Luftar Reçi, një nga bashkëpunëtorët e Prokurorisë së Posaçme SPAK, pritet të dalë para gjykatës, të mërkurën në 28 dhjetor, për të dëshmuar në procesin gjyqësor, kundër të pandehurve Indrit Taullai, Emiljano Shullazi, Viktor Imeraj, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj dhe Indrit Rusi.
Reçi, është dëshmitari kryesor i prokurorisë që flet për vrasjen e Klodian Saliut në Durrës, Vajdin Lames dhe Artan Arsit, të ndodhur thuajse në një ditë në muajin shkurt 2005.
Thirrja e dëshmitarit, njëherësh dhe bashkë të pandehurit Reçi në këtë proces ka ardhur menjëherë sapo gjykata pranoi kërkesat e avokatëve mbrojtës, të cilët dorëzuan 7 procesverbale pyetjesh që Reçi ka dhënë disa kohë më parë, përballë njerëzve të drejtësisë.
Të 7 të pandehurit, po përballen me akuzat e rënda të “Vrasjes në rrethana cilësuese”, “Vrasje me dashje”, “Vrasje me Paramendim” të kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”. Reçi, ka treguar në prokurori dinamikën, se si ka ndodhur krimi i rëndë, me tre viktima.
Ndërsa tashmë në 28 dhjetor, treshja gjykuese Etleva Deda, Flora Haredinaj dhe Irena Gjoka, kanë ftuar dëshmitarin e akuzës, për tu paraqitur në ambientet e gjykatës në orën 15:00, për të dëshmuar lidhur me atë çfarë di në lidhje me 3 vrasjet e ndodhura në muajin shkurt 2005.