47 të lënduar nga protesta në Tiranë, mes tyre një deputet, gazetarë dhe efektivë policie

1 Minuta Lexim

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka përditësuar bilancin e personave të lënduar gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë. Sipas të dhënave paraprake nga strukturat spitalore, deri në orën 21:00, në dy spitalet kryesore të kryeqytetit janë paraqitur për ndihmë mjekësore gjithsej 47 persona.

Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 36 persona, prej të cilëve 12 efektivë policie, 14 protestues, 6 gazetarë dhe 4 kalimtarë. Nga këta, një efektiv policie, tre protestues dhe një gazetar janë shtruar në spital dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Të lënduarit e tjerë kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur 11 persona të lënduar: 8 efektivë policie, një protestues, një punonjës sigurie dhe një deputet.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, të gjithë personat e paraqitur në QSUT kanë lënë spitalin me këshillën e mjekut.

Kështu, sipas bilancit të përditësuar deri në orën 21:00, numri i të lënduarve gjatë protestës së 28 Nëntorit ka arritur në 47 persona.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull