Zëdhënësja e Qeverisë së Gjermanisë, Christiane Hoffmann ka thënë se pas largimit të barrikadave në Veri të Kosovës, palët duhet t’i kthehet dialogut.
“Është një shenjë e mirë që të dy palët janë afruar me njëra-tjetrën dhe se pakica serbe në veri të Kosovës i ka hequr bllokimet e rrugëve”, tha Hoffmann para gazetarëve në Berlin të hënën.
“Tani është kryesisht e rëndësishme që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të mbështetet më tej. Qeveria gjermane e bën këtë në mënyrë shumë aktive dhe gjithashtu mbështet përpjekjet ndërmjetësuese të BE-së”, shtoi Hoffmann.
Por, as Hoffmann dhe as Ministria e Jashtme e Gjermanisë nuk kanë dashur të komentojnë thirrjen e kryeministrit kosovar Albin Kurti për dërgimin e më shumë ushtarëve të NATO-s në Kosovë.
Hoffmann theksoi se Berlini fillimisht po fokusohet në mbështetjen e dialogut.
Ndërkaq më 1 janar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë thirrje për një prani më të madhe të trupave të NATO-s në vendin e tij.
“Një rritje e konsiderueshme e ushtarëve dhe pajisjeve ushtarake të NATO-s në vendin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për transmetuesin gjerman ‘Welt’.
Kreu i qeverisë shpjegoi se Kosova aktualisht po rrit shpenzimet e mbrojtjes dhe numrin e ushtarëve dhe rezervistëve të saj.
“Një rritje e numrit të ushtarëve në forcën paqeruajtëse të NATO-s KFOR, do të mbështeste përpjekjet tona të mbrojtjes”, shtoi ai.