Ish-gjyqtari Guxim Zenelaj dërgohet në gjyq për ‘deklarim të rremë’ të pasurisë

2 Minuta Lexim

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të enjten më 22 dhjetor 2022 përfundimin e hetimeve në ngarkim të ish anëtarit të Gjykatës së Lartë, Guxim Zenelaj për deklarim të rremë të pasurive, si dhe dërgimin e kërkesës për gjykimin e kësaj çështje në gjykatën respektive.

Po ashtu, bazuar në ligjin “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, SPAK ka dërguar për gjykim kërkesën për konfiskimin e pasurive të të pandehurit Guxim Zenelaj.

Konkretisht, është kërkuar konfiskimi i një ngastre toke me sipërfaqe 1000 m2 në Porto Palermo, Himarë – Vlorë; si dhe gjashtë pasuri të paluajtshme në Ishull-Shëngjin-Lezhë, konkretisht dy bodrume me sipërfaqe 16 m2 dhe 15 m2, njësi me sipërfaqe 218.06 m2, dhe tre apartamente me sipërfaqe 60.36 m2, 67.35 m2 dhe 51.35 m2.

Në ditët e fundit të dhjetorit 2021, SPAK vendosi të pushojë një procedim penal për “fshehje pasurie” ndaj pesë ish-gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe dy ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët u larguan nga sistemi i drejtësisë përmes vetingut ose dorëheqjeve. Prokurorja Doloreza Musabelliu kërkoi pushimin e procedimit penal për ish-kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori dhe ish-gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Artan Zeneli, Besnik Imeraj, Edmond Islamaj, Gani Dizdari dhe Tom Ndreca. Por shtatë muaj më vonë, Gjykata e Posaçme e rrëzoi kërkesën e SPAK, duke urdhëruar kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore.

Ndërkohë, SPAK ka dërguar më parë për gjykim për fshehje pasurie e deklarim të rremë ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja; ish-gjyqtarët Fatos Lulo dhe Shkëlzen Selimi si dhe ka sekuestruar pasuritë e Admir Thanzës, i cili u dënua me 9 muaj burg në maj të vitit 2019 për falsifikim të formularit të vetëdeklarimit, pasi gjatë procesit të vetingut u gjet se kishte fshehur një dënim për vjedhje në Itali.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull