PS rikonfirmon pjesën më të madhe të kryebashkiakëve

3 Minuta Lexim

Socialistët kanë vendosur që pjesën më të madhe të kryebashkiakëve aktualë t’i rikonfirmojnë si kandidatë dhe për zgjedhjet e 14 majit.

Damian Gjiknuri: Një pjesë dtë rikonifrmohen, por patjetër do të ketë dhe kandidatë të rinj. Do të shikohet si kanë punuar, oponionin që ka partia, opinionin që kanë qytetarët.

Sekretari i Përgjithshëm i partisë në pushtet, Damian Gjiknuri shpjegon për Tv Klan se gjithsesi ata do të nisin konsultimet publike, si për ata që kanë shanse shumë të mira që të rifuten në garën e lokaleve, për figurat e reja që do të përzgjidhen, por dhe për kandidaturat për këshilltarë bashkiakë.

Damian Gjiknuri: Ne do të hapim një proces konsultues në periudhën Janar-Shkurt.

Forma më e konsoliduar e socialistëve për të thithur mendimin e publikut, Gjiknuri pranon se janë sondazhet.

Damian Gjiknuri: Modeli më i mirë për paraqitjen e kandidatëve që përveç një figure partiake, duhet dhe një figurë që rrezaton përtej elektoratit tradicional me qëllim që bashkia të fitohet, sidomos në bashkitë që mund të kenë gara të forta.

Nuk ndihen aspak të kompleksuar si forcë nga kundërshtarët përballë që kandidatët i kanë gati 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe që i përzgjodhën përmes primareve. Gjiknuri i cilëson si pseudoprimare, pasi koncepti i primareve të vërteta, ai thotë se “nuk ishte ai që u përdor nga selia blu”.

Damian Gjiknuri: Këto nuk janë primare, këto janë thjeshtë konfirmim i dominancës politike lokale të 1 ose 2 figurave të caktuara. Në dukje mund të duket si metodë shumë demokratike, por nuk garanton fitore dhe krijon përçarje. Janë po ato figura politike që përfaqësojnë Sali Berishën dhe të tijët në terren.

Vetë socialistët sipas Gjiknurit nuk kanë asnjë tundim për të zgjedhur modelin e primareve pasi një test të tillë e kanë bërë brenda forcës së tyre në zgjedhjet lokale të 2007 dhe ju ka rezultuar i dështuar dhe përçarës. Ndaj ai thotë se do të vazhdojnë me mënyrën tradicionale ku pasi konsultave publike është kryetari dhe kryesia që vendos për kandidatët si për zgjedhjet lokale, ashtu dhe ato të përgjithshme.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull