Komandanti letonez: S’frikësohemi nga sulmet në Veri, priten edhe në të ardhmen

2 Minuta Lexim

Komandanti i Forcave të Armatosura të Letonisë, Leonids Kalnins deklaroi se trupat letoneze të misionit paqeruajtës të KFOR-it nuk mund të frikësohen nga personat që qëllojnë me armë në drejtim të tyre.

“Qëllimi ynë është të kryejmë detyrat tona në tërësi së bashku me aleatët tanë. Kështu që një incident nuk mund të na frikësojë për të arritur në pikën ku do të ndalonim papritur përmbushjen e misionit tonë”, theksoi Kalnins, trasmeton portali “The Baltic Times”.

Kalnins potencoi se qëllimi i këtyre personave ishte një përpjekje për ta zvogëluar aktivitetin dhe patrollimin e trupave paqeruajtëse në zonat e banuara me shumicë serbe duke shtuar se sulme të tilla mund të priten edhe në të ardhmen.

“Mendoj se qëllimi i gjuajtjes me armë ishte të zvogëlonte aktivitetet tona midis dy palëve në konflikt. Detyra e Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) është të zbusë tensionin. Me shumë mundësi, një nga objektivat e këtij provokimi ishte largimi i barrikadave në rrugë”.

“Sidoqoftë, ky është një mision paqeruajtës, ka dy palë në konflikt dhe incidente të tilla mund të priten edhe në të ardhmen”, shtoi shefi i ushtrisë letoneze.

Ndryshe, më 25 dhjetor, në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në Zubin Potok, ushtarët e kontingjentit letonez të KFOR-it të udhëhequr nga NATO në Kosovë u sulmuan nga bandat kriminale gjatë patrullimit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull