Sa ndikim ka Kina, në Shqipëri?

6 Minuta Lexim

Një studim i ri mbi ndikimin global të Kinës e vendos Shqipërinë në fund të listës.

Ndërsa, Pakistani, Kamboxhia dhe Singapori janë përkatësisht në vendin e parë, të dytë dhe të tretë si “më të ekspozuarat” ndaj ndikimit të Pekinit.

Ndër 10 vendet më të ekspozuara ndaj ndikimit nga Kina, tetë janë në Azi.

Paraguaj, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria u renditën si “më pak të ndikuarat”.

Indeksi i Kinës 2022 eksploron ndikimin e Kinës në 82 vende duke u kërkuar ekspertëve t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me aktivitetet e Kinës në vendin e tyre.

Studimi u krye dhe u publikua nga rrjeti China in the World (CITW), një iniciativë e grupit kundër dezinformimit me bazë në Tajvan, “Doublethink Lab”.

Raporti bëri pyetje në nëntë fusha për të vlerësuar ekspozimin e secilit vend ndaj ndikimit kinez.

Fushat përfshinin median, akademinë, ekonominë, shoqërinë, ushtrinë, zbatimin e ligjit, teknologjinë, politikën e brendshme dhe politikën e jashtme.

Disa nga aktivitetet e Pekinit jashtë vendit përfshinin udhëtime me pagesë për zyrtarë qeveritarë, bursa për studentë, trajnime gazetarie, financime kërkimore, tregti, investime dhe bashkëpunim ushtarak.

Matja e ndikimit të Kinës

Raporti mat ndikimin përmes tre treguesve, ‘ekspozimit’, ‘presionit’ dhe ‘efektit’.

Ekspozimi ndaj iniciativave të Kinës jashtë vendit e bën një vend të prekshëm ndaj ndikimit të Kinës, për shembull, varësia ekonomike ose marrja e përfitimeve të tjera.

Sa ‘presion’ ushtron Kina mbi një vend të caktuar përfshin veprime të drejtpërdrejta ose të tërthorta nga Pekini me synimin për të ndryshuar sjelljen e njerëzve.

Ndikimi aktual ose shkalla në të cilën një vend përshtat kërkesat e Kinës, përshkruhet si ‘efekt’ në studim.

Shqipëria, një nga vendet më pak të ekspozuara ndaj ndikimit të Kinës në Indeks mori një vlerësim 16 për qind për ekspozimin, 10 për qind për presionin dhe 5 për qind për efektin.

Megjithatë, raporti thotë se këto përqindje nuk sugjerojnë një shkallë nga një nivel ‘plotësisht i ndikuar’ prej 100 për qind.

Përqindjet shprehin rezultatin e vendit nga shuma totale e arritshme bazuar në treguesit për çdo fushë.

Sipas raportit, ndikimi i Kinës në Shqipëri është më aktiv në fushën e medias, teknologjisë, politikës së brendshme dhe ekonomisë.

Disa ekspertë kanë ngritur pyetje në lidhje me metodologjinë e përdorur për përpilimin e Indeksit të Kinës 2022.

Tim Ruhlig me bazë në Berlin i Këshillit Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë ndihmoi në mbledhjen e të dhënave nga Suedia për indeksin tha se ishte e paqartë kur një “ekspozim” do të konsiderohej i fortë apo i dobët.

Shen tha për të standardizuar rezultatet, studiuesve iu kërkua të siguronin shënime shtesë dhe prova të ekspozimit të cilat “Doublethink” i rishikoi kundër kritereve të veta për të vlerësuar me saktësi nivelin e ekspozimit.

Investimet

Moszhvillimi ekonomik dhe reduktimi i kapaciteteve demokratike, si dhe qasja e rezervuar dhe prania e pamjaftueshme e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, i kanë mundësuar Kinës që të pozicionohet si një faktor i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor.

Kështu shkruhej në prezantimin e studimit të Qendrës Forenzike Digjitale (DFC) mbi praninë dhe ndikimin e Kinës në rajon.

Analiza nxorri përfundimin se Ballkani përfaqësonte një trampolinë dhe një urë për vendosjen e pranisë së rëndësishme ekonomike kineze në Evropë.

Shteti i vetëm që kishte shënuar rënie të investimeve kineze ishte Shqipëria.

Ndikimi më i fortë i Kinës ishte i dukshëm në Serbi, ndërsa Mali i Zi është një nga tetë vendet më të rrezikuara me prani kineze.

Kina ka nisur fuqishëm të investojë në Maqedoninë e Veriut, por nuk ka arritur të mbajë ndikim të rëndësishëm.

Në Bosnjë dhe Hercegovinë, më saktësisht në Republikën Srpska, është i pranishëm një numër i madh i investimeve kineze në infrastrukturë.

Sipas të dhënave që kanë dalë nga studimi, më shumë se gjysma e investimeve të kompanive kineze në Evropë, janë të vendosura pikërisht në Ballkanin Perëndimor.

Sipas DFC-së, Shqipëria është një nga vendet e pakta në rajon me rënie të investimeve kineze në pesë vjetët e fundit.

Por, pavarësisht se Shqipëria i ka sytë qartësisht nga Perëndimi, Kina nuk u spraps.

Në fund të tetorit të vitit 2021, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, vizitoi Shqipërinë.

Pekini zyrtar në fakt, e ka mirëpritur rritjen e tregtisë me Tiranën – Kina është vendi i tretë për sa i përket importeve të Shqipërisë, pas Italisë dhe Turqisë.

Gjiri Adriatik i Shqipërisë, është po ashtu një objekt interesi për iniciativën e një rruge kineze drejt Mesdheut.

Historia gjithashtu, bën të vetën. Një epokë e ndjeshme e komunizmit, i lidhi dy vendet së tepërmi me njëra-tjetrën.

Pavarësisht se lidhjet u prishën asokohe, kujtesa historike mbeti dhe ajo vijoi më pas me daljen shqiptare drejt demokracisë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull