S’ka kuptim

3 Minuta Lexim

Arben Kallamata

Ç’kuptim ka të mburresh për lashtësinë e gjuhës shqipe, kur e përdhos atë në çdo çast duke e keqpërdorur?
Ç’kuptim ka të vërtetosh që je populli më i vjetër i Ballkanit, kur gjysmën e njerëzve i ke të shpërndarë si zogjtë e qyqes nëpër botë?
Ç’kuptim ka t’i vesh qeleshe mbi kokë Homerit, kur rreth teje vërtiten gjysmë zhveshur lypës të uritur?
Ç’kuptim ka të bërtasësh se je krenar që je shqiptar, kur në Romë, Athinë, Londër e Paris ecën me kokën ulur?
Ç’kuptim ka të mbushësh sytë me lot për gjyshen arbëreshe të Deni DeVitos, kur nënën tënde të vetmuar e rrahin në shtëpinë e pleqve?
Ç’kuptim ka të kërkosh rrënjët arvanitase të Irenë Papas kur para syve të tu shkulin nga themelet teatrin kombëtar dhe ti nuk lëviz dot as gishtin?
Ç’kuptim ka t’i kërkosh drejtësi një politikani të korruptuar nga mitingu i kopjes së tij të klonuar?
Ç’kuptim ka të revoltohesh për padrejtësi shoqërore kur s’le rast pa vjellë vrer ndaj kujtdo që është ndryshe prej teje?
Ç’kuptim ka të rrahësh gjoksin për mikpritjen shqiptare kur ke vite që s’fton e s’qas njeri në shtëpi dhe kur çmimet e hoteleve dhe restoranteve i ngre në qiell?
Ç’kuptim ka ta mbash veten racë superiore kur në kurriz ke të freskëta shenjat e kamzhikëve të racizmit?
Nuk ka kurrfarë kuptimi ti kërkosh gjërat aty ku s’janë.
Ndoshta do të kishte më tepër kuptim sikur ta shfryje pak tollumbacen që mban mbi supe dhe të uleshe disi më poshtë, sa të të preknin këmbët në tokë.
Të përpiqeshe ta flisje dhe shkruaje shqipen më pastër e më qartë.
Të mundoheshe ta edukoje djalin dhe vajzën duke i dhënë shembullin e pastërtisë morale, ndershmërisë, dhembsurisë për të tjerët dhe nevojës për të qënë i drejtë.
Të hiqje dorë nga vemjet politike që kanë tridhjetë vjet që e kanë mbërthyer vendin për gryke dhe të kërkoje me urtësi dhe përgjegjësi qytetare rrugëzgjidhje të reja.
Të prisje ndonjë biletë koncerti, teatri, apo filmi për t’i dhënë një dorë talenteve të vendit.
Të lexoje ndonjë libër nga fillimi në fund.
Të punoje me ndershmëri, pa vjedhur, pa dhënë e marrë rryshfet.
Të toleroje mendimin e tjetrit dhe të pranoje idenë që edhe ai që e sheh botën ndryshe nga ti mund të ketë një farë të drejte.
E di që do thuash se një njeri i vetëm nuk mund të bëjë dot asgjë përballë gjithë atij llumi që na ka mbytur përreth, por mos harro se ti je e vetmja shpresë e mbetur. Gjithçka fillon nga ti, nga unë.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull