Dinjiteti shqiptar dhe torturat serbe në 13 burgje

14 Minuta Lexim
Intervistë me z.Rexhep Gali Balidemaj
Nga Orest Çipa
Barra e rëndë e viteve, ja ka ngadalësuar pak hapin, deri në çapitje, ja ka tkurur kraharorin e tij prej malësori, ja ka zbardhur flokët, por s’ka mundur dot t’ja shuaj zjarrin e shkëlqimit të syve, mprehtësinë e mendimit dhe hijen e kësaj “race” të rrallë burri.
Edhe pse ai sot është 100-vjeç, Bac Rexhep Balidemaj, e ruan me kokëfortësi vitalitetin dhe fisnikërinë e kreshnikëve shqiptar.
Udhëjeta e tij një shekullore është dëshmia më e gjallë e plagëve të cilat ende lëngojnë nën lekurën e drobitur të Kombit tonë.
Kjo frymë e zjarrtë shqiptari, na jep dritë nga erësira e gjakosur e së shkuarës, që ende, vardiset në dhimbjen e mijra dhimbjeve të trashëguara brez pas brezi deri në ditën që do kryhet amaneti.
Ai na priti ashtu siç e do zakoni!
-“Burri e pret mikun dhe hasmin tek pragu i derës dhe e fton në vatrën e tij. Apo e kam gabim burra”?!
-“Për atë nder burri, ashtu është Baca Rexh”!- Ja ktheu miku im Qazim Doda.
Pasi shtrënguam duart dhe hymë në derën e këtij “martiri” të gjallë vuajtjesh, syt më shkuan tek Kanuni i Lekë Dukagjinit.
Ç’farë kontrasti i bukur! Ky plak virtuoz 100-vjeçar i cili jeton prej 30-vitesh në Nju Jork ende e do pranë këtë libër të “shenjtë” të malësorve shqiptar.
Bac Rexha u ul në divan. Pas supeve të tij ishte e hedhur një lekure e rregjur bagetie (zakon i trashëguar në breza ), në krahun e majtë, ishte një sklupturë e heroit legjendar Adem Jashari. Pak më aftër, në të djathtën e tij, ishte një lahutë e gdhendur bukur. Pasi morri fryme thellë, e rrëmbeu lahuten dhe nisi të na këndoje një kënge mikpritjeje.
O Mirë se ardhe o burr i Labërisë / ma ke gëzue shpirtin e konakun/ e gjithmon i gëzoftun kiofsh/ si shkipja me flamurgjakun/ o burr i Labërisë , o shqiptari burr/
Kiofsh në jet e mot, i fort si i y’ni gur/.
Unë u përhumba në një botë tjetër…
Më ishte kënduar qysh në djep vëndçja shqiptare (polifonia) e sot që jam 34-vjeç më këndohej me lahutë! Tingujt e lahutës të cilat përftoheshi duke i rënë kordhës me hark, më dritheronin lëkurën. Qazimi më kallzoi se Baca Rexh e dinte përmendësh të gjithë Lahutën e Malcis së Atë Gjergj Fishtës, po ashtu, herë pas here ai këndonte me lahutë dhe e kishte si ilaç për të mos humbur në meditimin e moshës. Ky plak fisnik nuk ditka vetëm të durrojë rropatjet dhe torturat e shkjahut, por ditka të ngrejë lart traditën, kultin e të parëve, historinë dhe ngjarjet e lavdishme të eposit tonë. Pasi përfundoi këngën e përqafova me dashuri të madhe dhe nisa ta pyes.
Sa vite mban mbi supe Bac?
Kam lind më 19 dhjetor të vitit 1922 në fshatin Martinaj të Gucisë.
Aty kreva edhe shkollën fillore, ndërsa gjimnazin siç quhej atëherë e bëra në Plavë në gjuhën serbe, pasi asokohe nuk kishte asnjë shkollë që jepte mësim në gjuhën shqipe.
Si mësove ta shkruash shqipen?
Ishte rastësi e bukur e cila më ndryshoi komplet rrjedhën e jetës. Në vitin 1941 vendlindjen time e vizitoi Ministër i Shtetit, Qazim Koculi (atëhere ishte qeveria kolaboracioniste shqiptare). Mesa duket në atë periudhë patriotët shqipar kanë dashur të arsimojnë individe të veçantë nga trojet e mbetura jashtë kufijve te Shqipërisë. Më kujtohet se Ernest Koliqi ka qenë përgjegjës i 200-mësonjësve të këndimit të shqipes. Me një letër të posaçme që Ministri më dha, unë shkova në Tiranë dhe u regjistrova në gjimnaz.
Në këtë periudhe u njoha me Qemal Stafën e patriotë të tjerë, ku së bashku morëm pjesë në disa aksione antifashiste. Më pas, në verën e 43-shit u ktheva në vendlindje, ku u angazhova në lëvizjen rinore të Plavës e Gucisë. Në vjeshtën e po atij viti, u regjistrova në aradhat partizane me të cilat luftova deri në Trieste të Sllovenisë.
Ç’ndodhi në jetën tënde pas çlirimit të Shqipërise ?
Isha i etur për dije, mu krijua mundësia të shkoja në Beograd, aty bëra kursin për shifrant. Punova për pak vite në Gardën e Titos por isha i lodhur duke mbajtur pushkën mbi supe, doja diçka më shumë, doja dije. Në vitin 1946 së bashku me një grup kolegesh fituam të drejtën për të studiuar ne Kiev të Bashkimit Sovjetik (në atë periudhë). Ne ishim klasa e parë nga Ish-Jugosllavia që do trajnoheshim për tu bërë pilot. Aty qendrova 2-vite. Kishte student nga e gjithë bota. U njoha edhe me shumë shqiptarë të cilët i ndihmova dhe ju gjetëm pranë njëri-tjetrit. Në vitin 1948 pasi përfundova kursin u punësova si pilot ushtarak në Zemun, një qytet afër Beogradit.
Ç’ndodhi më pas?
Këtu nis një kapitull tjetër i jetës time.
Në një poezi që kam shkruajtur dikur po ju kujtoj vetëm esencën e saj me një fjali:
“Në këtë udhë që kisha hekun / u degëzue në dy rrugë t‘jena/ njëra ishte me lule, tjetra ishte me therra/“. -Mu desh të zgjidhja rrugën e dytë!
Po në vitin 1948 me prishjen e marrëdhënieve pas Rezolutës së Informbyrosë, kur u prish Titua me Stalinin, u mbyll hermetikisht edhe kufiri me shqipërinë dhe për 45-vite nuk kam shkuar më. Këtu u përcaktua për mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, sepse në anën e rezolutës ishte Shqipëria. Kur u morra në pyetje, si shqiptar, donin të dinin për bindjet e mia pas prishjesh së Jugosllavisë me Rusin. Unë isha i brumosur me ndjenjë patriotike. Ne të “trojeve” e donim Shqipërinë deri në vdekje. Ju thashë me bindje të fortë se më kë ishte Shqipëria isha dhe une. Pas kësaj përgjigje u arrestova si Informbiro-ist dhe u dënova me 6-vite burg. Dënimin e vuajta në burgun më famëkeq të ish-Jugosllavisë në Goli Otok. Burgu ishte një tmerr i vërtet! Kur skam për ta harruar.
Ç’ka të kujtohet nga burgu?
Më mirë pyet këtë lekurë e këto kocka (e më buzqesh)
Cilat kanë qenë torrturat më të veshtira që keni ndier? Dhimbja më e madhe ka qenë dhimbje fizike apo dhimbje shpirtërore?
Ç’do i burgosur politik në burgjet e regjimit Serb ka përjetuar tortura të tmerrshme dhe në fund shumë nga ne kanë vdekur nga ato tortura mizore. Presioni psikologjik ka qenë i tmerrshëm, dhunimi ynë ka qenë nga më brutali. Rahjet ishin të shpeshta një apo disa herë në ditë. Kishte mungës ushqimi, uji dhe ka qenë një i ftohtë i madh që të bënin ta humbisje shpeshherë vetëdijen. Kur gardianët lodheshin duke na rrahur, na detyronim të bartnim gurë të rëndë tërë ditën. e shqiptarët kemi lindur për vuajtje. Nuk dua të zgjatem tek torturat sepse janë të shumta (rrudh vetullat). Shumë shqiptarë kanë dhënë shpirt për së gjalli në ato burgje! Sot , këta politikanët tanë po e shesi vendin për pushtet.. ( shpreh dhimbej)
Në hetuesi më së shumti jamë malltretur nga UDB-ashët shqiptarë. Edhe serbët më mundonin shumë, ndërsa malazezët ishin pak më të përmbajtur. UDB-ashët shqiptarë më urrenin se e doja Shqipërinë dhe flisja edhe para tyre kundër Jugosllavisë. Ata ishin të betuar për atë shtet dhe e merrnin shumë personale.
Po pas burgut ç’ndodhi?
Burg pas burgut e burg pas burgut ..(qesh sërish).
Kam qenë gjithsejt në 13 burgje në vende të ndryshme në ish-Jugosllavi. Pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1956-të u ktheva në vendlindje. Mirëpo, ndonjëherë liria është më zi se burgu.
Tani më ishte qepur nga pas UDB-ja.
Një rast i rëndomë në fashtin e lindjes ku unë dola në mbrojtjen e një fshtarit tim të cilin UDB-a e kishte nën vëzhgim u penalizova bashkë me të. Kjo mjaftoi që në bazë të nenin 133 të akuzohesha për propagandë armiqësore dhe mu privua liria ime me 3-vite burg, të cilat i vuajta në burgun e Kotorit.
Një rast i tillë me bëri të kuptoja se propaganda serbe kishte arritur të asimilonte pothuajse 80-përqind të popullsise shqiptare. Më kujtohet se kur isha i ri ngaqë këndoja mirë prifti ortodoks donte të ma bënte emrin nga Rexhep në Ranko. Por, në rastin që u tregova pak më parë, ishte dakordësimi100-përqind me votë i fshatarëve të mi që unë të shkoja në burg. Ata u pyetën në atë mbledhje se kush është për ta dënuar Rexhep Balidemajn. Unë disi e kisha një besim të plotë se të paktën do të mbrohesha nga njerëzit e mi sepse e ngrisja zërin për të drejtat e shqiptarëve por ndodhi e kundërta dhe u habita se si disa prej tyre i kishin ngritur nga dy duar që të dukeshin se janë më shumë. I joti ta kall datën!
Po pas lirimit nga ky dënim, si i kishe punët?
Keq e mos më keq. S’kisha ku të shkoja u ktheva në vendlindje. Ca njerzit e mi më ndihmuan të filloja punë si rojtar pyjesh. Por edhe këtu nuk kisha mundësi të merrja frymë! Sërish kisha nga pas UDB-në! Pas tre vitesh i lirë i thënçin, më arrestojnë përsëri. Kësaj here më dënuan me dy vite burg, në ishullin Gërgur. Pasi u lirova, ishte e vështirë të gjeja punë, mbeta disa vite pa punë. Pastaj ika në Kosovë. Në këtë periudhe kam qenë i martuar dhe kisha dy fëmijë. Disa dashamirës të familjes, që kishim edhe lidhje gjaku të cilët jetonin dhe punonin në Prishtinë, më punësuan në ndërmarrjen “Ramiz Sadiku”, ku punova deri në vitin 1981. Prej aty, pa kaluar shumë kohë u angazhova me demonstratat e studentëve të po atij viti dhe përsëri u prangosa nga policia serbe. Kësaj here më çuan në burgun e Lipjanit. Ky burg nuk zgjati shumë, gati dy muaj. Aty u njoha me veprimtarët e rinj të çështjes së shqiptarëve të Kosovës dhe u angazhova në të famshmen “Lëvizja Treshe”. Isha i madh në moshë, mirëpo vuajtjet e këtyre viteve më kishin bërë më të fortë. Në vitin 1983 u arrestova përsëri dhe u dënova me 5-vite burg. Në këtë periudhë gjerat kishin ndryshuar, unë kisha një emër, isha “veteran” burgjesh (qesh)!
Për fatin tim të mirë kësaj rradhe më mori në mbrojtje avokati i njohur Bajram Kelmendi, dhe pas disa përpjekjeve të tij me ndërkombëtarët, dënimin u zbritën nga 5-së në 3-vite burg, të cilat i mbaja në burgun e Prishtinës, Gjurakovcit dhe Gjilanit. Pas këtij burgu i bëra dhe dy muaj të tjera brenda se kështu ishte shkruar për mua. Kush e do atdheun vuan!
Mirëpo, isha i nderuar që kisha bashkëpunim të ngushtë me Rexhep Malajn, Nuhi Berishen e Afrim Zhitinë. Të tre kanë rënë heroikish në luftë kundër pushtuesit Serb, dy të parët në vitin 1984 dhe Afrimi u vra në vitin 1989. Në Kosovë veprohej në systemin e treshit (siç ua thashë) dhe në këtë mënyrë i shpëtonin të tjerët edhe nëse ndonjëri arrestohej nga UDB-ja.
Unë isha kryefortë për bindjet e mija patriotike, se e doja Shqipërinë. Por nëse je patriot të rëndonte barra e vuajtjes dhe mbijetesës, e cila ti stërgjat mundimet dhe të vë në provë të madhe dinjitetin. Por, nëse je burr, asgjë nuk ta nënshtronte dot shpirtin!

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull