Nurie Emrullai
Ndër shqiptarë mungon kultura.
Kultura si veti e çdo qenie njerëzore, e cila duhet të ekzistojë gjithmonë, edhe atëherë kur nuk je para kamerash e përpara syve të botës.
Mungon kultura e mungon vetëdija.
Vetëdija mungon në çdo sektor udhëheqës duke filluar nga shteti, që udhëheq masën. Apo duhej ta udhëhiqte.
Me çfarë, me çfarë vetëdije e le popullin e tij të zhytet në kazanin mbushur me llum, ku gëlon depresioni, manjakizmi, përdhunimi, droga e gjitha llojet e saj, që fëmijët e populli i shkretë i mëson dhe i lakmon nëpër video të bosave dhe të “ma të mëdhejve të vendit”, të vetëquajtur këngëtarë?
A kontrollon dikush, a ka ndonjë kriter që të vendosej për publikimin e atyre këngëve, sepse miqtë e mi, fëmijët po ju edukohen përmes këngëve, të cilat shpërfaqin antivlerat e njeriut.
Që kërkon dashurinë me zor, që bëhen psikopatë, që për dashurinë vrasin e therin, që bëhen mafia për dashurinë, që shiten për dashurinë, që vriten për dashurinë…
Sa shumë e kanë larguar dashurinë nga ajo çfarë vërtetë mban ajo.
Tani meqë brezi i ri rrallë edukohet përmes librit, ta edukojmë atë shëndetshëm përmes muzikës, a kulturës, por atë të mirëfilltën, jo këtë që ekziston sot, që po na prish shoqërinë.
Sikur të ekzistonin kriteret për prodhimin e këngës.
Por çe do, që pikërisht këngë të tilla na përfaqësojnë ne si popull nëpër festivale të ndryshme. Tekstet e këngëve s’po i sjellë këtu, pasi të gjithë i keni dëgjuar, dashur a padashur.
Të gjithë jetojmë në Farenheit 451°, sepse televizioni nuk mbetet prapa gjithë kësaj, që është indikatori i parë i cili nuk sjellë asnjë vlerë, nuk bën asnjë progres në shoqëri, të vetmen gjë që promovon janë operacionet plastike dhe temat banale që i përmbushin ato orë televizive, që nuk përkon aspak me edukimin e masës.
Mjerim, mjerim, mjerim.