Nga Arbër Zaimi–
A bëri mirë Kurti që shkoi me Ramën në Vlorë për 28 nëntor, teksa ky i fundit përballet prej muajsh me protesta qytetare?
Po, bëri mirë, sipas pikëvështrimit tim. Bëhet mirë sa herë që bashkëpunimi zyrtar Kosovë-Shqipëri rritet.
Këta të dy nuk janë thjesht individë, por përfaqësojnë institucionet. Rama shpesh (po jo gjithmonë) ka treguar tendenca individualiste në drejtimin e institucioneve. Kurti, nga ana tjetër, përpiqet të japë shembullin se, nuk udhëhiqet nga emocione e interesa individuale në punën instituconale.
Po të ishte për arsye individuale, Kurti do të kishte boll pretekste për të mos folur fare me Ramën, ndër të tjera kujtojmë edhe presionin që Rama i ka bërë Kurtit për çështjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi apo kundër shtrirjes së sovranitetit në veriun e Kosovës. Ai presion arriti kulmin kur Rama tërhoqi ministrat nga mbledhja e përbashkët e qeverive që do të mbahej në Gjakovë, e që fatkeqësisht nuk po mbahet më, qysh prej asaj kohe.
Koha dhe puna i kanë dhënë të drejtë Kurtit për ato çështje, “Open Ballkani” përfundoi në koshin e plehrave të historisë, Vuçiqi humbi zgjedhjet, e në veriun e Kosovës tashmë është shtrirë sovraniteti ynë, të cilin e përshëndesin edhe ndërkombëtarët që dikur e kundërshtonin.
Megjithatë, Kurti nuk dëshiron dhe nuk duhet të mbajë inat apo të udhëhiqet nga ndjenja “doli e imja”. Sidomos nuk duhet e nuk mundet të mbajë inat ndaj kryeministrit të Shqipërisë, cilido qoftë ai, qoftë edhe Rama që gjeopolitikisht shpesh është vendosur padrejtësisht kundër Kurtit po edhe kundër prijësve të tjerë kosovarë. Kurti nuk e ka luksin të presë për të afruar Kosovën me Shqipërinë që të vijë koha kur Shqipëria të ketë një klasë më të mirë drejtuese. Napoleoni thoshte “Luftën nuk e bëj me ushtarët që dëshiroj, po me ushtarët që kam”. Kësisoj edhe Kurti e çdo politikan, ballafaqohet me situata kontingjente prej nga duhet të gjejë, po mundi, kombinacione që i japin zgjidhje ose udhë problemeve të trashëguara e atyre të reja që shfaqen. Politikën kombëtare Kurti nuk e bën dot me politikanët që ëndërron, por me ata që janë, ndër ta edhe Rama.
Kurti kur shfaqet i gatshëm për bashkëpunim institucional jep mesazhin: “misioni im qeverisës është politik dhe kombëtar e nuk e kam luksin të merrem me sentimentalizma”. Këtë qasje e ka treguar disi edhe më parë, me politikanë të tjerë shqiptarë në Kosovë, e jo vetëm me Ramën.
E megjithatë, a ishte e nevojshme kjo vizitë te Rama në kohë protestash? Përgjigjja për mua është e thjeshtë: Nëse nga këto vizita marrin zbatim punë konkrete, duke filluar prej hekurudhës Shkodër – Gjakovë e prej rritjes së intensitetit dhe nivelit të bashkëpunimeve në energjetikë, diplomaci, arsim e mbrojtje, atëherë vizita ishte e nevojshme.
Njësoj mendoj edhe për vizitat e zyrtarëve europianë në Shqipëri, të cilat edhe ato janë kritikuar nga disa protestues, me idenë se BE-ja nuk duhet të mbështesë Ramën. Por, a duhen parë si mbështetje për Ramën ato vizita? Dhe a kanë ato ndonjë vlerë për qytetarët, përfshi edhe protestuesit? Nëse rrjedhin sosh projekte e hapa konkretë, qoftë dhe për arsye gjeopolitike nëse jo për standarde, atëherë ia vlejnë.
Si afrimi praktik e integrimi i Kosovës me Shqipërinë, ashtu edhe integrimi i Shqipërisë në BE, janë hapa që duhet t´i hedhim e raste që duhet t´i kapim sa herë të na jepet mundësia, e jo të presim momentin kur do të na vijë politikani që duam.
Po mirë, a nuk do t´ia zgjasnin jetën në pushtet Ramës punët e tilla, psh. nëse ndërtohet hekurudha Durrës-Prishtinë apo nëse Shqipëria hyn në BE? Këtë nuk e dimë, por nuk e besoj se automatikisht zgjatet jeta e pushtetit. Fundja le të mbajmë mend se Berisha e humbi pushtetin pasi ndertoi autostradën e kombit dhe pasi e integroi Shqipërinë në NATO, suksese me impakt të madh edhe sot në jetët tona. Asokohe protestohej kundër Berishës, dhe thuhej se po të lejohej të arrinte suksese në punë të tilla, nuk do të largohej kurrë… Mendimi im është se, si atëherë ashtu edhe sot, duhet të jemi në gjendje të mbështesim përshpejtimin dhe realizimin e punëve të mira, teksa mbajmë angazhimin kritik me dështimet e politikanëve në raport me pritshmëritë shoqërore për demokraci, drejtësi e zhvillim.

