‘KatarGate’/ Në krye të aferës në PE agjenti maroken! Eurodeputetja mbetet në burg! Ministri belg: Asnjë gur s’do mbetet pa lëvizur

3 Minuta Lexim

Rasti Katargate në Bruksel ka trazuar shumë ujëra në Belgjikë dhe në nivel evropian. Blerja e influencës nga Maroku dhe Katari duke dhënë ryshfet te politikanë të lartë evropianë ka sjellë nisjen e njërit ndër hetimeve më të mëdha për korrupsionin në BE për gati një çerek shekulli.

Ministri belg i Drejtësisë, Vincent Van Quickenborne, reagoi për mediet duke thënë se zotohet që “asnjë gur nuk do të mbetet pa lëvizur” për hetimin e rastit të korrupsionit që trondit BE-në.

Zyrtari i lartë belg kishte edhe një paralajmërim kur tha se rrjedhja e përsëritur e informacionit nga hetimi është “e rrezikshme” për çështjen në fjalë dhe mund të ndikojë në hetime.

Që nga 10 dhjetori, policia federale belge kreu një seri bastisjesh nëpër shtëpi dhe zyra në Bruksel, duke sekuestruar telefona celularë, kompjuterë dhe më shumë se 1.5 milionë euro para cash.

Ndërkohë, hetimet kanë marrë dinamikë më të fortë teksa mediet e rëndësishme ndërkombëtare shkruajnë se një agjent i shërbimit sekret maroken, me emrin e koduar M118 është shfaqur si një ndër kryesorët në skandalin e korrupsionit në Katar. Ai dyshohet se ka qenë i angazhuar në përpjekje intensive lobimi dhe korruptimi të eurodeputetëve në vitet e fundit.

Katër të dyshuar janë arrestuar me akuzën për “pjesëmarrje në organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”. Zyrtarja më e lartë që ka rënë në prangat e policisë është eurodeputetja greke Eva Kaili, ish- zvpresidente e Parlamentit Evropian, e cila do të qëndrojë në burg për të paktën një muaj tjetër.

Belgët kanë çelur një hetim për rastin, por sipas ministrit i takon Parlamentit Evropian të organizojë mekanizma më të mirë kontrolli në lidhje me anëtarët e Parlamentit Evropian dhe gjithashtu të bëjë më shumë transparencë në procesin e tij vendimmarrës.

Që prej 9 dhjetorit,  burimet e IT-së të 10 punonjësve të parlamentit janë “ngrirë” për të parandaluar zhdukjen e të dhënave të nevojshme për hetimin. Katër të dyshuarit e arrestuar nga policia belge janë akuzuar për “pjesëmarrje në një organizatë kriminale, pastrim parash dhe korrupsion”.

Prokurorët në Greqi kanë ngrirë të gjitha pasuritë e zonjës Kaili. Gjashtë persona u arrestuan si pjesë e hetimit mbi akuzat se Katari korruptoi zyrtarët e BE-së për të fituar ndikim. Dy u liruan më vonë, duke lënë në pranga vetëm 4 zyrtarë të Parlamentit Europian.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull