Nga Aleksandër Çipa-
Janë shumë shoqëri kombëtare nëpër botë që lëngojnë, aktualisht disi gjatë, në thatësirën e mendimit. Këto
shoqëri kanë zërin ankimtar të shkretimit mendor dhe sidomos; të zbrazjes dhe ikjes në një arrati të mjerimtë nga shëndeti dhe e shëndetshmja e përjetshme e klasikes.
Bëhet fjalë për një mërgim braktisës dhe harresë dramatike, nga gjeneratat e sotme, të pasurisë gravitetmbajtëse pra, asaj të antikitetit.
I kemi injoruar, nuk po I lexojnë brezat dhe po I humbasim nëpër biblioteka tekstet unike dhe të përjetshme për nga vlera dhe pesha specifike e mendimit dhe artit. Por kryesisht edhe në dijedhënien dhe nxënien aktuale arsimore nuk I ushqejmë më nxënësit e studentët, sidomos me filozofinë dhe parimet morale të antikitetit greko-romak.
Kjo e fundit, pra filozofia antike, si shtyllë e përjetshme për shoqëritë dhe familjen, është shembur, sidomos në Perëndim. Ndërkohë që aktualsiht edhe Europa po e vuan si gjëmë për shkak të humbjes së një prej këmbëve më të shëndetshme të trupit të vet shpirtëror. Eshtë humbja e njërës prej këmbëve kryesore të mendjes dhe ekzistencës identitare e cila tashmë po I shkakton dhimbje dhe pasoja sakatuese ekzistenciale dhe ardhmërie.
Nobeli i akorduar në orët e ditës së sotme, për filologen, poeten dhe shkrimtaren kanadeze Anne Carson, është një lloj blatimi për një predikuese të leximit që di të shkruaj në mënyrë unike. Kjo shkrimtare nuk e ka braktisur asnjë dekikë në jetën e vet shkruese, adhurimin ndaj antikitetit, sidomos mendimit, fjalës, artit dhe specifikisht zhanreve të letërsise antike e kryesisht asaj greke.
Kjo zonjë e mendimit, (ende e papërkthyer qoftë edhe në një libër në shqip), është një shenjë e re njeriu triumfues, për humbjen e vjetër themelore në kohën e kaosit pa brendi. Sidomos për shoqëritë shqiptare që nuk bëjnë dot së bashku një shoqëri kombëtare!
Nobeli i Anne Carson, mbase na kuriozon të shkojmë tek tekstet e saj, si njerëzi në urinë e mendimit dhe me shqipen tonë.
Nëse e bëjmë këtë, ndoshta do të mësojmë apo ndikohemi t’ia dalim që të mos shkarkojmë përditshmërisht ndotje verbale mendore, pashtershëm në atmosferën dhe hapësirën tonë publike. Kemi një mundësi të mësojmë që të mos vazhdojmë të helmojmë gjeneratat dhe shkollën tonë të re të mosleximeve.
Në kujtesën time mbetet një fragment nga “ Arkiloku” i autores, ku flet për Erosin dhe ku përcakton se si: “Një dëshirë e tillë dashurie,/ që mbështillet përposh zemrës sime…”
Zonja e Nobelit të merituar Carson, ndër veprat me pretencioze të saj ka ato për bashkëfamiljarët (Bukuria e bashkëshortit) apo “Nox”. Letërsia e sjellë prej saj është një materie kumtesh që në raportin mes së bukurës dhe përmbajtësores predikon asimetrinë në favor të së ciësishmes. Tek e fundit në kohët e kaosit dhe shoqërive jo përmbajtësore ajo preferon të mbetet konsistente në kapjen pas klasikes antike. Në të gjitha modernitetet shoqërore, kjo lëndë e së hershmes mendore të njerëzimit është më paraardhësja dhe më pasardhësja e vyer.

