Ansambli Popullor, në edicionin e 30 të festivalit mbarëkombëtar “Këngë Jeho”

4 Minuta Lexim

Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore u prezantua me një program të pasur në festivalin “Këngë Jeho”. Një festival që bëri bashkë trupa të ndryshme folklorike dhe Ansambli Popullor ishte i ftuar special. Festivali mbarëkombëtar popullor “Këngë Jeho” zhvilloi edicionin e 30 në tre mbrëmje, që nisi në datë 9 në qytetin e Strugës. Drejtori artistik Sokol Marsi shprehet se ky është dhe festivali i parë pas mbylljes nga pandemia, që Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore merr pjesë. “Në “Këngë Jeho” marrin pjesë trupa folklorike nga hapësira mbarëkombëtare shqiptare.

Ansambli jonë ishte i ftuar nderi. Ky është festivali i parë, që ne dalim jashtë pas pandemisë”, shprehet Marsi, drejtor artistik i AKVP. “Këngë jeho” në edicionin e 30 në Strugë, por që në fillimet e tij qëllimi i festivalit të këngëve dhe valleve ka qenë promovimi i kulturës dhe vlerave shqiptare. “Këngë Jeho” u mbajt në Strugë në organizim të shoqatës me të njëjtin emër. Edicioni i tridhjetë jubilar ku u prezantuan artistët vendas, si dhe ansamble folklorike nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, etj. Sipas organizatorëve, “Këngë Jeho” e kultivon kulturën shqiptare dhe është me rëndësi të madhe për popullin shqiptar. Gjatë 30 viteve në skenën e festivalit janë prezantuar shoqata folklorike dhe ansamble, si nga vendi ashtu edhe nga bota.

Programi i AP, në “Këngë Jeho”

Ansambli Popullor performoi një program të zgjedhur. Në program u interpretuan “Valle e qypave” nga grupi i valles, kolazh me këngë shkodrane solist Aranit Hoxha, kënga e Hajredin Pashës nga grupi koral i burrave, valle për violinë solist Flogert Shatraj, kolazh Shqipëria e Mesme solist Aranit Hoxha, polifonike nga Juli Çenko dhe grupi i Burrave, artistë që sollën dhe kolazh me këngë përmetare, vallja “Te burimi” erdhi nga grupi i valles. Ansambli Popullor mori pjesë në këtë festival në vijim të aktivitetit të tij artistik, ku nuk kanë munguar dhe disa shfaqje premierë më parë. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) është krijuar në vitin 1957, si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori.

Qëllimi i ansamblit është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh. Folklori shqiptar shquhet për origjinalitetin, lashtësinë dhe shumëllojshmërinë e gjinive artistike. Zonat e shumta etnografike kanë veçantitë e veta në këngët, vallet, kostumet, ritet e zakonet. Mbështetja e AKVP-së tek kjo pasuri burimore dhe ekspeditat e ndryshme të zhvilluara në të gjitha zonat kanë bërë që AKVP-ja të jetë jo vetëm krenaria e kulturës tradicionale shqiptare, por edhe të mahnisë me vlerat e tij studiues e folkloristë nga e gjithë bota. Repertori muzikor ka luajtur një rol të fuqishëm dhe mjaft të suksesshëm në jetën e ansamblit.

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull