Ç’mund të bëjnë demokratët amerikanë me fitoren e tyre?

8 Minuta Lexim

Nga Edon Qesari-

Se ajo që u arrit mbrëmë ishte diçka vërtet e madhe, përpos se e pashënuar në historinë e rishtë politike të tejAtlantikut.

Vështirësia më e madhe do të jetë kapitalizimi i fitores. Me shumë mençuri, demokratët rreshtuan nën të njëjtën emblemë partiake një galaksi të papërfytyrueshme kandidatësh; një shumësi individualitetesh që, pavarësisht se shpesh të papërputhshëm, i përgjigjej fare mirë kushteve dhe kërkesave lokale që kanë bashkësitë e ndryshme amerikane.

Nuk duhet harruar se ka shumë Amerika, në gjeografinë e pamat të Shteteve të Bashkuara. Dhe secila prej këtyre, ka kërkesat e veta, pavarësisht se gjendej në të njëjtin front kundërshtar të Presidentit Trump. Zotësia e demokrateve ishte t’i veçonin këto kërkesa, t’i lokalizonin, duke u dhënë një vëmendje territoriale, e të shpienin në cilëndo Amerikë të Shteteve të Bashkuara kandidatin më të përshtatshëm për të marrë përsipër përfaqësimin specifik që çdo territor kërkonte.

Pak gjëra i bashkonte James Talarico-n në Texas dhe Abdul El-Sayed-in në Michigan. Akoma mw pak kwta tw dy mund tw kishin me njw tw moderuar si Jon Ossoff nw Georgia. Partia demokratike u tregua e aftë të analizonte terrenin dhe të zgjidhte kandidatin e duhur për atë terren saktësisht.

Dhe këtu del një mësim i mirë, i cili vlen edhe përtej Shteteve të Bashkuara:

“Populli”, si nocion unitar, është një fiksion, njw trill, sa kulturor dhe politik. Në terrenin politik të një demokracie liberale, “populli” nuk ekziston. Brenda tij gjenden interesa të ndryshme dhe një larushi kërkesash dhe nevojash për përfaqësim. Demokracia është një politeizëm relativist. Dhe si i tillë, shpesh, bart kontradikta të mëdha, shpesh të patakueshme mes tyre.

Kush është i aftë të fusë sa më tepër politeizma dhe relativizma nën tendën e vet, merr më shumë vota; kush mbetet i ngushtë brenda një përfaqësimi koherent (kulturor, klasor, ideologjik etj.) do të marrë vetëm votat e atyre të cilëve u përngjan. Por kjo nuk do të mjaftojë për ta shpënë në pushtet; ngase pushtet do të thotë, pikërisht, të dalësh nga ngushtia uni-përfaqësuese dhe të shtriesh në një terren të gjerë pluri-përfaqësore.

Në kulturën politike perëndimore, një hap i tillë është shënuar që me partitë e masave, në fillim të shek. XX e po përkthehet tashmë në ato që teknikisht përkufizohen si “tent parties”. Këto të fundit janë gjithmonë e më tepër tej-ideologjike, të moderuara dhe të vagullta në piketat programore. Në një gjuhë tjetër, do të quheshin pa karakter, as të majta dhe as të djathta, ose të dyja bashkë. Njësoj si të mbash nën një tendë edhe Talarico-n, një ish-seminarist presbiteran dhe faktikisht konservator, sëbashku me El-Sayed-in, një musliman dhe haptas progresist.

Çështja është, për t’u rikthyer te kreu, se ç’do të bëjë Partia Demokratike me fitoren. Se zgjedhjet presidenciale janë shumë afër e i duhet jo më një shumësi kandidatësh territorialë por një i tillë i vetëm, kombëtar. Dhe i nevojiten gjithë votat që mund të dalin nga tërë frymët e mundshme: nga konservatorët, të moderuarit, progresistët dhe madje socialistët. Pa harruar se shumë vezë në një shportë mundet fare mirë të thyhen me lëvizjen më të vogël.

Nga ana tjetër, hallet e vërteta i ka kampi republikan: po atje, ç’do të bëhet me humbjen?

Presidenti Trump është i pazakontë në shumë kuptime. Edhe në lidhje me partinë e tij. Dhe është kjo e fundit që, e dobët siç është në përfaqësim, ka të gjithë të drejtat që të jetë e trembur nga presidenti i saj.

Trump-i ka hyrë në një fazë të presidencës amerikane që politologët e përkufizojnë si ajo e “rosës së çalë” (lame duck). Është rasti tipik i një presidenti i cili ndodhet në mandatin e dytë, pra për shkak të kufizimeve kushtetuese nuk është më i shqetësuar për rizgjedhjen, prandaj ka prirjen të jetë moskokëçarës ndaj opinionit që mund të krijojnë politikat e veta, mbase jo fort popullore, në publik.

Një “lame duck” nuk shqetësohet fort që ta marrë me të mirë zgjedhësin, e as ta bindë për masat e rrepta të një politike që mund të kushtojë vota. Aq më tepër kur, si kreu i ekzekutivit, gjendet pa mbështetjen e legjislativit, i cili tashmë është në dorë të partisë kundërshtare. Se gjithsesi ai vetë nuk do të jetë më kandidat. Ndaj, në djall të vejë aprovimi apo mbështetja popullore!

I vetmi mekanizëm zbutës, në këtë rast, është partia, e cila për shumë arsye nuk do të armiqësohet me opinionin publik. Partia do t’i mbijetojë mandatit të dytë të një presidenti, do t’i mbijetojë edhe humbjes së mundshme të një kandidati pasardhës, ndaj ka gjithë interesin që ta detyrojë një president që po shkon drejt fundit të mandatit të vet të dytë që të sillet sa më i përgjegjshëm, e të mos e armiqësojë elektoratin.

Puna ndryshon me Trump-in, i cili ka hyrë tashmë në fazën e vet “lame duck”. Sepse The Donald është i pazakonte jo vetëm për sjelljen publike, por edhe për marrëdhënien që ka me Partinë Republikane.

Ai nuk e konsideron veten si një krijesë e kësaj. Dhe në fakt nuk vjen prej radhëve tradicionale të republikanëve. Trump-i veç e ka shfrytëzuar partinë si një trampolinë për të shpënë veten në pushtet.

Për më tepër, Trump-i është i mbrujtur me një mendësi sipërmarrësi; dhe një sipërmarrës, me sipërmarrjen e vet, nuk sillet sikur një ditë do t’i përfundojë mandati, e ai nuk do të ketë më mundësi rikandidimi si pronar i saj. Çka do ta rëndojë masën e moskokëçarjes me të cilën ai, e protagonizmi i vet, do ta shohin rrezikun e armiqësimit të opinionit publik. Se një sipërmarrës nuk ka të bëjë, brenda sipërmarrjes së vet, me opinion publik; ai ka të bëjë me të punësuar, prej të cilëve pritet bindje dhe respekt për vendimet e shefit. Për fatin e keq të ndonjë republikani tradicional si Rubio! i cili duhet të bëjë llogaritë mirë, me shkretinë elektorale që mund të lërë pas Trump-i, para se të pretendojë klandidaturën republikane për zgjedhjet e vitit 2028.

E akoma më keq do të shkojë nëse shumica demokrate në Kongres (Dhomë, plus Senat) do ta vendosë Trump-in në një cep, e do t’i rrisë pressing-un politik. Se dihet që The Donald nuk kursehet hiç në agresivitet, e në paparashikueshmëri, kur e ndjen veten të sulmuar. Sidomos kur sulmi ndërmerret nga një sipërmarrje konkurente.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull