BESNIK MUSTAFAJ, FJALA E TIJ DHE PENGU IM

5 Minuta Lexim
Gani Bytyci

Me Besnikun më lidh një miqësi e gjatë. Njihemi që nga vitet e nëntëdhjeta. Këtu e 30 e sa vite më parë. E njoha Besnikun shkrimtar e intelektual. Diplomat e politikan. E njoha Besnikun mik.
* * *
Kisha dy vite, që isha vendosur në Gjenevë. Besniku, ishte emëruar Ambasodor i Shipërisë në Francë. Atje, sapo i kishin botuar (në gjuhën frenge) dy romanet e tij. Botimi i tyre ishte përcjellur me interesim dhe vlerësime shumë të mira, nga lexuesi dhe nga kritika letrare atje. Madje (në mënyrë të figurshme), atëherë shtypi e kishte quajtur “vëllai i vogël i Kadaresë”.
Prezentimi në Qendrën Europiane të Kulturës në Gjenevë
Pengu (im) i parë
Ishte viti i largët, 1992. Në Qendrën Europiane të Kulturës (me seli në Gjenevë) po prezentoheshin dy romanet e Besnikut, të përkthyera e të botuara në gjuhën frenge. Kjo ishte në interesin kulturor (edhe politik) të Shqipërisë, që sapo ishte liruar nga diktatura e gjatë. Atë pasdite vere, në takimin letrar në qytetin e Calvinit, u fol gjatë për letërsinë, për rrjedhat e saj, për Shqipërinë dhe shkrimtarët e saj. Në veçanti u fol për shkrimtarin e ri, që letërsisë (edhe diplomacisë) europiane po i vinte nga një vend (i vogël) ballkanik. Në fund fjala iu kalua autorit të «Verës pa kthin», Besnikut. Intelektual brilant dhe i kompletuar, me tipare malësori. Një frankofon i shkëlqyer. Folës i zellshëm e i ditur, me një perceptim letrar dhe oratori admiruese. Ai foli për letërsinë, për mbijestesën e saj gjatë robërisë shekullore mbi vendin e tij. Foli edhe për diktaturën e dhunën e saj të ushtruar mbi letërsinë dhe shkrimtarët. Foli bukur. Ashtu siç flasin njerëzit e ditur. Po, biseda mua më iku. Nuk e regjistrova. Dhe ky është pengu im i parë. Mbase do të ishte shumë interesante, që atë bisedë ta kishim, sot pas kaq vitesh.
Takimi në Strasburg
Pengu (im) i dytë
Libraria më e madhe në Strasburg dhe njëra ndër më të mëdhatë në gjithë Francën letrare (Strasburg – Heisler Library), kishte organizuar një takim me tre autorë (frankofonë) shqiptarë. Besnik Mustafajn, Mehmet Elezin dhe Sejdi Qerimin. Cyrihu, ku jetoj unë dhe Strasburgu kanë një distancë prej 200 e sa kilometrash. Më tërhiqnin dy gjëra për të qenë i pranishëm atje atë ditë. Të takoja miqtë e mi (i njihja që të tre autorët) dhe magjia e fjalës së bukur të shkruar (edhe të folur). Dhe shkova. Po prezentohej letërsia e popullit tim dhe tre autorë të saj të përkthyer e botuar në frengjisht. Folën të tre autorët. Besniku foli më gjatë. Për letërsinë shqipe. Për autorët, të cilët tashmë janë bërë pjesë e letërsisë (së përkthyer) frenge. Ai u përgjigj edhe në pyetjet e shumta, që iu bënë nga publiku lexues. As këtë fjalë të tij nuk e regjistrova! Ky u bë pengu im i dytë!
” * *
Në Tiranë po ktheheshim nga “Panairi i Librit, Fieri 2022”. Mëngjesin e 19 dhjetorit (në ora 09.00) kishim takim me Besnikun. Ai erdhi me kohë. Sikur kishte nxituar. I qeshur, si gjithmonë. Po çfarë të flasinim (këtë herë)! Kemi kujtime të shumta që na lidhin. Nga ta nisim sot bisedën! Libri gjithmonë është i pari dhe i pashmangshëm në takimet tona. E urova për botimin e fundit “Letrat e mia kredenciale”. Këtu dhe e nisëm bisedën. Aty ka rrëfime të shumta nga jeta dhe përvoja e tij diplomatike (edhe letrare). Folëm për Parisin e kulturës. Për letërsinë që bëhet atje. Për diplomacinë. Atë të kohës, kur ai ndodhej në Paris. Për Miteranin dhe rrëfimet anekdotike të Besnikut për të. Miterani, një gjigant i politikës dhe diplomacisë europiane e botërore, për një dekadaë e gjysmë (sa ishte president i Francës). Ishte fanatik i letërsisë, njeri me shije, njohje dhe elegancë letrare të skajshme. Pati dhe ca batuta (të kohës së gjatë, kur Besniku ishte deputet). Qeshëm gjatë.
Ora kishte ikur dhe koha na kishte rrëshqitur aq shpejt. Pa e kuptuar fare.
Gjatë udhëtimit për në Prishtinë, më bëhej sikur akoma po bisedoja me Besnikun për Parisin, për diplomacinë, për Miteranin e Shirakun. Për letërsinë tonë dhe atë francize. Për romanet e tij të shumta e të shpeshta…
Botuesi i Besnikut për Kosovë është SHB “BUZUKU”.
Pjesë nga një ese më i gjatë

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull