Gjykata Speciale i dënoi në shkallë të parë më 16 shtator ish-krerët e UÇK-së me gjithsej 81 vjet burgim. Miratimi në lexim të parë i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara tani duhet të shqyrtohet në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, ku mund të propozohen edhe amendamente shtesë. Më pas, ndryshimet do të rikthehen në Kuvend për votim përfundimtar pas leximit të dytë.
Kurti: Veprimet janë të ngutshme, por…
Nismëtari i ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara nga PDK-ja, deputeti Përparim Gruda, tha se “ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë në përputhje me detyrimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova dhe me Kushtetutën e vendit”. Sipas tij, “me këtë ligj zotohemi se nuk i ikim drejtësisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke iu drejtuar deputetëve, tha se qeveria e tij e mbështet ndryshimin e ligjit. Megjithatë, ai u shpreh i bindur se këto veprime janë të ngutshme. Kurti tha se nuk do t’i pengojë propozuesit e ligjit, por se, krahas kësaj vote, ata duhet të marrin edhe përgjegjësinë përkatëse.
“Ka pasur shumë pak kohë për ta analizuar ligjin, sidomos kur ende nuk e kemi aktgjykimin e formës së prerë. Këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Specialen janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar sa duhet”, tha Kurti, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje do të votojë për këto ndryshime.
Ndryshimet ligjore u mbështetën nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe deputetët e pakicave joserbe, por jo nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ndërkaq, Lista Serbe nuk ishte e pranishme në Kuvend.
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se për partinë e saj “lufta e UÇK-së ka qenë e shenjtë”, por duke ngritur pikëpyetje për efektin juridik të ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara, deklaroi se LDK-ja nuk i mbështet ato në këtë formë.
“Kjo nismë mund të mos prodhojë efekt juridik dhe pasojat mund t’i mbeten shtetit të Kosovës”, tha Lushaku, duke shtuar se “rruga për ndryshimin e një aktgjykimi të Dhomave të Specializuara është ajo gjyqësore, përmes procesit të apelit”.
Çfarë parashikohet?
Me ndryshimet ligjore, ndër të tjera, parashihet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale, duke e lidhur atë me veprat specifike penale të përcaktuara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011.

Sipas ndryshimeve të propozuara, Dhomat e Specializuara do të vazhdonin të hetonin pretendimet për trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë, të përmendura në raportin e senatorit zviceran Dick Marty, mbi bazën e të cilit edhe ishte themeluar Gjykata Speciale.
Një nen tjetër i ligjit parashikon ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Gjykata Speciale, nga periudha aktuale janar 1998 – dhjetor 2000 në periudhën 1 korrik 1999 – 31 dhjetor 2000.
Po ashtu, parashihet që dënimi maksimal me burgim të jetë 15 vjet, dënimet të vuahen në institucionet korrektuese të Kosovës dhe të mundësohet falja presidenciale për personat e dënuar me vendim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara.
Ligji parashikon gjithashtu transferimin në sistemin gjyqësor të Kosovës të rasteve që nuk do të hynin më në juridiksionin e Gjykatës Speciale, së bashku me dosjet, provat dhe materialet përkatëse.
Kuvendi i Kosovës i miratoi këto ndryshime në lexim të parë vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Tani pritet leximi i dytë dhe miratimi përfundimtar.
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, nëse deri nesër në mesnatë, më 6 tetor, Kuvendi nuk e zgjedh presidentin ose presidenten e vendit, parlamenti do të shpërndahet automatikisht dhe Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.



