Ka fitore personale që shoqëria i regjistron si të vetat

13 Minuta Lexim

Fatbardh Rustemi

Poetët i kanë fituar të gjithë betejat me të pushtetshmit, edhe kur janë ndëshkuar prej tyre. Njohur si fitorja e të mundurëve. Kur ra shtatorja e diktatorit në Tiranë, u ngrit ajo e Lasgushit në Pogradec. Një betejë e rrallë, e fituar vetëm me heshtje, ndryshe nga Kadare që grindej me sunduesin. Edhe pse janë beteja personale, kur fiton poeti: regjistrohen edhe si fitore të shoqërisë. Një betejë e tillë përshkruhet dhe në librin “Fillimet”, që ka për protagonistë: Preç Zogajn dhe Sali Berishën. Shihe sa të duash poetin nga maja e pushtetit, vjen dita që raportet të ndryshojnë. (Në një përplasje të fundit Zogaj do ta quajë Berishën një mjeran, një mosmirënjohës, të cilin disa herë e ka gjetur të rrëzuar për tokë dhe i ka zgjatur dorën.) Të gjithë këto raste përballeje e kanë origjinën tek ndeshja e perëndisë së dijes dhe zejeve, Prometeut me Zeusin e gjithëpushtetshëm. (Të humbasësh një garë elektorale është normale, ndërsa ajo morale, kur i ke hyrë në hak tjetrit, është më e rëndë se të presin një fletë arresti. Që të kuptohet kjo duhet të kalojë ca kohë, kur “i vogli” të mundi “viganin”)
Duke lexuar librin “Fillimet” përjeton një rrëfim dinamik me fuqi të shtuar, një ndërgjegjie që rri zgjuar, si e si autori të mos turpërohet para historisë. Ngjarjet, kronikat, faktet, mprehtësia e analizave, vlejnë për të gjithë ne, si një mundësi reflektimi. Por, pragmatisti i sotëm u mësua të hiqet, sikur ndryshon, për më keq duke u hequr dhe si protagonist i së ardhmes. Sepse ndryshimi i shoqërisë shkon deri tek sipërfaqja. Ndoshta një arsye kjo, pse kozmetika si biznes, po kap majat, sikurse kompanit lobuese të ndryshimit të imazhit. Nëse ndodhitë e sotme politike i ballafaqon me ato të librit “Fillimet”, kupton se shoqëria shqiptare është e paralajmëruar prej autorit. Sot flitet për një PD të përçarë, një rrezik që: e ka ndjekur qysh në krye të herës, sikurse dëshmohet në libër. Fillimet e demokracisë ishin njëherësh dhe starti i karieristëve, të cilët ia përvetësuan fitoren idealistëve, sikurse komunistët ua privatizuan, i vetmi privatizim, fitoren partizanëve. “Studentët më aktivë të grevës së urisë ishin ata që ishin ftohur e larguar nga Komisioni Nismëtar, si Shenasi Rama, Blendi Goxhe, etj. Ekzistonte një dualitet i pashpallur midis drejtuesëve kryesorë të grevës dhe drejtuesëve të Partisë Demokratike.” Pra, midis studentëve dhe atyre që erdhën nga jashtë. Thonë se Enverin e morën nga rruga kur u themelua partia, por dhe Saliu në rrugë ishte bashkë me Besnikun, kur shpërtheu revolta e studentëve. “Kjo nuk është partia demokratike që krijuam me studentët në qytetin “Studenti”, tha Azemi me një zë të mekur që nuk mu duk si i tij. “Mbajeni”, thirri në të ikur”. Nuk më kujtohet a shtoi “nuk do ta gëzoni dot”. (Sa fallco tingëllon thirrja: “Azem ti je gjallë?!”, se kur qe i gjallë, e përzinin, apo e nxirrnin në pritë?! Gjithsesi kjo e vërtetë nuk zë vend tek të mundurit fanatikë, që nuk durojnë t`ua prekësh liderin.) Aty ishin studentët, pse nuk i shkuan pas Sali Berishës, por sa herë i duhej të poshtëronte kryeqytetin e shqiptarëve i bënte thirrje Bathores dhe Mamurrasit?! Po reagoj në përputhje me librin, duke ndjekur logjikën e tij.
“Do të ngriheshin dy PD kundër njëra-tjetrës.”-shkruan Zogaj, jo pa shqetësim. Por, demonët e pushtetit po ngrinin pritat e reja. “Arben Imami propozoi që në kryesinë e re, të mos kishte asnjë anëtar të PPSH-ës.”, si qendrim i pari ky i dekomunistizimit, sikurse kërkohet dhe sot nga PD-ja tjetër. Nëse me dekomunistizimin donin të largonin Berishën, me të hipur në pushtet, ai me lustracionin tentoi të hiqte qafesh kundërshtarët?! Kjo duhet shënuar, si një luftë tipike, që komunistët bëjnë brenda llojit, edhe kur ishin grushtbashkuar dhe tani të shpërndarë si dhitë e qerozit. Një ndër ta, që me lustracionin nxirrej jashtë politikës ishte dhe Kastriot Islami i njohur për thyerjen e kockave dhe tërheqjen zvarr të demokratëve, por, një ditë të bukur, e gjen në oborrin e PD-ës?! Sikurse Imami i hipën tankut për të rrëzuar Berishën dhe katapultohet ministër i mbrojtjes në qeverinë e Saliut. Ndërgjegjia e një shkrimtari nuk mund të bëj kompromis me këtë imoralitet. “Po ravijzoheshin dy korrente, për të mos thënë dy parti. Njëra ishte kryesisht liberale. Tjetra kryesisht sektare.” Spastrimet në parti mund t`i bënte vetëm një sektar, liberali respekton mendimin ndryshe. Historia e Plenumit IV ku anakronikët lanë hesapet me liberalit, shfaqet si reminishencë. Por, “Berisha kishte mbështetje të madhe në parti.”, pohon autori i librit. Si u krijua kjo mbështetje, kur në të mungonin studentët? Ideja për t`i kthyer partitë në ndërmarrje private, ndodhi më shpejt se sa të niste procesi i privatizimeve. Radhët shtoheshin me të ngjashmit. Për të ushqyer kontekstin po shkëpus këtë fragment nga libri:
Demeti: “Nuk jam dakort me kandidaturën e Berishës. Me sa e kam njohur këto dy muaj, ai do ta dëmtojë demokracinë po të zgjidhet kryetar. Ai nuk është për këtë punë.” (Si minues të demokracisë do e damkos Departamenti Amerikan i Shtetit, duke e shpallur “non grata”. A i doli parashikimi Demetit? Minues i demokracisë ai që mbahet si sjellësi i saj?!)
Ceka: “Populli njeh për kryetar të PD-ës Sali Berishën.”
Demeti: Ej, nuk po voton populli, zotëri i nderuar, jemi parti politike këtu.
Më vonë kam menduar se ka gjithnjë një fuqi të rastit që heq pengesat apo shtron rrugën e njeriut më dhunti lideri. Më 10 dhjetor 1990 isha unë që e kisha penguar dëbimin e Sali Berishës nga mbledhja e studentëve. Por ishte ai që kishte duruar fyerjet, ama. Më 11 shkurt isha po unë që kisha imponuar me një fjalim të kohërave të vjetra anullimin e votimit që kishte nxjerrë kryetar Aleksandër Meksin.”-parashtron për së dyti altruizmin e tij, Zogaj. Sipas Shahin Kadaresë Berisha ishte: karierist, arbitrar, arrogant dhe hakmarrës, “që do t`i kushtonte vendit dhe do të na kushtonte të gjithëve”. Të gjitha këto i keni në libër, por kush do të mësojë nga historia? Pale nga letërsia? “Berisha i kishte në dorë të gjitha karriget e pushtetit. I kishte fituar me shokë, por mund t`i administronte vetëm. Ishte e vjetër kjo në Shqipëri.”-dëshmon Zogaj, jo pa ligështim. (“Papushim perëndojnë ngjarje të mëdha,/…Në këtë qytet koha ka bërë kërdinë/Të ka hequr Ty të ecurin e lehtë.”-shkruan poeti me një fines, edhe pse shkarkon një dramë, duke lënë të kuptohet se lluminati po vret elegancën, pa të cilën nuk mund të ekzistojë një qytet i civilizuar.
“Nata i kishte mposhtur të gjitha veç meje”. I takon t`i gëzohet triumfit moral. Krahas dualitet të partisë në libër zhvillohet dhe një linjë tjetër, ajo e duelit të heshtur midis poetit Zogaj dhe presidentit Berisha. Për dualitetin kush nuk ka folur, ndërsa duelin e heshtur nuk e përmend kush. Sepse ai që ka guxuar të përballet i bën me turp ata, që në të njëjta rrethanë, kanë ulur shpinën. (Në letërsi e arte po fabrikohej heroi, kur Heronjtë e Popullit po i shburrëronin.) Shenja e parë e hakmarrjes ishte: mbyllja arbitrare e revistës “Spektër”, që drejtonte Preç Zogaj, e papërmendur gjëkundi, si sulm ndaj medias së lirë. Arsyeja e këtij sulmi lidhet me mosbindjen e ministrit të kulturës ndaj presidentit, i cili i kërkonte të pushonte nga puna Frok Çupin, atë kohë drejtor në qendrën kulturore, ish Piramida. Kërkohej ndëshkimi i Frokut për një shkrim tek “Koha jonë”, këtu e 30 vjet më parë, ku hiqte një paralele mes enverizmit dhe Berishës, duke dhënë alarmin për rrezikun e rikthimit të metodave bolshevike në drejtimin e PD-ës. Frokun e kishin hequr nga “Zeri i popullit” për një shkrim kritik, sqaron kolegu Zogaj. Historia po i përsëritej dhe në demokraci. “Do ishte mallkim për mua ta hiqja për shkak të një teksti kritik.”, duke shtruar pyetjen: “Ç`parti e re qënka kjo që të dënonka për një kritik?” Duke kërkuar dënimin e një autori për shkak të lirisë së shprehjes, a nuk është dhe ky një sulm ndaj medias? “Ç`të duhem unë po mora damkën e servilit?”-i drejtohet ministri shefit të tij. “Unë nuk mund të bëja siç donte ai.”-i drejtohet burrërisht poeti shefit malësor. “Atëherë nuk do të kesh më mbështetjen time.”-ia thotë presidenti prerë, edhe pse pa mbështetjen e Preç Zogaj nuk do ishte në majën e pushtetit. “Pse ka hedhur në peshore vetëm arsyet e veta dhe asnjë timen?”, bluan brenda vetes. I bindur se e drejta ishte me të, nuk hap rrugë, edhe pse presidenti do të ndërsente kundër tij gjithfarsoj të vonuarish. (Lenka Çuko e sulmoi kryeministrin Shehu më shumë nga të tjerët. Mos të zëntë me “ushtarët e partisë”, që janë më besnik nga ata të gardës.) Më keq e pësoi Pashko. I jati i tij ishte futur në listën e ish funksionarëve të lartë, që do të zhvarrosej bashkë me Enver Hoxhën. Nuk ka gjë më të neveritshme, kur i dëgjon politikanët të vajtojnë për rrjedhjen e trurit nga Shqipëria, kur ata vetë e pastrojnë partinë nga intelektualët, nga ata, që dinë më shumë nga partia, ndonjë edhe nga vetë lideri. Dhe këtë e realizojnë me të vonuarit, që janë të parët, që ndjejnë erën e pushtetit. “Berisha mbështeti propozimin tim për t`u vetëbesuar të gjithë në aktiv dhe paralajmëroi reagime të publikut, nëse nuk kthehej arsyeja, domethënë nëse nuk anullohej votimi, ku fitues ishte A. Meksi.” Edhe pse iu gjend kur donin ta flaknin, kjo nuk e pengon Berishën të ngjitet në foltore për ta demaskuar poetin, si mocionist. Është po ajo foltore, që ai përdori dhe kundër Bashës, veçse: poeti e kishte ndihmuar të ngjitej në majë, ndërsa Luli si “i birsuari i tij” i merrte fitoret në tavolinë. (“Kur Rama futi këmbët në PD iu duk se ata i kishin marrë diçka që ai e kishte lënë në ruajtje.” Ka të ngjarë, ta ketë ndjerë veten të plaçkitur. Kismeti i del atje, ku nuk e mendonte: në mesin e socialistëve.)
-vijon-
Shënim: Në postimin tjetër, Preç Zogaj, si poet.
Fatbardh Amursi (Rustemi)

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull