Partia Demokratike është risjellë sërish në vëmendjen e publikut në ditët e para të Janarit ‘23. Jo për ndonjë risi por për batërdinë e 8 Janarit të vitit 2022, kur anëtarët e Partisë Demokratike pothuaj e dogjën selinë dhe u desh policia e shtetit të rivendosë një lloj ekuilibri. Nuk ka në kujtesën demokratike pamje më groteske, të dhimbshme dhe më të pabesueshme sesa nga ajo që u zhvillua atë ditë. Mbase në analet politike do të mbesë i pashlyer paradoksi shqiptar, sesi anëtarët e një partie trashëguar bashkë me liderin historik (e kanë ngritur sërish nga bataku ku e la historia e demokracisë shqiptare), e shpërdoruan turpshëm një aset historik.
Tashmë nuk merren më seriozisht nga gjykata, që i janë besuar dhe që ua shtyn vendimin për legjitimitetin (një seancë që mund të marrë thjesht pak minuta); nga kolegët e politikës, që mundohen sesi të përfitojnë dhe t’i përqeshin për “naivitetin” e tyre; nga maxhoranca që po ua bën udhën më të vështirë me qesëndisjen; nga shumë prej anëtarëve t saj që e kanë braktisur dhe madje kanë filluar të shikojnë alternativa të tjera. Ka një shpjegim të thjeshtë, që tashmë PD-ja nuk po e kupton: Është ndarë nga logjika e të drejtës dhe arsyes së ligjshmërisë, që fillimisht duhet ta zbatonte me të gjithë strukturat e partisë në të gjitha kapilaret e veta.
“Pasi, ashtu si njeriu është më i miri nga të gjitha kafshët ngaqë arriti zhvillimin e tij të plotë, po ashtu ai është njësoj më i keqi nga të gjithë kur është i ndarë nga ligji dhe drejtësia”, shkruante në kohën e tij Aristoteli, kur njerëzimi vërtetë nuk ishte në këto stade, por kur kanonet humane të arsyes ishin më të drejtpërdrejta.
Dhe, tjetra që nuk kuptojnë sot njerëzit e PD-së, në fakt, u shpaloset përditë në të gjithë aspektet. Bashkimi është i thjeshtë, kur u thuhet se: Berisha dhe Basha duhet t’u tregohet dera. Bashkimi është i thjeshtë, kur u thuhet se përpjekja kryesore duhet të jetë për të bërë oponencë dhe të japin zgjidhje për shqiptarët, jo të qesëndisin dhe të akuzojnë njëri-tjetrin si të shitur. “Është e pamundur që një e tërë të ndihet e lumtur nëse të gjitha, ose shumica ose qoftë edhe disa nga pjesët e saj nuk kanë lumturi”, shkruante Aristoteli për një kohë, kur politika nuk zhvillohej në këto kanone, por i jepte udhë të drejtës.
Anipse, problemi i Berishës dhe i njerëzve që janë në këtë parti është se nuk janë të barabartë dhe se supremacia e logjikës, forcës dhe tagrit i takon vetëm Berishës, ashtu si edhe ish-benjaminit të tij Lulzim Basha, i cili po përpiqet të rikthehet shëmtuar përmes një retorike qesharake në hije dhe besimit të njerëzve të tij, që po vinë duke u rrudhur me parashtrimin se vetëm ai mund të drejtojë. “Demokracia lindi nga mendimi i burrave se nëse janë të barabartë në çfarëdo aspekti, ata janë absolutisht të barabartë”, sjellim ndërmend Aristotelin, që mendonte se drejtësia e barazisë do të ishte parimi që do të mbante gjallë frymën e një drejtimi të drejtë.
Të gjitha këto parregullsi e bëjnë misionin e sotëm të Partisë Demokratike të pamundur, qoftë për bashkimin por edhe për të ardhmen. E vetmja gjë që i mbetet është rithemelimi i PD-së, pasi tashmë nuk është më fronti i dikurshëm ku bashkoheshin, antikomunistët, pronarët dhe të persekutuarit, që i lanë të gjithë në mes të rrugës nga luftërat e pafund brenda vetes por edhe nga logjika e dikurshme e Partisë së Punës (e plazmuar bukur mirë tek ata) të gjetjes kudo së armiqve. Në këtë fillim janar, pikërisht për këtë do të mbahet mënd PD, sesi vazhdoi besnike edhe 30 vite më pas traditën e një partie që u arkivua në dosjet e harresës së shekullit të shkuar.