Tonine Hido
Vlerësim i librit ‘’ Mukajt dhe Papavangjelajt’’ me autor Vasil Muka
26 nëntor 2022
Si lexuese me ‘’syze të forta’’ pleqërie, them në këndvështrimin tim modest që
libri i nxënësit, mësuesit, kolegut tim Vasil Muka më kënaqi së tepërmi për vlerat
e shumta që përcjell, sidomos, për mesazhet e vlerave njerëzore, për të cilat kemi
shumë nevojë gjithë kohën, sidomos tani.
Libri më ktheu dhe mua, si fëmijë që regjistron çdo kujtim, çdo relike, çdo
shenjë të hapave në jetën tonë dhe m’u duk që Vasili (Cilja- i riu) kishte varur në
të dy veshët degën dyshe të qershive në stinën e tyre, për të shijuar sa më gjatë
’’në dy veshët’’ zërat e hershëm dhe gjer tek të rinjtë, me qëllimin e mirë, të
pafajshëm që të gostisë edhe lexuesit e të këndojmë sejcil për jetët tona si dikur :
‘’Dy qershi lidhur në degë/ shije mollë, shije shegë/ janë fruta nazelie/ për gliko
nikoqirie/…
Qesha me vete, se përfytyroj në çdo rresht të kujtimeve të autorit plot vlera
njerëzore, përjetimet e brishta, çiltërsinë e moshës që nuk di të gënjejë. Çmoj e
mat pulsin e një fisnikërie si ADN-ja e rrënjës familjare të Tij, me drejtpeshimin e
nevojshëm këto raste, pa mburrje dhe ‘’dëngla’’, por vetëm fakte, sepse e
‘’vërteta’’ thuhet, s’ka nevojë për alternativa,…
Pjesa e parë e Mukajve.
Kështu pas vizitës në pavionin e shtëpisë – muze të Mukajve në ‘’ Pazarin e
Vjetër’’ të qytetit muze të Gjirokastrës, ndenja me Fëmijërinë e Autorit në
‘’dhogën’’ pranë dritares, vendosur enkas për ta, që të çmallesha përtej dëshirës
së ‘’ndaluar’’ me dritën e ‘’perdes’’ që e shqeu koha; të shoh dritën e
Papavangjelajve- Priftajve, rrënjët e shëndetshme të Nënës së dashur Eftalisë,
Talos…
Si lexuese, libri i dytë, lidhur me degën e të parit, sipas meje, provokon kujtime
të sejcilit për një kohë të errët, të cilën e kanë jetuar të gjithë – si viktima apo
inkuizitorë, aspak të penduar; mjerisht, këta turfullojnë dhe sot që ‘’ kanë bërë
detyrën, që s’përgjigjen për ‘’ çfarë mdodhte’’ në bazë, ata zbatonin urdhërat nga
lart.. nga lart fare.
Nuk mund ‘’të prish’’ aspak skenën e krimit ndaj Papavangjelajve, sepse duke
qenë dikur banore e herëshme e Varoshit, me lidhje miqësie, krushqie të nderuar
nga njerëzit e burrit tim, Miltos, me Zhapajt, Mekshajt, Priftajt e Labovës; me Koto
Hoxhin dhe Zografajt e Qestoratit, i përfytyroj të gjallë vuajtjet e kalvarin e
njerëzve të kësaj sëre në Gjirokastër e kudo, por dhe shumë në Shkodrën time;
mirëkuptues për situata të ngashme goditjeje, aty gjetën strehë të ngrohtë familje
të shumta nga Gjirokastra (Karagjozi, Lito, Angoni, Zverku, etj.)
Libri është ‘’arkivë’’ e çmuar e makutërisë së shtetëzimeve me vulën ‘’ Vdekje
fashizmit- Liri popullit’’ duke dëshmuar, sipas meje për një ‘’ fashizëm’’ të ri, por
të zhgarravitur me emrin ‘’ komunizëm’’.
Ka vlerë, dokumentimi në detaje, duke treguar se në Gjirokastër, si në gjithë
Shqipërinë, ‘’aktet e pronësisë’’ janë ruajtur, veç atyre në familjet që zotëronin
këtë për vetë kulturën e çdo titulli, por edhe për devotshmërinë e nëpunësve që
nuk lejuan t’i grisnin ato.
Qesh ‘’gjëmthi’’ me faktet që shumë sende me vlerë të vjedhura nga
regjistruesit e ‘’shtetit’’, pronarët i gjenin në shtëpitë e kusarëve, të cilët,
kurrësesi muk mund t’u afroheshin vlerave morale qytetare të mbajtësve realë të
këtyre…
Qesh ‘’gjëmthi’’, se mu kujtua që një mbajtëse prej argjendi të gotave të vogla
të familjes Hido, grabitësi i zyrës së ‘’pasurisë shtetërore’’ e kishte përshtatur për
kornizë të ‘’udhëheqësit të madh’’, krah veprave me kapakë të kuq, të cilët duhej
të qenë në çdo familje ( na i jepnin me detyrim ditën e rrogave) dhe në krah,
patjetër duhej të qe portreti i të madhit. Syri i mprehtë i çdo vizitori, në vizitat
kolektive për festat kombëtar, kontrollonte ‘’ së pari’’ këtë fakt.
U zgjata me ndërhyrje, nga paralelet që provokon libri dëshmi i diktaturës, të
cilat i kemi përjetuar në familjen e tim shoqi po në Varosh, ndonse të qënit fisnikë
të rënë nga vakti, mbanin emrin e gjyshit Vasil Hido, kryesues i Degës së Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit për zonën e Gjirokastrës (dekoruar me Urdhërin e Trimërisë
1978) dhe nipit të tij Lame Hido- dëshmor, rënë (piketuar) për t’u vrarë gjatë
kthimit nga internimi 5-vjeçar në ishullin Ventottene të Italisë, që sot prehet në
varrezat e Dëshmorëve të Kombit, por asnjë rrugë në Gjirokastër nuk mban emrin
e tij.
Sa paralele thërret libri Juaj Vasil!…
Prekem thellë me të kërkuarit ndjesë mamasë suaj, që nuk e kuptuat dhimbjen
e saj. Shpirti i saj e di çfarë ka kaluar në kalvarin e mëdyshjes, midis gjakut që
rridhte pastër, rrëmbyeshëm, akuzues për ‘’harresën’’ e njerëzve më të dashur,
shpërndarë si ‘’zogjtë e korbit’’ nga frika e ‘’çlirimtarëve’’. Më dhemb shpirti si
nënë që mëdyshjen e frenonte nga dashuria për Ju dhe familjen Muka, që
kuptonin, ndjenin, ndanin heshtur vuajtjen e nuses së fisme që kishte ndritur
shtëpinë me zgjuarësinë, nikoqirinë, durimin dhe përshtatjen –simbol të
qëndresës, me situatat që kalonte Ajo vetë, familja prindërore, pa dashur të
rëndonte të dashurit e familjes ku erdhi nuse e rrallë, trajtuar si bijë e madhe plot
vlera njerëzre, që pasuruan këdo brenda e jashtë shtëpisë.
Dalin bukur, natyrshëm, në një rrrjedhë realizimi të lakmuar ato që thashë më
lart. Dalin përmes respektit ndërsjelltas që tregon autori në marrëdhëniet dhe
jetën familjare, por edhe shoqërore.
Kjo shton vlerën e mesazhit që njeriu në jetë përshtatet me rrethanat e
krijuara, pa tjetërsuar thelbin e vlerave të karakterit ; përshatet duke dhënë më të
mrën që iu duhet fëmijëve dhe familjes, por edhe shoqërisë, ndershmërinë,
shërbimin plot përkushtim, sakrificën e dinjitetit për më të mirën e të gjithëve.
Zonja Talo Muka sjell makinën personale të trikotazhit, pjesë e pajës së saj, në
repartin e posakrijuar në qytet, duke dhënë ndihmesën si pioniere e parë e një
zeje të re, që u bë ndër më të lakmuarat në qytet e më gjerë.
Zonja Talo, mamaja e mençur së cilës i kërkoni ndjesë, ju ruajti gjithë jetën si
zogjtë në një fole të ngrohtë. Ju mëkoi vlerat se njeriu në jetë plotëson shumë
mangësi materiale, por edhe shpirtërore (deri në një farë mase) përmes punës së
ndershme, dashurisë për njerëzit dhe mjedisin. Këto vlera jua mëkoi mamaja, së
cilës i kërkoni ndjesë, me ‘’ regjistrin’’ e fshehur në shpirtin e mendimet e saj për
emrat, origjinën, pa kaluar në ndrydhje të kujtimeve të bukura, të cilat sipas librit,
vijnë natyrshëm për emra dhe ndodhi, herë komike, më shumë dramatike të
personazheve që na bëhen të dashur, të nderuar, të fiksuar në telajon e një kohe
‘’ pakthim’’,‘’dëbuar’’ nga jeta e brezave Tuaj e gjithmonë.
Me finesën e stilit të jetës familjare të trungut që i përket, autori me ngjarje,
rrethana të jetuara, plot vërtetësi, përcjell edhe qëndrime që s’i pëlqejnë natyrës
së tij të çiltër, mirë kuptuese, shërbyese dhe prirje për të bërë mirë; dhe kur këto
raste u përkasin njerëzve më të dashur të rrethit të familjes. Qëndrimin kritik për
plogështi dhe mospëlqim të punës prej ‘’disave’’, Vasili nuk mungon ta
mbështesë me burimin e apatisë. Tangent u kalon rasteve konkrete, pa dashur t’i
fyejë njerëzit që do shumë, por që duhen të thuhen edhe të vërtetat.
Regjistri interesant( datëlindje- datëlargim nga jeta) shumë prej tyre të cilëve
nuk mudët t’i njihnit dhe të ndienit s’afërmi blerimin e pemës së Papavangjelajve ,
Ju i thërrisni shpirtërat e tyre në ‘’trapezën’’ e nderuar të të vdekurve për së
gjalli, u kërkoni ndjesë përulësisht me qirinj të shumtë pendese për çfarë nuk u
dhatë dhe çfarë s’morët drejtpërsëdrejti moralisht prej tyre. Të jeni më se i sigurt,
i dashur Vasil, që i keni qëndisur bukur vlerat e sejcilit prej tyre, një për një, pa
harruar asnjërin, përmes portretizimit mbresëlënës që bëni për sejcilin : nga të
dhënat familjare, tërthoraz nga kërkimet Tuaja përme të afërmve dhe miqësive
etj, etj. Shkurt një biografi ku duhet të jenë të gjithë në apelin e librit që i
përmbledh në një festë, shumë më të gjallë se dita e dhënies së titullit
’’Mirënjohja e Qytetit’’ dhe emërtimit të rrugës, ku jetuan të gjallët- e vdekur,
duke folë përditë pikërisht nga mungesa e tyre; pa fjalë, kalimi juaj para shtëpisë
me Nënën përdore, ka qenë pikërisht akuza më e rëndë për ata, që ju morën
pasurinë, shtëpinë, gjithçka materiale, ngaqë nuk mund të ‘’shpronësonin’’ emrin,
dinjitetin familjar të sprovuar krah qytetit të Gjirokastrës, por edhe në Vlorë,
Labovë, Qestorat, Tiranë, Greqi, Amerikë dhe n’amshim
Duke ecur me dhimbjen e nderimin e kujtimeve të autorit në libër –
testament, çmoj, veç të tjerave realizmin, natyrshmërinë, thjeshtësinë, bukurinë e
rrallë të së folmes së Gjirokastrës, spërkatuer me fjalë e shprehje frazeologjike
tipike pafund, vlerësoj qëndrimin e njeriut të ndershëm për t’i parë e çmuar
sitiuatat, njerëzit, edhe të afërmit në procesin e vetë ndryshimeve të jetës, që
s’përjashtojnë kurrëkënd.
Sa prekës takimi me Tezen që vinte nga Greqia sëpari , pas një ‘’jetë- ndarjeje’’ ,
pritjeje (me entusiazmin përkatës), kosi që ‘’s’e hante’’. Ajo vajtje para jush e
Mama Talos në Greqi, pritja e përcjellja këndej e andej me dhurata panumër për
të gjithë, plot sqimë e finesë të familjes Muka – Papavangjeli – Zografi, por edhe
krenarisë gjirokastrite për t’u treguar të tjerëve se ‘’çoç dimë dhe bëjmë ne
këndej, mos na dini të humbur e të vuvosur nga diktatura… Ha, ha, ha … qesh sa
të duash.
‘’Diferenca’’ e pritjes së tezes nga të dajkos në Amerikë, etj, i ka lënë autorit
shijen e hidhur se largësia i ftoh njerëzit…( mesazh për të sotmit e ikur ‘’ kuturu’’).
Me paralele të ngjashme çdo vizitor ‘’përtej’’ kufirit, ndjen dhimbje, kur shikon
se ca andej (ndoshta edhe këndej) të shohin me mëshirë ndaj të ‘’varfërve’’ kur
është e kundërta për nga vlerat që vë në peshore secila palë realisht…
Rendja me ‘’ kaçkavallin’’, ‘’ verën’’, e dhuratat e punuara me dashuri për të
dashurit e ‘’përtejmë’’ gërvishin plagë të vjetra që shkaktuan ndarjet e gjata,
duke dënuar ‘’Diktaturën e proletariatit’’ njerëzit e një gjaku, të një rrënje…
Me realizëm, vërtetësi jashtë politikave të ditës, kuptohet qëndrimi i ‘’ të
larguarve’’, marrëdhëniet me ambasadorët e Shqipërisë andej, etj, kur dhe
krijohej një lidhje e mençur ’’përfaqësi diplomatike në diasporë’’; prej kësaj veç
mirësi ka vetë shteti, njeriu në veçanti, e ardhmja.
Bazë e çdo progresi – thotë me rrëfimin e sinqertë, autori është puna e
ndershme, qëndrimi dinjitoz i njeriut, kudo që shkon, pasi modelon rrënjët,
identietin personal, familjar, kombëtar.
Takimi me mjekët e spitalit në Patra të Greqisë e vërteton ‘’çmimin’’ e sejcilit…
nga që elitat e çdo kombësie çmojnë dhe ndihmojnë këdo, sipas kodit të
pashkruar të vlerave të vërteta.
Po takimi me dajkon e Amerikës- kapitull model për lidhjet familjare, një
leksion për ‘’ata’’, që ikin, marrin udhët pa kthim nga e keqja, duke fluturuar se
çdo gjë, është e lehtë, jeta si në ekranet e filmave, si në premtimet e miqve ‘’ të
vërtetë’’ që gjenden kollaj, sa të dalësh tej vatrës familjare, që të ruan e të
mbron, të ndihmon me gjakun e zemrës çdo moment.
Pija birrën e ngelur të klientëve – tregon Dajkua, pa fshehur punën e rëndë,
kursimet, durimin për të vënë pak para, për jetën familjare, tutje ndershmërisht
për t’u ndihmuar edhe njerëzve të shpirtit këndej, pa kursim. Këto dalin si ‘’
përfitim’’ për lexuesit nga thjeshtësia , çiltërsia, vërtetësia e rrëfimit të autorit,
në libër me nota besimi të plotë.
Përmes ngjarjeve tej shekullit ndoshta, në rrjedhën e jetës së dy familjeve
fisnike, më në zë të Gjirokastrës, lexuesit që s’i ka njohur as dëgjuar kurrë, i vjen
në thirrjen e kohës, tani. Për polin e elitave të qytetit, shoqërisë, që janë modelet,
promotorët e zhvillimit , kapitalistët e parë me Fabrikën e lëkurë – këpucëve në
Gjirokastër, Vlorë, dyqane në Tiranë, Mukajve me rostiçerinë e rrallë, etj. Prej tyre
veç fitim ka çdo njeri, shoqëria vetë. Ato janë shkollë e madhe patriotizmi, pune,
djerse, marrëdhëniesh familjare, shoqërore që duhen njohur, ndjekur, pasuruar
në rrugë e sipër në kohët e reja.
Autori me finesë dhe etikën gjenetike nuk thotë hapur, por vetë libri mbetet
bindshëm ‘’ katedër dinjitoze’’ e vlerave , nuhatjes, së zhvillimeve të pritshme,
marrëdhënieve njerëzore jo vetëm në planin social, por atë ekonomik , të tregut
të hapur, të politikave me migracionin, sa që çiltër them : Do t’i bënin shumë më
mirë punët e sotme disa nga personazhet e librit që lexoj e do ta ristudioj; nga
ç’ e bëjnë shumë zyrtarë sot.
Me gjithë gjuhën e librit, plot ngyra të Gjirokastrës , unë pohoj, pa thënë
Lamtumirë: Tek ka rrjedhur do pikojë, duke ju vënë në krye të trashëgimisë së
vyer të famijeve dhe shoqërisë të qytetit e më gjerë. Urime !