“Filluan dallgët, u tmerruam…jemi shumë keq…” 8 orë lundrim në mes të detit dhe 50 persona mbi një gomone 7 metra të gjatë, pasthirrma, frikë dhe disa të qara fëmijësh në sfond, ky zë i regjistruar nga aparati celular, do të na përfshijë në një rrugëtim 1-mujor mes sakrificash dhe rreziqesh të një emigranteje shqiptare, që për t’u larguar nga Shqipëria, zgjodhi rrugën ilegale dhe torturuese me gomone.
29 vjeçe, nga Peqini, Etleva Kupsi, rrëfen ekskluzivisht në Report TV, rrugëtimin ‘skllavërues’ së bashku me djalin e saj 9-vjeçar drejt Britanisë së Madhe.
“Kjo është një çmenduri dhe shpesh i kërkoj falje tim bir për egoizmin që kam treguar në gjithë këtë iniciativë për të shpëtuar veten vura në rrezik jetën e tim biri dhe për këtë ndihem vërtet në faj, e pranoj”, tha ajo.
Kështu e fillon Etleva rrëfimin e rrugëtimit të saj 30-ditor në mes të korrikut. Për atë, largimi ishte mundësia e vetme për të shmangur kaosin e përjetuar gjatë gjithë atyre viteve në vendin e saj. Si natyrë kreative (autore e disa projekteve artistike), nuk ishin financat ato që ndikuan në vendimin e saj, arti dhe vlerësimi si grua po.
Si arritët të krijonit kontakte me personat që do t’ju shoqëronin për të mbërritur në Angli, sa ishte shuma që ju kërkuan për t’ju dërguar në destinacion dhe çfarë itinerari përshkove?
-Kohët e fundit nëpër mediat shqiptare po ashtu dhe ato angleze është përfolur shumë për mënyrën se si shqiptarët vinë drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë ilegale, më gomone, kamionë etj. Ku edhe ju po ashtu jeni koshient se si qarkullonin trafikantët nëpër rrjetet sociale si Tik-tok etj.
Ashtu dhe për çmimet, kështu që as unë nuk bëj përjashtim në këtë rast, njëjtë si të tjerët kontakti kuptohet se ku është mundësuar. Për itinerarin s’do doja të futesha në shumë detaje, pasi në mënyrë absolute nuk do doja që dikush ta marrë përsipër këtë rrezik, sidomos në rastin tim më një fëmijë të vogël me vetë. Kjo është një çmenduri dhe shpesh i kërkoj falje tim bir për egoizmin që kam treguar në gjithë këtë inciativë për të shpëtuar veten vura në rrezik jetën e tij dhe për këtë ndihem vërtet në faj, e pranoj.
Sa persona ishit në grup, sa prej tyre ishin shqiptarë?
-Grupet ishin të ndara dhe drejtoheshin nga një trafikant përkatës. Me gomonen që ne u nisëm ishim gati 50 persona, ndër to 35 shqiptarë, me vete kishim në total 4 fëmijë dhe një grua shtatzënë. Në grup kishte persona edhe nga Irani.
Ku e ndjetë rrezikun më të madh? A u kërcënuat ndonjëherë, po dhunuar?
-Qëndruam rreth një muaj në pyll të Francës nëpër kampe (çadra) dhe ishte një sfidë në vete jo vetëm për higjienën, por edhe përshtatja me raca të ndryshme dhe njerëz të panjohur. Kishte edhe gra të tjera me fëmijë dhe në këtë mënyrë nuk ndihesha vetëm. Dëgjonim thuajse çdo natë të shtëna, përplasje mes grupesh, plagosje, etj.
Ecnim çdo natë 4 orë në këmbë në mes të pyllit më idenë për të arritur në breg të detit, me shpresën për t’u nisur me gomone dhe herë na ndalonte policia, herë na çahej gomonia. Shpesh-herë, për rreth një muaj, aq herë sa provuam shansin, policia franceze na linte diku mes asgjëje ku edhe kthimin për në pyll nuk e mbanim mend. Kemi fjetur edhe nëpër stacione treni.
Dhunuar jo! Por në momentin që ndërruam grupin e trafikantëve, sepse rruga nuk po na ecte, disa marokenë na ndoqën për orë të tëra duke na kërcënuar dhe jemi fshehur përpara një shtëpie franceze. Nga ora 23:00 deri në 07:00 të mëngjesit kemi tentuar të telefonojmë policinë franceze dhe nuk e di në do ta quaj racizëm por i mëshoj këtij mendimi pasi mënyra si na u përgjigjën fiks me këtë frazë “nuk jeni turistë që flini nëpër çadra dhe s’mund të vijmë t’iu ndihmojmë” dhe na mbyllën disa herë telefonin.
Kështu pritëm mëngjesin, të fshehur derisa u larguam më pas drejt Parisit për të humbur gjurmët. Më e vështira nga e gjitha kjo histori ishte kur tentuam sërish nisjen dhe shoferi i gomones nuk kishte kurrfarë ideje të na dërgonte në destinacion, por përfunduam midis ujërave të Francës e të Spanjës dhe kështu ngelëm 48 veta për rreth 8 orë në mes të detit. Derisa erdhi policia franceze dhe na shpëtoi. Përshkuam edhe 8 orë të tjera sërish në det për t’u rikthyer në Francë.
Sa e vështirë ishte të mos diktoheshit nga policia dhe si i shmangnit ata?
-Për rreth një muaj aq herë sa provuam fatin për t’u nisur aq herë jemi ndaluar nga policia Franceze dhe për çudinë tonë herën e fundit që nuk kishim fare shpresë sepse ndiheshim të lodhur, rraskapitur.
Herën e fundit u nisëm në orën 1:00 të mëngjesit më gomone, edhe atë rast gomonia nisi të fuste ujin brenda. Thjesht mund ta imagjinoni së si jemi tromaksur të gjithë në këtë rrugëtim, fëmijët sidomos. Pasi kaluam ujërat angleze, ishte policia angleze ajo që na shpëtoi e na dërgoi drejt Mbretërisë së Bashkuar.
A u lëndua ndonjë pjesëtar i grupit?
-Thuajse çdo natë plagosej nga një person, por nga grupi i trafikantëve.
Si do e përshkruanit këtë eksperience?
-Një tmerr i vërtet! Askujt nuk ia sugjeroj të ndjekë rrugët ilegale, sidomos me gomone.
Keni patur ndonjë komunikim me instancat përkatëse për çështjet e emigracionit në vendin në të cilin ndodheni?
-Jam e regjistruar në Mbretërinë e Bashkuar dhe kam leje qëndrimi për dy vite derisa më pas të ndiqet çështja ime e azilit dhe me shpresë uroj të pajisem me dokumente të rregullta.
Numri i fluturimeve që depërtojnë emigrantët e paligjshëm në Shqipëri do të rritet çdo javë në vitin 2023 sipas planeve për të zgjidhur krizën e emigrantëve në Britani. Kryeministri britanik, Rishi Sunak, po planifikon të prezantojë legjislacionin deri në fund të shkurtit për ta bërë më të lehtë depërtimin e emigrantëve që arritën në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht, duke përfshirë edhe varkat e vogla që kalojnë Kanalin.