Tedi Blushi: Fermeri është i zhytur në borxhe dhe i braktisur, vendi ynë nuk mund të jetë hambar për Edi Ramën

2 Minuta Lexim

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është shprehur se bujqësia shqiptare është në krizë të thellë.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ai tha se fermeri shqiptar është i zhytur në borxhe dhe i braktisur nga shteti.

Blushi tha se askush nuk pret më asgjë nga “Rilindja” që sipas tij në 10 vite i mashtroi dhe vodhi shqiptarët.

Ai shtoi se Shqipëria nuk mund të jetë hambar për Edi Ramën, por duhet të jetë vendi i shanseve për të gjithë.

“Bujqësia shqiptare është në krizë të thellë. Në Roskovec të Fierit fermerët po i braktisin tokat. Në shumë prej serave këtë dimër nuk ka të mbjella. Nafta, fidanët dhe pesticidet janë në çmime që nuk i përballojnë dot. Shumë kanë ikur në emigrim pasi kostot e larta, mungesa e tregut për prodhimet dhe braktisja nga shteti i çuan drejt falimentit. Ndërkohë që fermeri shqiptar është i zhytur në borxhe dhe i braktisur nga shteti në një treg të pabarabartë, fermeri në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut përfiton çdo vit subvencione konkrete dhe lehtësira të tjera.

Askush nuk pret më asgjë nga “Rilindja”! Në 10 vite Edi Rama nuk bëri atë që premtoi, por ua ktheu jetën në ferr fermerëve. I mashtroi, i braktisi, i rrënoi ekonomikisht dhe i detyroi të largohen nga vendi. Shqipëria nuk mund të jetë “hambar” për Edi Ramën, por duhet të jetë vendi i shanseve dhe mundësive për të gjithë që duan të jetojnë dhe punojnë ndershmërisht!”, është shprehur Blushi.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull