AMF avancon bashkëpunimin me rregullatorët evropianë, marrëveshje me Autoritetin e Maltës

3 Minuta Lexim

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka thelluar edhe më tej bashkëpunimin me rregullatorët e vendeve të Bashkimit Evropian, duke nënshkruar së fundmi një marrëveshje me Autoritetin e Shërbimeve Financiare të Maltës. Marrëveshja vjen në kuadër të ekspertizës dhe përfitimit të praktikave më të mira mbikëqyrëse e rregullatore, edhe në funksion të negociatave të anëtarësimit në BE, ku AMF udhëheq kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”.

Marrëveshja e Bashkëpunimit u nënshkrua gjatë vizitës në Maltë të Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit, Ervin Mete, ku ai mori pjesë në një sërë takimesh me drejtues të Autoritetit maltez, Guvernatorin e Bankës Qëndrore të Maltës, etj.

Në fjalën e tij, Z. Mete u ndal te rëndësia e bashkëpunimeve të tilla për Autoritetit, në kuadër të negociatave të nisura të anëtarësimit. “Me hapjen e negociatave me BE-në, Shqipëria është angazhuar në negocimin e kapitujve, ku Autoriteti udhëheq kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”. Në këtë drejtim, është me rëndësi të veçantë vendosja e urave të bashkëpunimit me rregullatorët evropianë, për të përfituar nga eksperienca dhe asistenca e tyre si në funksion të përafrimit me legjislacionin e BE-së, ashtu edhe sa i përket avancimit drejt praktikave më të mira të mbikëqyrjes. Si një nga vendet e para të BE-së që ndërmori rregullimin e shërbimeve financiare të ofruara përmes teknologjisë së regjistrave të shpërndarë, Malta ka një ekspertizë të thelluar në këtë fushë, e cila mund t’i shërbejë më së miri edhe Shqipërisë.”

Drejtoresha Ekzekutive e MFSA-së, znj. Michelle Buontempo, nënshkruese e marrëveshjes për palën malteze, shprehu gadishmërinë për të mbështetur Autoritetin, si edhe vlerësoi se bashkëpunimi mes rregullatorëve është kyç përkundrejt zhvillimeve të vrullshme teknologjike dhe ndërlidhjes së tregjeve financiare. “MFSA do t’u japë të gjithë asistencën e nevojshme kolegëve shqiptarë, në funksion të harmonizimit të rregulloreve me kuadrin ligjor evropian. Gjithashtu, shkëmbimi i informacionit dhe praktikave më të mira do të na shërbejë në arritjen e qëllimit të përbashkët për një mbikëqyrje sa më efektive të tregjeve financiare.”

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka marrëveshje bashkëpunimi me disa nga rregullatorët e vendeve të BE-së, me të cilët shkëmben në mënyrë të rregullt informacion në funksion të një mbikëqyrje sa më efektive. Ndërsa me Autoritetin Austriak zhvillon në mënyrë periodike inspektime të përbashkëta, kryesisht për shkak të pranisë së kompanive austriake në tregun e sigurimeve në Shqipëri. Së fundmi AMF ka aderuar në grupin e vendeve nënshkruese të Memorandumit Shumëpalësh të Bashkëpunimit të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS). Gjithashtu kjo e fundit po realizon një proces të gjerë përputhshmërie të bazës ligjore, rregullatore, praktikave të licencimit, mbikëqyrjes, etj, në përfundim të së cilës do të analizohet i gjithë progresi i bërë nga AMF në dhjetëvjeçarin e fundit, kohë kur është realizuar vlerësimi i fundit i këtij lloji.

 

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull