashtëm të të dy vendeve pas disa vitesh, u organizua, sipas Wadephulit, me ndërmjetësimin e palëve të treta.
“Jam kontaktuar nga shumë kolegë të vendeve të tjera dhe më është thënë se Rusia ishte e gatshme për një bisedë”, tha ministri i Jashtëm gjerman në një intervistë për emisionin gjerman të ARD-së, tagesthemen. Sipas tij, shumë prej tyre e këshilluan ta zhvillonte këtë takim dhe madje ia kërkuan një gjë të tillë.
“U kalua një vijë e kuqe”
Përmbajtja e bisedës u përqendrua te pasojat e luftës agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Sipas Wadephulit, një nga çështjet kryesore ishte eksporti i drithërave nga Ukraina dhe Rusia. “Një vend si Egjipti ka nevojë urgjente për diçka të tillë. Ekziston rreziku i urisë”, tha ministri gjerman i Jashtëm. Angazhimi për të garantuar këto eksporte është, sipas tij, gjëja e duhur për t’u bërë.
Tema e dytë ishte incidenti me dronin në aeroportin Leipzig/Halle. “Një dron, i cili realisht mund të kishte shkaktuar rrëzimin e avionëve, është vënë në përdorim atje nga duar ruse”, tha Wadephul.
Ai theksoi se ia kishte bërë të qartë Lavrovit se “me këtë është kaluar një vijë e kuqe” dhe se Gjermania pret që një gjë e tillë të mos përsëritet. “Ne jemi gjithmonë të gatshëm të reagojmë”, paralajmëroi ministri gjerman i Jashtëm.

Qeveria federale gjermane e konsideron Rusinë përgjegjëse për incidentin me një dron të pajisur me lëndë shpërthyese që nuk arriti të shpërthejë në aeroportin Leipzig/Halle, një nyje logjistike me rëndësi të madhe për mbështetjen e Ukrainës. Sipas Berlinit zyrtar, droni paraqiste një rrezik serioz për trafikun ajror dhe mund të kishte shkaktuar pasoja të rënda. Autoritetet gjermane e lidhin incidentin me veprime ruse dhe e shohin atë si një përshkallëzim të papranueshëm.
Së treti, Wadephul tha se i kishte bërë të qartë Lavrovit se mbështetja gjermane për Ukrainën mbetet e palëkundur. “Kjo mbështetje është plotësisht e pandërprerë”, theksoi ministri i Jashtëm gjerman, duke shtuar se tani është Rusia ajo që duhet të ulet në tryezën e negociatave. “Nuk ka asnjë justifikim për këtë luftë, e cila po merr jetë të panumërta njerëzish, përfshirë edhe viktima ruse, por mbi të gjitha viktima civile në Ukrainë”, deklaroi Wadephul.


