Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa ngre shqetësimin lidhur me situatën problematike që ka përfshirë median në Shqipëri, reflektim sikurse thotë i politizimit në çdo aspekt të vendit. Zoti Çipa thotë se është fatkeqësi që edhe sot e kësaj dite, mungon statusi që i garanton pavarësi editorëve, çka do u krijonte mundësinë profesionistëve të fushës, të mbrohen nga ndikimi i pronarëve apo politikës në kryerjen e detyrës së tyre. Zoti Çipa thotë se mediat në Shqipëri janë të kapura nga grupet e interesit, që praktikisht ndajnë ortakëri me ata që qeverisin dhe me politikën në përgjithësi. Me kryetarin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa bisedoi gazetarja Menada Zaimi.
Zëri i Amerikës: Zoti Çipa, gazetarë dhe analistë konstatojnë se gjithnjë e më shumë media në Shqipëri po kthehet në një zgjatim të politikës. Po kështu edhe organizata mediatike ndërkombëtare që monitorojnë situatën në këtë fushë, kanë bërë të ditur se klima për raportimin e lirë dhe të pavarur ka ardhur duke u përkeqësuar në vendin tuaj. Pse ka ndodhur kjo gjë?
Aleksandër Çipa: Sepse është politizuar jeta e vendit, jeta publike. Nga ana tjetër, palët kryerore politike janë në një marrëdhënie konfliktuale mes tyre. Në një mënyrë apo tjetër, media ka kthyer atë që quhet raportim i angazhuar, qëndrime të angazhuara politike. Këto e kanë tensionuar edhe më tej dhe kanë zhbërë atë motiv kryesor, për të qenë në mëvetësinë e vet raportuese, dhe vet editori shqiptar është në një presion të grupeve të interesit të cilat janë pranë palëve politike dhe kryesisht palës në pushtet. Këto të gjitha së bashku, janë arsyeja e një klime e cila e kthen politizimin dhe raportimin e angazhuar në media e vendit.
Zëri i Amerikës: Zoti Çipa, kështu siç e paraqisni ju situatën duket sikur nuk ka ndonjë zgjidhje sepse ju sapo e konfirmuat që media atje është një zgjatim i politikës. Por, çfarë mund ta ndryshonte realisht situatën? A nevojitet, të themi një “revolucion” i brendshëm i vetë medias?
Aleksandër Çipa: Mendoj se janë shumë çështje të cilat edhe pse janë diskutuar në panele dhe gjithë mediumet tona, meritojnë të kenë një ristrukturim të mekanizmave vetërregullues. Organizatat e gazetarëve lipset që të vendosin një akt dhe një koordinim mes veti, për të marrë nisma që duhet detyrimisht të krijojnë statusin e mëvetësisë së editorit shqiptar, që është një status i munguar në gjithë periudhën e tranzicionit të Shqipërisë post-komuniste, dhe kjo është një fatkeqësi profesionale. Së dyti, organizatat mund të inkurajojnë krijimin e strukturave vetërregulluese mbi kompaninë mediatike të vendit, të cilat janë të konsiderueshme dhe kanë të rekrutuar një numër të konsiderueshëm edhe punonjësish, por në mënyrë të veçantë edhe të gazetarëve. Së dyti, mendoj se është një çështje që meriton të merret në konsideratë është ajo e rregullimit dhe plotësimit të vakuumeve ligjore në fushën e medias. Këtu nuk e kam fjalën për media tradicionale, por në mënyrë të posaçme për mediat e reja të cilat janë potencialisht një vektor i rëndësishën në skenën mediatike të vendit.
Zëri i Amerikës: Zoti Çipa, kur themi se media në Shqipëri është një zgjatim i politikës, cilës politikë, asaj të majtë apo të djathtë apo dyja bashkë dhe qeverisë?
Aleksandër Çipa: Atributet në mënyrën më të drejtëpërdrejtë i ka shumica e qeverisjes sepse ajo zotëron asete në mënyrë financiare dhe kryesisht të donacioneve. Por, fatkeqësisht, klasa politike e pandryshuar në Shqipëri është një klasë që zotëron asete financiare dhe një pjesë të cilave i lëvron shpesh herë edhe në mënyrë informale për mbajtjen e mediave dhe financimin e tyre. Fakti që ne kemi një skenë mediatike që është e mbizotëruar nga informaliteti dhe që praktikisht të dhënat tregojnë se tendencat për mosrespektimin e ligjit të punës dhe në mënyrë të veçantë të garancisë financiare të punonjësve të medias nuk bën gjë tjetër vetëm e dëshmojnë potencialisht këtë gjë.
Zëri i Amerikës: Zoti Çipa, kryeministri ka thënë se në Shqipëri nuk ka media pro-qeveritare dhe se shumica e tyre janë “gjobaxhinj” kundër qeverisë. Edhe nëse liria e shprehjes, është përkeqësuar është përkeqësuar në kurriz të qeverisë. Është e vërtetë kjo?
Aleksandër Çipa: Në Shqipëri, fatkeqësisht, jepen prova të përditshme të raportimeve dhe edicioneve raportuese për media të porositura, dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Nga ana tjetër, në përgjithësi mediat janë të kapura nga grupet e interesit. Dhe, grupet e interesit janë ato që posedojnë sot pjesën më të rëndësishme të medias dhe që praktikisht ndajnë ortakëri të ndryshme me palët qeverisëse dhe me politikën në përgjithësi. Partikokracia dhe poseduesit e medias në Shqipëri, janë në një ortakëri e cila ndryshon në varësi të interesave dhe të pozitës që kanë ata në marrëdhënie me asetet publike, me financat publike dhe me buxhetet publike.
Zëri i Amerikës: Media online duket se ka një prirje inflacioniste sikundër e keni thënë edhe ju, janë të paktën 750 të tilla. Pati një përpjekje qeveritare për ta rregulluar atë me ligj, që me të drejtë u pa si një ndërhyrje ndaj medias online, megjithatë ju keni ngritur shqetësimin se ka nevojë për vendosje të rregullave në këtë drejtim. Si mund të bëhet kjo?
Aleksandër Çipa: Së pari, duke e lënë këtë në dorë të komunitetit të gazetarëve, në një lloj pikëpamje duke e inkurajuar në mënyrë të strukturuar proceset dhe nismat vetrregulluese në fushën e medias të reja. Kjo duhet bërë dke pasur parasysh edhe monitorimin që organizata dhe institucione ndërkombëtare kryejnë për skenën mediatike në Shqipëri. Së dyti kjo duhet bërë me plotësimet ligjore sepse ne kemi një situatë të vakuumit ligjor. Por, këto plotësime nuk mund të bëhen si nisma të qeverisë dhe të ardhura nga një ministri e cila nuk ka aq shumë kulturë profesionale për trajtimin e medias dhe aq më tepër njohuri. Kjo duhet bërë me pjesëmarrjen e dy komponentëve; komponentit ndërkombëtar që është i pranishëm në Shqipëri dhe komponentit profesional të investuar, jo vetëm në fuishën e raportimit dhe të qënit në struktura redaksionale, por përfshi edhe laboratorët e mendimit mediologjik shqiptar dhe këtu kam parasysh fakultetet e gazetarisë dhe laboratorë të tjerë të cilët janë të përgatitur dhe kanë një njohje referente me legjislacionin rregullues në hapësirën e Bashkimit Evropian, por edhe në perëndim dhe në Amerikë.