Çapajev Gjokutaj
Erdhi dhe dimri, thashë me vete sot në mëngjes, kur një valë e ftohtë ajri m’u përplas në fytyrë. Gishtat e duarve po më dhimbnin nga e ftohta dhe vetiu kujtova nëpër të një vjershë të Xhevahir Spahiut:
“Zunë shirat, po unë
kujt t’i shkruaj dy gisht letër
për një palë çorape të leshta?
Nanasë?
Nanaja s’është më.
Kanë heshtur shtizat, gishtërinjtë.
Naná flokëbardha, e shkreta.
lulet e verës, erërat e maleve,
fluturat e Frashërit ç’mi ulte mbi çorape.
Kujt t’i shkruaj dy gisht letër…
Nanája s’është më.
Dhe mua reumatizmi
i dyfishtë më zë.”
Vështirë të thuash nga buron poezia e këtyre vargjeve. Sot në kohën e sms-ve dhe e-maile-ve, të nisësh dy gisht letër duket arkaizëm. Rrallë e më rrallë njerëzit veshin çorape leshi thurur nga gjyshet. E megjthatë vjersha në fjalë s’ka kurrfarë gjëje të vjetëruar, përkundrazi.
Poezia nuk është tek objektet por tek shpirti. Mëngjeze të tilla, thashë me vete, janë si teshat që thurte Nanaja e poetit, përziejnë lule e erëra malli dhe na kujtojnë se bukuritë e kësaj jete fshihen në gjëra të thjeshta po njerëzore si çorapet, reumatizma, mungesa, malli e mbi të gjitha komunikimi me të afërt e të largët, me të gjallë e të vdekur…
( Nga cikli ‘Grunari i leximeve’ )