Astrit Patozi
Kisha menduar ndoshta gabimisht se reforma në drejtësi ishte vetëm një kujtim i largët, pasi e konsideroja atë të vdekur, ngaqë çakejtë kryesorë të politikës e kishin sulmuar, ndukur, pickuar dhe çjerrë gjatë gjithë kohës, madje edhe përpara se ajo të lindte.
Dhe gati isha bindur se ia kishin dalë në misionin dhe vendosmërinë e tyre për ta vrarë shpresën e vetme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë kronike në këtë vend, ku abuzimi me pushtetin është kthyer në kult prej më shumë se tre dekadash.
Sot ka një sinjal të zbehtë se ajo mbase është gjallë dhe ky nuk do të ishte lajm i keq. Mënyra se si po reagohet për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut dhe sidomos vëmendja e lartë e “të fortëve” të politikës për të gjithë procesin më bën të mendoj se ende ka ndonjë shpresë të vakët se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen.
Personalisht nuk më thonë asgjë emrat e kandidatëve për kreun e SPAK-ut, sepse nuk më ka lidhur gjë ndonjëherë me ta, ndërkohë që raportet e tyre me publikun nuk është se i bëjnë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Ndaj nuk e përafroj fare me fituesin e garës idenë se mbase nuk janë fikur të gjithë qirinjtë e besimit se një ditë drejtësia mund të funksionojë edhe në këtë vend. Sado e ndrojtur dhe e frustruar nga presioni politik që të jetë.
Ajo që bën më shumë sot përshtypje është fakti që dy skajet fundore të politikës në Tiranë ndjehen njësoj të shqetësuara me të rejat e fundit nga fronti i SPAK-ut.
“Rilindja” pak më e përmbajtur, por qartazi e mërzitur dhe e sfiduar, ndërsa “Foltorja” më e sinqertë dhe më e drejtpërdrejtë në agresivitetin e saj, ndoshta ngaqë nuk i lipset shumë diplomacia, ngaqë nuk ka se çfarë të humbasë.
Mjafton edhe kaq për ta konsideruar si një hap të vogël në drejtimin e duhur edhe sikur asgjë fare të mos sjellë në të ardhmen kjo rokadë në kupolën e SPAK-ut.
Nuk është pak edhe fakti që u ka prishur gjumin qoftë edhe vetëm për një ditë të vetme të gjithë atyre, të cilët janë përgjegjës për të gjitha gjëmat, që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë këtyre 32 vjetëve.