Japonia po përballet me problemin e varësisë nga video-lojërat

3 Minuta Lexim

Nga Super Mario e tek Final Fantasy, Japonia ka qenë sinonimi i video-lojërave, por disa ekspertë dhe prindër kanë frikë se një problem në rritje i varësisë po mbetet i pazgjidhur.

Përderisa kombet fqinje si Kina dhe Koreja Jugore kanë vendosur kufizime drastike në lojërat e të rinjve gjatë viteve të fundit – por me disa rezultate të përziera – disa familje japoneze ndjehen sikurse ata po lihen të vetëm me trajtimin e kësaj çështjeje.

Një grup takohet çdo muaj në Tokio për të këmbyer historitë dhe strategjitë për trajtimin e zakoneve të lojërave tek fëmijët e tyre, raporton Japan Times.

“Ngushëllimi im i vetëm është se ai ka mbajtur premtimin e tij për të qëndruar larg internetit gjatë natës”, tha një baba, ndërsa një tjetër tha se fëmija i tij kishte ndjekur një kamp ditor rehabilitimi.

Themeluesi i këtij grupi, Sakiko Kuroda, bëri të ditur se fëmijët në Japoni tani fillojnë që të luajnë video-lojëra kur fillojnë shkollën fillore, dhe kufizimet e pandemisë nënkuptojnë se shumë prej tyre po luajnë për periudha edhe më të gjata.

Shumë prindër nuk dinë se si të merren me këtë problem, dhe Kuroda thotë se ka “mungesë veprimi nga qeveria dhe industria e lojërave”, i cili në vitin 2019 grupin e nisi me takime jo-zyrtare.

“Njerëzit vijnë nga i gjithë vendi vetëm për të marrë pjese në këto takime, pasi ky lloj grumbullimi i vetë-ndihmës është i rrallë në Japoni”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkruan “çrregullimin e lojërave” si sjellje që rezulton në “dëmtime të konsiderueshme” të fushave si marrëdhëniet, arsimi ose puna dhe zgjat të paktën një vit.

Ndërkohë prindërit dhe ekspertët thonë se lojërat mund të çojnë në sjellje obsesive te fëmijët për shkak të problemeve të tjera, duke përfshirë stresin e lidhur me COVID-19 ose me ngacmimin.

Nëna e një vajze 13-vjeçare tha se video-lojërat u bënë një “strehë shpëtimi” për vajzën e saj kur ajo kishte vështirësi në shkollë. Kur ajo u përpoq t’i hiqte tabletën vajzës, vajza e saj, atëherë 10 vjeçe, u përgjigj: “Nëse më privoni nga tableti, do të doja të vdisja”.

“U trondita kur e dëgjova të thoshte diçka të tillë”, deklaroi nëna ndërsa edhe persona të tjerë që kanë përjetuar varësinë nga lojërat thonë gjithashtu se ajo u bë një mjet shpëtimi për ta gjatë kohërave të vështira.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull