Një 25-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi u kap në flagrancë duke ndihmuar një shtetase për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme.
Blutë bëjnë me dije se se 25-vjeçari i identifikuar si Basri Jusufi, banues në Zvicër, ka rënë në prangat e policisë pasi u kap duke i dhënë pasaportë false një shtetase turke.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë i Policisë:
PKK Port Durrës / Evidentohet dhe goditet një rast tjetër i dhënies ndihmë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
U kap në flagrancë teksa pajiste një shtetase turke, me pasaportë false, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, vihet në pranga 25-vjeçari.
Shërbimet e PKK Port Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, bazuar në analizën e riskut dhe si rezultat i përdorimit të pajisjeve bashkëkohore dedektuese, kanë konstatuar dhe goditur një rast tjetër të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit. Si rezultat, u vu në pranga shtetasi B. J., 25 vjeç, banues në Zvicër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
25-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në portin e Durrësit, teksa i jepte një shtetaseje turke, një pasaportë false, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.