Madridi, destinacioni i këtij fundviti për regjisoren shqiptare Xhanfise Keko

10 Minuta Lexim

Lajmi që Filmoteka Spanjolle kërkoi të shfaqte këtë fundviti filmin “Kur xhirohej një film” të regjisores Xhanfise Keko është një lajm i bukur jo vetëm për autoren por dhe kinemanë shqiptare. Pas Parisit, Romës, Vjenës, Kopenhagës, Londrës, Berlinit, Frankfurtit, Zyrihut apo atyre më larg si Tel Avivi, Jerusalemi, Sao Paolo, New Yorku e Washington DC, Madridi është një tjetër kryeqytet që i bën nder listës së qyteteve dhe kryeqyteteve evropiane e botërore, kinematekat e të cilëve kanë treguar dhe tregojnë interes për krijimtarinë e regjisores shqiptare.

Pjesë e programit “Nga lindja: Gratë kineaste dhe Perdja e Hekurt (1943-1993)”, filmi “Kur xhirohej një film” u shfaq mbrëmjen e 16 nëntorit në sallën kryesore të Filmoteca Espanjola ku do të ketë edhe një tjetër projeksion në 16 dhjetor.

Referuar çka shkruan në tekstin hyrës të katalogut të Filmoteca Espanjola për muajin nëntor kuratorja e programit Dorota Lech, ( programuese kryesore e Toronto Film Festival dhe disa Cinematekave evropiane ), po veçojmë:

“Eshtë fakt që filmat e realizuar nga gratë kineaste të Evropës Lindore në periudhën ndërmjet Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Bashkimit Sovjetik, nuk janë të shumtë në numër, megjithatë, historitë e grave në të gjithë ato vite janë të panumërta. Ky cikël, “Nga Lindja: Gratë kineaste dhe Perdja e Hekurt (1943-1993)”, është një udhëtim në veprat e dhjetë grave kineaste midis viteve 1943 dhe 1993 nga vende si Shqipëria, Gjeorgjia, Letonia Ukraina, etj, dhe përfshin emra regjisoresh po aq të shquara sa Kira Muratova, Binka Zhelyazkova, Márta Mészáros, Věra Chytilová e Larisa Shepitko. Disa prej tyre, deri më sot të paprezantuara në sallat spanjolle e të panjohura për publikun spanjoll. Duke mbuluar një gamë kaleidoskopike qasjesh, nga satira absurde deri te guximi formal i avangardës, ky cikël tregon se filmi ka qenë prej kohësh një shprehje e rezistencës. Këto filma ofrojnë jo vetëm pamje të përditshmërisë të jetës së grave në këtë kohë, po tregojnë edhe botën krijuese që jetonin këto kineaste, duke nënvizuar guximin dhe talentin e artisteve të cilat u përpoqën t’i jetësonin vizionet e tyre përpara pengesave të panumërta, të dukshme dhe të padukshme. Filmat e përzgjedhur janë të ndryshëm dhe tregojnë dhe riimagjinojnë histori personale dhe kolektive. Qoftë duke thirrur të kaluarën apo duke spekuluar për të ardhmen, të gjitha ato janë një zgjatim i botës dhe vizioni i krijuesit. Ky cikël ofron një plejadë të filmave që portretizojnë gjatë gjithë kohës jetën në vendet, rajonet, periudhat kohore dhe klasat, por është e rëndësishme të theksohet se, edhe pse veprat në këtë cikël janë të pasura dhe zbuluese, ato nuk mbulojnë më shumë se një pjesë të tregimeve të kësaj periudhe. Si pasojë, ai nuk pretendon të flasë për tërësinë të përvojave të grave gjatë këtyre viteve. Rrëfimet individuale të fitores, humbjes, triumfit dhe tmerrit të dëgjuara në tavolina, në shtëpi, në rradhët e tregut, gjithashtu meritojnë të tregohen, dhe ruajtja e këtyre artefakteve të historisë sonë të përbashkët është thelbësore për riprogramimin e hierarkisë të imazheve, të cilat tradicionalisht braktisin perspektivat e shtypura. Historitë që kanë mbijetuar janë më shumë se pëshpëritje të mbijetesës sonë të përbashkët.

Sigurisht që, dijetarët nuk e dinin dhe parashikonin rënien e BRSS dhe fundin e pushtimit sovjetik të Evropës Lindore. Por megjithatë, pas perdes së hekurt për të gjithë bllokun lindor, askush nuk mund ta shihte më mirë se gratë që rajoni ishte në prag të kolapsit, i ndarë vërtet me kufij, por i bashkuar në betejat e tyre. Socializmi shtetëror u përpoq të siguronte që gratë të ishin të barabarta në të gjitha aspektet, por kjo ishte një gënjeshtër. Gratë qëndronin në radhë për ushqim çdo ditë, ndërsa shkonin në punë me orar të plotë, dhe shpesh ishin kujdestaret kryesore për familjet dhe komunitetet e tëra. Të njëjtat gra jetonin privatisht nevojat bazë. Edhe pse mbijetesa ishte në fakt, një luftë e vazhdueshme, kolapsi i sistemit ecte paralel me rutinën e përditshme të atyre që luftuan për të mbajtur veten. Kjo vazhdoi gjatë edhe se ishte plotësisht e turpshme. Tashmë për fat, kjo kohë ka kaluar”.

Dhe në vijim, kur vjen radha e prezantimit të regjisores Xhanfise Keko dhe filmit të saj “Kur xhirohej një film”, specifikisht ajo shkruan: “Trajtimi i temës së pa eksploruar të divorcit, konsiderohej tabu në atë kohë në Shqipëri për shkak të pikpamjes negative që mendohej se ofronte për shoqërinë socialiste. Regjisorja Xhanfise Keko, e cila xhiroi njëmbëdhjetë filma artistikë mes viteve 70 dhe 80, në shumë raste u fokusuara në jetën dhe këndvështrimin e fëmijëve dhe ishte një nga pak kineastët e kësaj periudhe që arritën të shfaqin filmat përtej kufijve të vendit të tyre”.

Dhe kjo është e vërtetë. E mirënjohur në Shqipëri nga të gjithë si një nga përfaqësuesit më të spikatur të kinemasë shqiptare dhe padyshim më e shquara e filmit për fëmijë, Xhanfise Keko i realizoi filmat e saj në vitet 70 – 80 apo në kohën më të egër dhe më të vështirë për artin në Shqipërinë komuniste. Siç dihet, Shqipëria ishte vendi më i mbyllur në Europë dhe artistët ishin të detyruar të operonin brenda idelogjisë komuniste të kohës. Megjithatë, ajo me shumë inteligjencë gjeti mënyrën për të anashkaluar kanunet e dogmës. Duke transferuar këndin e vështrimit tek fëmijët ajo mundi jo vetëm të mbijetojë, po edhe të trajtojë me shumë finesë tema tabu për kohën dhe të patrajtuara më parë, ndërkohë që përmes universialitetit të botës së fëmijëve mundi t’u dërgojë sinjale dhe mesazhe të rriturve. Ja pse Xhanfise Keko konsiderohet një nga zbulimet e dhjetëvjeçarit të fundit të kinemasë botërore nga britaniku Mark Cousins, një emër mjaft i njohur ky si regjisor dhe kritik filmi. Në vitin 2013 ajo është pjesë e dokumentarit të tij “A story of children and film” mes 100 regjisorëve nga gjithë bota që kanë trajtuar në film temën e fëmijëve dhe ku Mark Cousins e përcakton regjisoren shqiptare si një nga autorët më interesantë. Po ashtu, në vitin 2017 në dokumentarin dedikuar autoreve gra “Woman make film” ai evidenton edhe një herë vlerat e regjisores shqiptare duke analizuar tre nga filmat e saj.

Ndërkohë, duhet thënë se nga viti 2013 disa nga filmat e realizuar prej regjisores Keko po jetojnë një jetë të dytë me shfaqet në USA, Kanada, Francë, Britani e Madhe, Itali, Israel, Austri, Çeki, Kroaci, Rumani, Zvicër, Gjermani, etj. Këtu do të veçonim interesin e treguar nga Instituti Britanik i Filmit ( BFI ) për prezantimin e filmit të saj më të njohur “Tomka dhe shokët e tij” në ambientet e këtij instituti si dhe shfaqjen e tij më pas në mbi 20 qytete të UK gjatë vitit 2014, apo kanali televiziv amerikan TCM ( Turner Classic Movies ) i cili në 20 tetor 2020 pas shpalljes së regjisores Xhanfise Keko “regjisorja e javës” dhe prezantimit të saj nga regjisorja e mirënjohur amerikane dhe fituese çmimit Oscar, Kimberly Peirce, shfaqi për shikuesit filmin “Tomka dhe shokët e tij”.

Me mjaft interes janë pritur nga shikuesit dhe mendimi kritik po ashtu edhe tribjutet e organizuara për regjisoren Xhanfise Keko nga Sinemateka e Kopenhagës ( Danimarkë ) – 2018, Muzeu i filmit në Vjenë ( Austri ) – 2019 dhe festivali Aliçe Nella Çita në Romë ( Itali ) – 2021 ku janë shfaqur disa nga filmat e autores.

Të njejtin interes duhet thënë kanë treguar këto vite edhe studiuesit Bruce Williams ( USA ) e Thomas Logoreci ( USA ) me studimet e tyre për autoren dhe krijimtarinë e saj, botuar në revistat më prestigjioze kinematografike në botë si “Sight & Sound” dhe “Variety”.

Dhe duke qenë në ditët e fundit të vitit 2022, natyrshëm lind pyetja, po viti 2023 çfarë do të ofrojë për regjisoren shqiptare? Falë përkushtimit dhe punës së artistit Genc Përmeti i cili është dhe distributor i regjisores Xhanfise Keko dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë filmike “SKA-NDAL” që gëzon të drejtat e autores jashtë territorit të Shqipërisë, destinacioni i fillimvitit do të jetë Beogradi, sinemateka e të cilit do të organizojë tribjutin e radhës për regjisoren shqiptare. Janë tre ditë tërësisht shqiptare pasi do të shfaqen tre filma të regjisores Xhanfise Keko dhe dokumentari “Koha e Pelikulës” i regjisorit Mevlan Shanaj, dedikuar aktivitetit dhe personalitetit artistik të regjisores.

Madridi, destinacioni i këtij fundviti për regjisoren shqiptare Xhanfise KekoMadridi, destinacioni i këtij fundviti për regjisoren shqiptare Xhanfise KekoMadridi, destinacioni i këtij fundviti për regjisoren shqiptare Xhanfise KekoMadridi, destinacioni i këtij fundviti për regjisoren shqiptare Xhanfise Keko

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull