Paralajmërohet rritja e çmimit të ujit, kosto edhe te faturat

5 Minuta Lexim

Sektori i ujësjellës-kanalizimeve për të shkuar drejt parametrave normalë të furnizimit pa ndërprerje dhe ofrimit të shërbimit në gjithë vendin ka nevojë për 5 miliardë dollarë deri në vitin 2040.

Enti Rregullator i Ujit (ERRU) në raportin e performancës të publikuar këto ditë nënvizon se kjo do të ishte e barabartë me investimin sistematik të afërsisht 200 milionë dollarëve çdo vit për çerekshekulli. Një pjesë të mirë të kësaj barre duket se shteti do ta faturojë tek tarifat që konsumatorët paguajnë.

“Investimet fizike në sektorin UK, referuar Master Planit Kombëtar për këtë fushë të projektuara deri në vitin 2040 rezulton që të jenë rreth vlerës së 5 miliard Euro. Për përmbushjen e këtyre kërkesave kërkohen rreth 200 milion Euro/vit duke patur parasysh projektimin e tyre në 25 vite. Mënyra e synuar e financimit të nevojave fizike të sektorit përcaktohet në draft Strategjinë e Financimit të sektorit të ujësjellës kanalizimeve nëpërmjet sistemit të 3T-ve, përkatësisht nga Taksat (buxheti i shtetit), Transferta (financimi i donatorëve), si dhe nga Tarifat (faturat e shërbimeve të ujësjellës kanalizimeve nga konsumatorët” thuhet në raport.

I njëjti vlerëson se në vitin e kaluar investimet e bëra në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve ishin 53 milionë euro. sipas ERRU një pjesë e financimeve është realizuar nga buxheti i shtetit përmes AKUM në vlerën 4.4 miliard lekë ose 36 milion euro (plus dhe vlerën e TVSH-së) dhe pjesa tjetër nga burimet e huaja përmes KfW & SECO në vlerën 2.1 miliard lekë ose 17 milion euro.

Investimet e bëra sipas raportit kanë mundësuar ujë 24 orë në disa bashki. “Deri në mbyllje të vitit 2020 si rezultat i investimeve të kryera rezulton të kemi furnizim me ujë pa ndërprerje (24 orë) për 22 qendra urbane (qytete), përkatësisht Fushë Arrëz, Pukë, Vau Dejës, Koplik, Lezhë, Rrëshen, Tropojë, Krujë, Cërrik, Peqin, Korçë, Pogradec, Maliq, Bilisht, Kolonjë, Poliçan, Fier, Konispol, Tepelenë, Memaliaj, Këlcyrë dhe Përmet” nënvizon ERRU.

Sfidë për sektorin mbetet pjesa e kanalizimeve ku ende gati gjysma e vendit nuk është e mbuluar me këtë shërbim për largimin e kontrolluar të ujërave të përdorur.

“Duhet theksuar se investimet e planifikuara në drejtim të kanalizimeve mbeten akoma një sfidë për tu arritur në të ardhmen pasi mbulimi i sektorit me kanalizime në rang kombëtar mbetet akoma shumë i ulët në masën e 51.5 %” thuhet në raportin e performancës.

Në një tjetër raport të mëparshëm, për të rritur efikasitetin nëpërmjet ekonomisë së shkallës, Enti Rregullator i Ujit (ERRU) në një raport të fundit propozon dy variante konkrete për agregimin (bashkimin) e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve. Në një prej alternativave thuhet që të aplikohet një faturë e unifikuar për sektorin në vlerën prej rreth 1400 lekë/muaj, ndërsa aktualisht vlera mesatare e faturës mujore varion nga 350 deri në 2,000 lekë në muaj. Kjo automatikisht do të çonte në një katërfishim të faturës për ata që sot paguajnë me vlerë minimale. Vetë ERRU e pranon se kjo do të krijonte kosto të mëdha sociale, sidomos për zonën verilindore.

Sektori po vuan dhe nga detyrimet e papaguara të energjisë. Ministria e Financave, në një raport të mëparshëm ka propozuar që borxhet që ujësjellësit kanë për energjinë të futen në faturën e ujit. Ndërmarrjet e ujësjellësit, të cilat janë në administrim publik kanë rikrijuar një borxh prej 17 miliardë lekësh ose 138 milionë eurosh ndaj OSHEE -se deri në fund të vitit të kaluar. Ministria e Financave në një prej alternativave për zgjidhjen e situatës propozon që të bëhet zbatimi i plotë i reformës së ujit, ku do të reflektohet kosto e energjisë elektrike në tarifën e ujit në kuadër të rishikimit të metodologjisë të tarifave të ujit./Monitor

Lajme të ngjashme

Shpërndaje këtë artikull