Arrestohet ish-ministri Haraqija në aksionin e Policisë për narkotikë

3 Minuta Lexim

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, është në mesin e të arrestuarve në aksionin e policisë për narkotikë, i cili u zhvillua të shtunën.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar për KOHËN, avokati i tij mbrojtës Korab Bokshi.

Ai ka thënë se Haraqija është arrestuar e më pas intervistuar nga Policia për veprën penale të narkotikëve, ku edhe i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Bokshi ka bërë të ditur se është bastisur edhe banesa e tij ku janë sekuestruar telefona dhe mjete monetare, për të cilat ka deklaruar se janë kursime të fëmijëve të tij.

“Mbrëmë është arrestuar dhe i është bastisur banesa pas mesnatës. Prokurori ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh. Gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë inkriminuese për këtë vepër. I janë sekuestruar telefona dhe disa mjete monetare të cilat janë kursime të fëmijëve të tij”, ka thënë Bokshi.

Ai tutje ka bërë të ditur se nga komunikimet me klientin e tij, ai ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje, e as nuk i njeh personat e tjerë të arrestuar e që janë të lidhur me rastin.“Sipas komunikimeve me Astritin, ai më ka treguar se nuk ka lidhje me veprën e as me personat e përfshirë. Mund t’i ketë takuar ndonjëherë për shkak të aktivitetit politik, por nuk i njeh personalisht”, ka shtuar tutje.

Bokshi ka thënë se kanë paraqitur ankesë te gjyqtari i procedurës paraprake për ta kundërshtuar masën e  ndalimit.

 

Po ashtu, janë sekuestruar rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, gjashtë vetura, përfshirë Mercedes-Maybach, Mercedes GLE, Porsche, Audi dhe VW Tiguan, si dhe telefona mobilë, pajisje elektronike e komunikimi dhe pajisje për vëzhgim.

Në mesin e provave të sekuestruara janë edhe ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve.

Astrit Haraqija ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë, gjatë periudhës 2004–2007, në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Gjithashtu, në vitin 2012 ka qenë zëvendësministër i Financave në Qeverinë e Hashim Thaçit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull