Ervis Martinaj, i cili njihet si “mbreti” i lojërave të fatit, është denoncuar nga familjarët si një person i zhdukur që prej gushtit 2022.
Por teksa fati i tij mbetet ende një enigmë, para se të zhdukej Martinajt ia eliminuan një nga një shokët.
“Mbreti” i lojërave të fatit u godit te miqtë e tij që me vrasjen e Fabian Gaxhës, Santiago Malkos, Bujar Likës, Erigers Mihasit, Can Kariçit, Brilant Martinajt, për ta mbyllur me tentativën e vrasjes së Ylli Brahimit pak javë para humbjes së gjurmëve të Ervis Martinajt.
Vrasja e Fabian Gaxhës
Në 4 tetorin e 2018-ës, një konflikt mes dy grupeve në lokalin “Monopol”, në ish-Bllok, u kthye në një kasaphanë. Sherri degjeneroi në përdorimin e armëve dhe si pasojë mbeti viktimë Fabian Gaxha, miku i Martinajt. Ky i fundit ndodhej me të në konfliktin në ish-Bllok dhe u plagos së bashku me Eljo Haton.
Vrasja e Bujar Likës
Bujar Lika dhe Paulin Gjergji u ekzekutuan nga një grup prej katër personash në 30 maj të vitit 2019 në barin e një hoteli në fshatin Gjormë, në autostradën Mamurras-Lezhë.
Lika quhej nga shokët Ari, ndërsa njihej edhe me mbiemrin Hasani. Biznesmeni njihej gjithashtu edhe për miqësinë me Martinajn. Ai dyshohej si i përfshirë në një ngjarje kriminale në Linzë, ku mbeti i vdekur Enton Nikaj.
Për këtë ngjarje u dënua me burg përjetë Eduart Lamaj dhe dy të tjerë, bashkëpunëtorë të tij janë shpallur në kërkim, por nuk janë vënë akoma në pranga.
Vrasja e Santiago Malkos
Mbrëmjen e 27 gushtit 2019, Santiago Malko u qëllua me breshëri plumbash në zonën e Porcelanit, teksa po lëvizte me makinën e tij BMW X5.
26-vjeçari u qëllua nga xhami i pasmë i një Mercedes-Benz, që po e ndiqte nga një distancë shumë e afërt makinën e tij në momentet para atentatit.
Miku i Ervis Martinajt ishte ish-punonjës policie i skeduar nga policia. Për këtë ngjarje drejtësia dënoi Blendi Tetën, i cili dyshohet se ka vëzhguar lëvizjet e viktimës para atentatit.
Vrasja e Erigers Mihasit
Miku i bosit të lojërave të fatit, Erigers Mihasi u ekzekutua me kallashnikov më 13 nëntor 2021. Ai ishte duke lëvizur me makinë në zonën e Astirit, së bashku me Armando Dumanin, kur u qëllua me breshëri kallashnikovësh nga një makinë tjetër.
Nga të shtënat humbi jetën gjithashtu edhe Armando Dumani. Mihasi ka qenë gjithashtu mik i ngushtë me ish-policin Santiago. Ndërkaq, vrasja e dyfishtë ka mbetur ende e pazbardhur.
Vrasja e Can Kariçit
Më 23 dhjetor të 2021-shit, Can Kariçi u qëllua me një armë zjarri me silenciator brenda një makine me targa të huaja. Ngjarja ndodhi në Kodër Kamëz, ndërsa ende nuk janë gjetur autorët.
35-vjeçari kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe ka qenë i dënuar për një plagosje të ndodhur në Tiranë në vitin 2018. Kariçi ishte mik i Ervis Martinajt dhe Erigers Mihasit.
Zhdukja e Ulvi Skanës
Prej datës 17 maj 2022, i riu Ulvi Skana, 29 vjeç ka humbur gjurmët. Familjarët kanë bërë denoncimin në polici dhe ka nisur hetimi për rrëmbim. Në media është aluduar se ai ishte mik i ngushtë i Can Kariçit dhe i njohur i Martinajt, po nëna e tij, Thëllëza Skana ka mohuar në daljet mediatike që djali i saj të jetë pjesë e njerëzve të bosit të lojërave të fatit.
Vrasja e Brilant Martinajt
Më 17 korrik, tre persona u vranë në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës. Autorët qëlluan me breshëri kallashnvikovi drejt makinës me të cilën po udhëtonte Brilant Martinaj, Diklon Vata dhe Besmir Hoxha. Vata doli jashtë mjetit, por u ekzekutua nga plumbat, ndërsa dy të tjerët u dogjën brenda mjetit.
Brilant Martinaj është kushëriri i parë i Ervis Martinajt, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për porositjen e vrasjes së Endrit Dokles pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.
Po ashtu Brilanti rezulton në kërkim për vrasjen e efektivit të FNSH-ve Xhulio Prela në 5 nëntor të 2020-ës, por edhe një tjetër ish-efektivi të uniformave blu, 60-vjeçarit Xhelal Reçi.
Tentativa e vrasjes ndaj Ylli (Brahja) Brahimit
Më 22 korrik, një breshëri armësh u zbras drejt makinës së biznesmenit Ylli Brahimi, në oborrin e banesës së këtij të fundit.
Nga kjo ngjarje mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos rëndë Ylli Brahimi, por ky i fundit i mbijetoi atentatit.
Kjo nuk ishte tentativa e vetme e vrasjes për Brahimin, pasi edhe në janar të 2021-shit, teksa ka qenë duke ecur i qetë me dy persona të tjerë në rrugë, është qëlluar me armë, por edhe në këtë rast vetëm mbeti i plagosur.
Atentati me shënjestër Brahimin mendohet të jetë për llogari personale, por nuk lihet mënjanë as pista se ishte përplekja e radhës e kundërshtarëve të Ervis Martinajt, pas vrasjeve të njëpasnjëshme të miqve të këtij të fundit.
Kjo pasi Brahimi është konsideruar si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ‘bosit’ të lojërave të fatit që u shpall i zhdukur në gusht të këtij viti.
Shumë nga këto ngjarje nuk janë zbardhur ende, por eliminimi i të afërmve të Ervis Martinajt nga grupet rivale dyshohet se ka pasur si qëllim dobësimin e “mbretit” të lojërave të fatit.
Vrasjet e shumta të shokëve dhe së fundmi të kushëririt të tij, kanë sjellë në skenë edhe tezën e zhdukjes dhe eliminimit të Martinajt, fati i të cilit është ende enigmë.