Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se autoritetet “nuk do të bisedojnë dhe bashkëpunojnë me kriminelët” në veri, por do t’i “arrestojë ata”.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 28 dhjetor, Kurti foli për barrikadat e ngritura në veriun e banuar me shumicë serbe, duke argumentuar se ato po cenojnë integritetin territorial të Kosovës.
“Fatkeqësisht këta kriminelë, të sanksionuar edhe nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit, përveç cenimit të integritetit territorial të republikës sonë”, tha Kurti.
Kurti duket se iu referua nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç, i cili është nën sanksione nga Uashingtoni dhe Londra, teksa Prishtina e kërkon atë për dyshimet se ka frikësuar dëshmitarët në rastin e njohur si Brezovica.
Radoiçiç është në listën e zezë amerikane për shkak të dyshimeve për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar, ndërkaq është nën sanksione britanike për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – ka thënë se Radoiçiç është “bartës i rezistencës” në veri të Kosovës.
Lawsuit Seeks to Stop San Francisco From Destroying Homeless Camps
Keep Watching
Disa serbë lokalë që nga 10 Dhjetori kanë vendosur barrikada në veri, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Që atëherë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim, ndërkaq nga 27 Dhjetori është mbyllur edhe pikëkalimi i Merdares, pas vendosjes së barrikadave në territorin e Serbisë.
Kosova i ka dhënë kohë misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të veprojë të heqë barrikadat. Por, autoritetet kanë paralajmëruar se nëse KFOR nuk vepron, Policia e Kosovës ka kapacitete për të bërë diçka të tillë.
“Vendosja e barrikadave në rrugë është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimet e sigurisë, ne kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por sigurisht që kjo kohë po shteron me shpejtësi”, tha Kurti.
Ai shtoi se parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë “nuk mund të qëndrojnë” së bashku.
Serbët lokalë ngritën barrikadat në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiç. Kosova ka thënë se Pantiç dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Për barrikadat, Kosova ka fajësuar “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë, ndërkaq Beogradi ka thënë se barrikadat do të hiqen kur Prishtina të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe./REL