Gazetari Doçi nxjerr fakte të reja: Prokurorët e SPAK panë pagesat Zotos për drejtoreshën e Gjiknurit, pse injoruan Ahmetajn?

3 Minuta Lexim

Gazetari Adriatik Doçi, në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka denoncuar faktin se gjatë hetimeve për inceneratorët, prokurorët e SPAK “panë në kompjuterin e Zotos pagesat për fjetje në hotele për drejtoreshën e Gjiknurit, çuditërisht jo për Ahmetajn”.

“Nga dosja prej 30 mijë faqesh e SPAK-ut për inceneratorin e Elbasanit, rezulton se hetuesit kanë parë me lupë pagesat që ka bërë Klodian Zoto për akomodimin në hotele me 5 yje të Etleva Kondit, ish-drejtoreshë e Damian Gjiknurit për PPP-të në Ministrinë e Energjetikës dhe anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për inceneratorët.

Pagesat korruptive janë zbuluar nga rikuperimi i të dhënave në kompjuterat e Klodian Zotos, pronar i kompanisë koncensionare të inceneratorëve. Zonja Kondi ishte caktuar nga Zoto dhe Gjiknuri për të bërë letrat e koncensionit para se të ‘fitohej’ nga Zoto

Duke qenë në rolin e ‘cironkës’ në këtë histori, syrit të hetuesve nuk u kanë shpëtuar pagesat e Zotos për llogari të zonjës Kondi. Por, çuditërisht, hetuesit, dhe këtu përfshihen edhe dy prokurorët e SPAK-ut, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, ‘nuk kanë parë’ pagesat e Klodian Zotos për akomodimin e Arben Ahmetajt në hotelet me 5 yje të Evropës.

E-mailet për pagesat kanë qenë në të njëjtin kompjuter, por syri i hetuesve ka kapur ‘cironkën’, por jo ‘peshkun’ e madh.

Nëse në Shqipëri ekziston shteti ligjor dhe barazia para ligjit, hetimet për inceneratorët duhet të përmbysen nga Gjykata e Posaçme dhe të kthehen në pikën zero.

Hetimet duhet të nisin nga ‘peshku i madh’ Arben Ahmetaj, pronari real i inceneratorëve dhe dy prokurorët që fshehën provat, duke devijuar hetimet drejt personave me role periferike.

Mirë pagesat e Zotos ndaj Ahmetajt që janë mbuluar qëllimisht, po raportet prej dy dekadash të Zotos me Ahmetajn dhe Gjiknurin, pse nuk hetohen?

Po vilën që Zoto i ka dhuruar Ahmetaj në Hamallaj, përmes një manovre banale, pse nuk hetohet?
A po presin që të nxjerrim ne edhe letrat se si Ahmetaj u bë pronar i vilës, përmes një kontrate qiraje fiktive që gjithsesi nuk e ka deklaruar në ILDKPKI?!”

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull