Qytetarët serbë nga veriu i Kosovës po grumbullohen dhe po vendosin barrikada në rrugë sikurse muaj më parë, raportojnë mediat e Kosovës në gjuhën serbe në Veri.
Siç raportojnë ata nga Leposaviçi dhe Mitrovica e Veriut, arsyeja është se Dejan Pantiç, i cili ishte pjesëtar i Policisë së Kosovës, është arrestuar të shtunën në pikën kufitare në Jarinje, ndërsa serbët nuk duan të lejojnë që i arrestuari të dërgohet në Prishtinë.
“Një numër i madh i qytetarëve u mblodhën në hyrje dhe dalje nga Leposaviqi, si dhe disa qindra qytetarë u mblodhën edhe në Rudar afër Zveçanit, si dhe në Serbovc”, raportohet.
Gjithashtu, sirenat e alarmit janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut.
Albanian Post ka provuar të kontaktojë me Policinë e Kosovës, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm në telefon.
Ndryshe, Policia e Kosovës, pas situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës ditëve të fundit, ka shtuar prezencën e saj në këtë zonë ndërsa pjesëtarë të Policisë kanë filluar patrollimin në këmbë, përkatësisht në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.
Megjithatë njësitet policore gjatë patrullimit kishin hasur në rezistencë të grupeve të ndryshme të armatosura dhe të maskuara. Si pasojë e kësaj një polic i Kosovës gjatë patrullimit në Veri ishte plagosur të enjten, por gjendja shëndetësore e tij është stabile.
Rritja e forcave policore atje, ka ardhur pas rastit në zyrat e anëtarëve komunalë zgjedhorë, pasi përkundër se në përcjellje të policisë ata nuk u lejuan të futen në vendet e tyre të punës.
Në anën tjetër komuniteti ndërkombëtar, më saktësisht Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ambasadori amerikan dhe ai gjerman në Kosovë, kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve në këtë fazë në Veri.