Biznesmeni Edmond Papa dyshohet se u ruajt nga autorët e vrasjes prej një muaji

2 Minuta Lexim

Autorët e vrasjes së biznesmenit Edmond Papa dyshohet se e ruajtën atë për disa javë, derisa e ekzekutuan pasditen e 16 dhjetorit.

Ky dyshim i grupit hetimor vjen pas kqyrjes së disa pamjeve filmike në kryeqytet në vizitën e parafundit që 49-vjeçari kishte kryer në Tiranë rreth 3 javë më parë.

Burimet bënë me dije se nga verifikimi i dhjetra kamerave të sigurisë në të gjithë itinerarin e lëvizjes hetuesit po analizojnë disa automjete që dyshohet se mund të ndjekur biznesmenin Papa.

Sakaq Prokuroria dhe Policia e Tiranës kanë arritur të krijojnë një identikit të autorit, që gjithashtu është përftuar nga grumbullimi pamjeve të kamerave të sigurisë në rrugën ‘Fadil Bodinaku’ ku ndodhi vrasja por dhe segmente të tjera që lidhen me të.

Deri në këtë fazë të hetimit, trafiku i lëndëve narkotike është pista kryesore që dyshohet se solli vrasjen e biznesmenit. Nisur nga kjo grupi hetimor po verifikon dhe nëse vrasja e biznesmenit është në vazhdën e dy ekzekutimeve.

Konkretisht ekzekutimit të dy shqiptarëve në Greqi, dhe eleminimit me tritol të Aleksandër Sadikajt. Dyshime këto që janë ngritur pas informacioneve se 4 viktimat ishin me precedent në fushën e narkotikëve, por dhe për shkak të njohjes që mësohet të kenë patur në të shkuarën.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull