KUR NUK E BËN TI E BËJNË TJERËT!

4 Minuta Lexim
Nga Fahri Musliu-
Disa vite me radhë kam bërë përpjekje për realizimin e disa projekteve kushtuar jetës dhe veprës së aktorit më të madh shqiptar të filmit, me famë botërore Bekim Fehmiut, por vazhdimisht jam injoruar, në forma të ndryshme e premtime boshe, si nga institucionet qendrore të pushtetit ashtu edhe nga qeverisja lokale në Prizren për çka kam shkruar disa herë. Madje ish ministri i kulturës Hajrullah Çeku para katër vitesh e formoi një Grup të Punës për hartimin e projekteve konkrete, dhe pas shumë analizave e hartuam propozimin, por i njëjti as që është shqyrtuar… Madje, edhe sivjet bëra përpjekje që të shënohet 90 Vjetori i lindjes së këtij kolosi, të paktën me një akademi përkujtimore, por propozimit tim nuk iu përgjigj as Ministria e Kulturës as kryetari i Prizrenit i cili madje nuk pranoj as takim, as drejtoresha e kulturës e cila as nuk e din kush është Bekimi, por as Teatri i Prizrenit që e bartë emrin e tij. Dhe këtë e bënë tjetër.
NË BEOGRAD U SHËNUA 90 VJETORI I LINDJES SË ARTISTIT BEKIM FAHMIU me hapjen e LEGATIT
“Kinoteka jugosllave” në Beograd, në praninë e shumë artdashësve, e shënoi (të mërkurën 18 nëntor), Nëntëdhjetë Vjetorin e Lindjes së Bekim Fehmiut (1936–2010), aktorit me famë botërore dhe më të madhit në mbarë hapësirën ballkanike, me hapjen e LEGATIT kushtuar trashëgimisë së tij, të shoqëruar me dy ekspozita, të titulluara „KARRIERA DHE JETA“
Në ceremoninë hapjes, ku ishte e pranishme bashkëshortja e Bekimit, aktorja Branka dhe djali Hedoni me familjen, drejtori në detyrë i “Kinotekës jugosllave”, Aleksandar Erdeljanoviq tha se është nder i madh hapja e legatit-ekspozitë të një artisti të madh siç ishte Bekimi. Ai rikujtoi se në vitin 1987 Fehmiu “vendosi të heshtë përballë stuhive në ardhje të luftërave”, dhe se “vepra e tij do të jetojë përgjithmonë”. Shtoi se me këtë Legat, trashëgimia e Bekim i bashkohet trashëgimive të kolosëve të tjerë të artit filmik, brenda ekspozitës së përhershme të Kinotekës. Dy ekspozita, në dy nivele, njëra paraqet përzgjedhje fotografish, telegramesh, dokumente, dhurata e mirënjohje të digjitalizuara nga arkivi familjar i aktorit. Dokumentet dhe fotografitë e ekspozuara shpalosin atmosferën e xhirimeve të filmave në të cilët ai bashkëpunoi me emra të mëdhenj të kinematografisë botërore, por edhe momente të zgjedhura nga jeta e tij private. Ekspozita tjetër multimediale i kushtohet disa prej roleve më të rëndësishme të Bekim Fehmiut në filmat „Vitet e ngrohta“, „Mbledhësit e pendëve“, „Aventurat e Odiseut“, „Aventuristët“, „Dezertori“, „Koshava“, „Pavle Pavloviq“ dhe „Edukimi special“. Pas hapjes solemne, për publikun u shfaq filmi „Aventurat e Odiseut“ në regji të Frank Rosit ku Bekimi e luan rolin e Uliksit (Odiseut). Kurse gjatë tri ditëve, për dashamirët e filmave të Bekimit do të shfaqen 6 filmat më të njohur të tij, nga 50 sa ka luajtur ai në rolet kryesore ose dytësore.
Tërë ceremoninë e hapjes dhe filmin e përcollën edhe: Milazim Salihu, Afrim Spahiu dhe unë.
P. S. Kolazh me pamje nga hapja e LEGATIT

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull