Veliaj sulmon opozitën: Ata i përkasin të kaluarës, i duan votat për të larë hesapet e tyre

3 Minuta Lexim

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velaij duke folur për zgjedhjet e 14 majit u shprehet se Tirana nuk do t’ia dije se kush është ‘Luli i radhës’, që cakton dyshja e krerëve te opozitës.

Ai nënvizoi se sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e njerëzve duan që gjërat të vazhdojnë përpara. “Sondazhet janë jashtëzakonisht pozitive, shumica dërrmuese e njerëzve duan që gjërat të vazhdojnë përpara, duan që Tirana të mbajë këtë ritëm,  që të vazhdojë të rritet vlera e pronës, duan që të vazhdojë progresi i qytetit dhe reputacioni që ka qyteti. E duan qytetin me kaq shumë aktivitet dhe me jetë. Shumica  dërrmuese, edhe ata që nuk na kanë votuar herën e parë, thonë: Partia ime kryesore janë fëmijët – çerdhet, kopshtet, shkollat janë transformuar në Tiranë, prandaj ne do te ecim përpara. Është fakt se zona rurale, ku ne tipikisht kemi qenë në opozitë, sot masivisht votojnë këtë llojë progresi”, theksoi ai për News24.

“Për ne nuk ka rëndësi se kush do jetë Luli i radhës. Opozita e gruas dhe e burrit ka ndryshuar emrin dhe niptin – këto janë budallallëqet e tyre – por në thelb, janë po këta njerëz, Saliu dhe Iliri, që kemi 30 vjet që i njohim dhe që ende nuk po thonë nëse kanë bërë dot një shkollë në Tiranë. Propozimi ynë është: Ata që bënë 43 shkolla, të bëjnë edhe të fundit, të mbarojnë të gjithë transformimin e Tiranës. Kjo do jetë beteja. Pastaj jam i sigurt se secila prej opozitave do ketë kandidatët e vet”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se Berisha dhe Meta i përkasin së kaluarës dhe i kërkojnë votat vetëm për interesat e tyre personalë. “Ne s’kemi më garë me Ilir Metën dhe Sali Berishën, ata i përkasin të kaluarës, i duan votat kryesisht për të larë hesapet e tyre. Punët e tyre i kanë në terezi në Gjirin e Lalzit edhe nëpër të gjithë komoditetet në kullat e Tiranës, ku bëjnë aktivitete dhe ku kanë zyrat dhe shtëpitë. Por, unë besoj se beteja është jo me ata personalisht, është mes të ardhmes që ne propozojmë dhe të kaluarës ku ata na kthejnë pas. Po të shikosh edhe retorikën e tyre, nuk është se e duan Tiranën se kanë një ide brilante për të bërë punë. ‘Të kem këshillin bashkiak’ – thotë Ilir Meta- ‘që të bllokoj bashkinë  që të bëjë projekte’. Ai tjetri thotë ‘të kem mjaftueshëm, që të justifikohem në gjykatë per të marrë vulën’. Po të shikosh në retorikën e Ilirit dhe Saliut, asnjëri nuk flet për njerëzit, secili po flet vetëm për hallet e tyre personale”, tha Veliaj.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull